Juventus nuk fiton prej tre javësh në kampionatin italian, teksa pas dy barazimeve si mysafir, erdhi edhe një i tretë në “Allianz Stadium” ndaj Veronës, ku bardhezinjtë nuk shkuan përtej rezultatit 1-1 dhe kontestuan jo pak arbitrimin e ndeshjes.
Ka qenë pikërisht Drejtori Sportiv i torinezëve, Fabio Paratici, që ka rikthyer sërish në memorie sjelljet e ish administratorit të Juventusit, Luciano Moggi, pasi në pushim të ndeshjes ka shkuar në mënyrë të pa autorizuar në dhomën e arbitrave.
Paratici ka kërcënuar arbitrat e sfidës me Veronën dhe ka folur me një gjuhë ofenduese ndaj tyre, ndërsa zbulimi është bërë nga Gjykata Sportive në Itali, e cila ka gjobitur me 15 mijë euro drejtuesin e Juventusit.
Kjo është hera e dytë radhazi që Paratici pezullohet për shkak të sjelljeve të papërshtatshme ndaj arbitrave, pasi edhe një javë më parë në transfertën ndaj Crotones, zbriti në pankinë në 10 minutat e fundit, prej ku nuk i kurseu kritikat e presionin ndaj gjyqtarit të ndeshjes.
Skena të tilla të Paraticit sjellin në kujtesë Luciano Moggin, ish administrator i Juventusit, ndaj të cilit u provuan akuzat se kërcënonte vazhdimisht arbitrat në dhomat e zhveshjes dhe pikërisht për këtë arsye u përjashtua përjetë gjatë procesit të “Calciopolit”.