Ja vendimi më i ri, Supremja vendos për Agim Ademin

Futboll

Ja vendimi më i ri, Supremja vendos për Agim Ademin

Më: 25 gusht 2020 Në ora: 11:46
Ja vendimi më i ri , Supremja vendos për Agim Ademin

Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Federatës të Futbollit të Kosovës, Agim Ademit.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës Supreme.

Kryetari i Federatës së futbollit Agim Ademi, me aktgjykim të formës së prerë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për shkak të veprës penale “Detyrimi në tentativë”  dhe të njëjtit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 9 muajve.

Më pas Gjykata e Apelit, pas vlerësimit të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, kishte gjetur se ai ishte pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore dhe se atij i ishte rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht ishte trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.

Më këtë Gjykata e Apelit kishte konsideruar se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit.

Kryetari i Federatës së Futbollit – FFK, Agim Ademi së bashku me Muhamet Ramën në korrik të vitit të kaluar ishin shpallur fajtor nga Gjykata e shkallës së parë lidhur me akuzuat për kërcënim me vdekje të një personi.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, e cila kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 9 muajve, ndërsa Muhamet Ramës i ishte shqiptuar dënimi me burgim prej 1 viti, lidhur me veprën penale të detyrimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat