Ilijaz Sina, trajner i shquar në Gjeneratën e Republikës, që ishte halë në sy për Serbinë!

Futboll

Ilijaz Sina, trajner i shquar në Gjeneratën e Republikës, që ishte halë në sy për Serbinë!

Nga: Kemajl Goca Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 14:23
Ilijaz Sina, trajner i shquar në Gjeneratën e Republikës, që ishte halë në sy për Serbinë!

Muaj gusht i vitit 1991, jo vetëm që ishte muaj i vapës tropikale por edhe i tensioneve politike dhe sportive në Kosovë!  

Pushtuesi serb dëbon shqiptarët nga puna, nga Universiteti, nga stadiumet dhe palestrat sportive etj. kudo i vendosën masat e dhunshme! 

Sportistët shqiptarë të bashkuar si kurrë, të gjithë të një fjalës: Kurrë më të garojnë me klubet ish jugosllave dhe të Serbisë, formojnë Kampionatin e Republikës së Kosovës. 

Image

Shqiptarët garonin në livadhe, fusha dhe salla të improvizuara, edhe aty UDB-ja dhe milicia serbe turrej dhe i sulmonte sportistët tanë, disa i merrte në biseda informative, disa i rrihte e disa i burgoste!

Ilijaz Sina i takon Gjeneratës së Republikës. Ai ka qenë trajner i shquar në vitet e 90-ta, duke kontribuar për futbollin dhe shtetin e Kosovës në rrethana shumë të vështira, vazhdimisht  i kërcënuar nga bandat dhe milicia e pushtuesit serb.

Sina, një burrë i rrallë, i fjalës, personalitet që nuk e kishte shoqin, i qetë dhe pedagog i përkryer, ka qenë frymëzim për brezin e ri të viteve të 90-ta.

Prania e tij si trajner, i dha edhe më shumë motiv djelmoshave që të luftojnë jo vetëm për ngjyrat e klubit por edhe për të mbajtur gjallën futbollin e Kosovës dhe të sakrifikojnë gjithçka për shtet!

Sina punonte pa përtesë, barte përvojën e tij si futbollist i spikatur në vitet e 60-ta dhe nga ai futbollistët mësonin elemente të reja.

Të jesh trajner në vitet e 90-ta në kuadër të Republikës së Kosovës, ka qenë sikur të ishe një komandant ushtarak për forcat kriminale serbe dhe për atë edhe Sina ishte halë në sy! 

Sina nuk frikësohej në asnjë moment, as që lodhte kokën nga kërcënimet e milicisë serbe, por punonte me një brez të shkëlqyer të futbollistëve të viteve të 90-ta, jepte instruksione se si duhet luftuar në fushë por edhe për shtet të Kosovës.  

Sina me përkushtim punonte kudo, në rrethana dhe kushte të vështira, zbulonte dhe formonte talent të rinj, që gradualisht piqeshin dhe bëheshin pjesë e pazëvendësueshme në formacione të skuadrës seniore. 

Ai së bashku me mijëra sportistë shqiptarë, i rezistuan fuqishëm agresorit serb, duke i zhvilluar garat e Republikës së Kosovës, që nga fusha në Flamurtar të Prishtinës, në Llukar, Dumnicë, Sadovinë të Jerlive, Dushanovë, Novosellë, Zllakuçan, Varosh, Malishevë të Gjilanit, Hogosht, Kçiç të Madh,  2 Korrik të Prishtinës, Studençan, Barilevë etj. 

Sina është krenar për kontributin që dha për futbollin dhe shtetin e Kosovës dhe aq me tepër i bëhet zemra mal kur sheh të rinjtë dhe të reja tona duke lozur në stadiume dhe palestra sportive, e drejtë që iu mohua në vitet e 90-ta nga regjimi kriminal serb. 

Sina aq më shumë i gëzohet faktit, që sot djemtë dhe vashat tona garojnë me sukses në rrafshin ndërkombëtar në të gjitha disiplinat sportive.  

Personalitete si Sina janë të paktë në shtetin e Kosovës dhe të shkruash për historinë e tij sportive, janë pak edhe 100 mijë faqe! 

Një njeri me bagazh të bujshëm sportiv, të sakrificës dhe të një intelektualit, që gjithmonë puna e tij ka qenë si një plumb në lule të ballit për pushtuesin serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat