Skandali me Kombëtaren, kush po i gënjen shqiptarët...

Futboll

Skandali me Kombëtaren, kush po i gënjen shqiptarët...

Më: 12 shtator 2020 Në ora: 17:04
Skandali me Kombëtaren, kush po i gënjen shqiptarët...

Është tronditëse ajo që ka raportuar sot klubi danez i Vejles, se futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani, është me COVID dhe ka bërë karantinën në Shqipëri. Po, është tronditëse, sepse gjatë kohës që lojtari ishte i grumbulluar me kombëtaren, FSHF-ja u tha mbarë shqiptarëve se ai nuk ka COVID. Madje, për t’i bindur shqiptarët se nuk po gënjente, federata publikoi edhe përgjigjet e testit të Ylber Ramadanit dhe dy lojtarëve të tjerë se ata nuk ishin me Covid. Këtë gjest, në shkelje edhe të etikës, federata e bëri pasi mediat, përfshi edhe “Panorama Sport” raportuan se tre lojtarë kuqezinj (Ramadani, Ismajli dhe Memolla) dyshoheshin të infektuar me Covid para ndeshjes me Bjellorusinë më 4 shtator. Po, tani? Çfarë duhet të besojnë shqiptarët?

Duhet të besojnë zëdhënësin e Dukës që në njoftimet zyrtare e mohonte kategorikisht këtë lajm, ndonëse në tituj shkruante vetë se janë tre të infektuar, apo duhet të besojmë klubin danez që thotë se Ramadani është infektuar në Shqipëri dhe karantinën e ka bërë aty?

Diçka nuk shkon.

Dikush i ka gënjyer dhe po i gënjen shqiptarët aq trashë dhe aq rëndë saqë kjo ka marrë përmasat e një skandali të rëndë që kërkon edhe hetim të menjëhershëm. Duke i uruar më së pari shërim të shpejtë Ramadanit dhe ta kalojë sa më lehtë këtë virus, po përpiqemi të bëjmë një pasqyrim të gjithë situatës për të kuptuar se përse kemi të bëjmë me një skandal të rrezikshëm. Le t’i marrim gjërat me radhë…

– Një ditë para ndeshjes me Bjellorusinë qarkulloi lajmi se Ramadani, Ismajli dhe Memolla ishin infektuar me Covid. FSHF e mohoi kategorikisht lajmin, madje sulmoi mediat që e raportuan si dashakeqe dhe tendencioze. FSHF, për të bindur opinionin publik publikoi edhe përgjigjet e testeve të lojtarëve ku rezultonin se ishin negativ. Por ndërkohë tani klubi danez i Vejels, thotë se Ramadani është infektuar në Shqipëri dhe karantinën e ka bërë aty.

Tani pyetjet që lindin janë:

-Mos vallë ka gabuar laboratori që ka kryer testet? FSHF duhet urgjentisht që të kontaktojë me ta edhe të konfirmojë nëse ka pasur ndonjë gabim apo jo…

-Mos vallë ka gënjyer federata? Nuk do të ishte hera e parë, por kjo do t’i kalonte të gjitha limitet. E megjithatë, për të mos i vendosur faje që ende nuk janë vërtetuar, institucioni i futbollit ka për detyrë që të dalë e t’i shpjegojë opinionin publik në Shqipëri se si është e mundur që një lojtar del negativ këtu, ndërsa danezët thonë se prej ditësh është me Covid?

– Mos vallë po gënjen klubi danez? Nëse është kështu, federata ka gjithashtu detyrimin moral të kërkojë shpjegime. Natyrisht, ka qenë shumë e dyshimtë që Ramadani refuzoi të fliste rreth kësaj teme që kur u perhap lajmi, por tani edhe vetë futbollisti ka një detyrim moral t’i shpjegojë tifozëve se çfarë ndodh. Në rastin më “të mirë” dikush po i gënjen shqiptarët për atë që ndodh me kombëtaren e tyre, ndërsa në rastin më të keq, dikush ka falsifikuar edhe përgjigjet e testit të COVID.

Çmenduri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat