Drejtori Sportiv: Qeveria të mbajë premtimet

Futboll

Drejtori Sportiv: Qeveria të mbajë premtimet

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 12:37
Drejtori Sportiv: Qeveria të mbajë premtimet

Liga Profesioniste ka nisur mbledhjen e jashtëzakonshme për të vendosur mbi mënyrën si do të vijojë protesta ndaj qeverisë, të cilës i është kërkuar një mbështetje ligjore për futbollin, ndërsa së fundi ka reaguar edhe klubi i Kastriotit.

Drejtori Sportiv i krutanëve, Gazmend Vogli ka bërë një deklaratë për mediat, ku i bën thirrje qeverisë të mbështesë futbollin në vend dhe sjell në kujtesë faktin që në Kosovë e Maqedoninë e Veriut ligji i sponsorizimit është shumë më favorizues.

Kujtojmë që aktualisht klubet e Superiores kanë vendosur për bojkotin pa afat të Kategorisë Superiore, pasi kërkojnë plotësimin e 4 kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë dhe që i konsiderojnë si jetike për mbarëvajtjen e këtij sporti.

Ja deklarata e plotë e gazmend Voglit:
Ne si klubi i Kastrioti jemi të mendimit se futbolli duhet të përkrahet, qeveria duhet t’i kthejë sytë nga ne. Premtimet e bëra duhet t’i mbajnë. Ka ardhur momenti që duhet përkrahur futbolli. Po të shohim çfarë ndodh në rajon, mbështetja për klubet e futbollit në Shqipëri është më e vogla.

Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë ligji i sponsorizimit është favorizues, me 40 dhe 30 për qind. Duhet patjetër të ketë mbështetje për futbollin, duke parë edhe ecurinë e klubeve shqiptare në kupat e Europës së fundmi. E përsëris që duhet të ketë mbështetje, ndaj qeveria duhet të reagojë dhe të ndihmojë në zhvillimin e futbollit.

Ndaj katër kërkesat tona duhet të pranohen nga qeveria. Nëse nuk do të ketë reagim dhe nuk do kemi mbështetje, nuk mund të flitet më për futboll profesionist, pasi lojtarët do detyrohen të bëjnë dy-tre punë për të mbijetuar. Edhe ne nuk i kemi mundësitë për t’i paguar. Nëse nuk ka mbështetje, do të vazhdojmë të bojkotojmë kampionatin deri në momentin kur kërkesat tona të pranohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat