Vllaznia-Real Madrid, shkodranet takim me historinë

Futboll

Vllaznia-Real Madrid, shkodranet takim me historinë

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 11:30
Vllaznia-Real Madrid, shkodranet takim me historinë

Vllaznia e futbollit të femrave ka bërë realitet ëndrrën duke qenë skuadra e parë shqiptare që futet në grupet e Ligës së Kampioneve.

Vajzat kuqeblu sot kanë takimin e parë me historinë, teksa në orën 18:45 do të zhvillojnë ndeshjen e parë në Grupin A kundër Realit të Madridit, takim që do të luhet në “Loro Boriçi”.

Nikolin Leka, trajneri i Vllaznisë së femrave, që ka udhëhequr vajzat shkodrane në suksesin më të madh të futbollit të femrave në vendin tonë, ka dalë dje para mediave, në pragndeshje të sfidës ndaj spanjolleve.

Ndonëse përballë do të kenë një klub gjigant, Leka deklaron se ekipi nuk i trembet kundërshtarit, pavarësisht emrit të madh që ka. “Pa diskutim që jemi gati, kemi gjithë këtë kohë që punojmë për këtë sfidë.

E dimë që është një sfidë e rëndësishme, por në fund të fundit është një garë dhe në çdo garë do të mundohemi të marrim rezultat pozitiv.

Vllaznia është gati, vajzat janë të përgatitura nga të gjitha pikëpamjet, por edhe morali është i lartë. Vajzat e ekipit tonë kanë një karakter të jashtëzakonshëm dhe këtë do ta shprehin edhe në fushën e lojës.

Përveç dy lojtareve të fundit që janë afruar, pjesa tjetër është përshtatur me ekipin, se boshtin kryesor e kemi prej disa vitesh.

Ato që janë afruar në verë janë përshtatur me mënyrën si luajmë, por edhe të fundit po përshtaten drejt atij që është qëllimi ynë. Fakti që luajmë në Shkodër padyshim është një motiv shumë i madh.

Është ndeshja e parë në fushën tonë në fazë grupesh, luajmë përballë publikut tonë, e kemi thënë që është lojtari i 12-të yni dhe do të na mbështesë që të shkojmë drejt rezultateve pozitive.

E shohim që ka shumë njerëz që duan të vijnë në stadium dhe i falënderoj ata që duan të vijnë të na mbështesin. Reali është një emër i madh në futbollin evropian, por as Vllaznia nuk mbetet mbrapa.

Përderisa kemi ardhur në 16-she, nuk kemi ardhur rastësisht, është puna e shumë viteve. U kualifikuam tri herë në 32-she, e provuam dy herët e para dhe nuk ia arritëm, ia dolëm tek e treta dhe tashmë do ta provojmë nesër për herë të parë turneun”, deklaroi ndër të tjera trajneri kuqeblu.

Ndërkohë, për sa u përket objektivave, Leka tha: “Ne kërkojmë rezultat pozitiv, se cili do të jetë, do ta tregojë fusha. E kemi studiuar kundërshtarin, po e studiojmë prapë, videoanalisti po bën një punë të shkëlqyer dhe po shohim gjithçka në detaje”, u shpreh trajneri Leka.

ESMERALDA FRANJA – Kapitenia theksoi se Vllaznia mund të bëjë surprizën në grupet e Champions-it.

“Natyrisht emocionet janë të pranishme, por jemi edhe shumë të lumtura që jemi në këto nivele, sepse kemi fatin e mirë që luajmë përballë këtyre ekipeve me emër.

Kundërshtarët nuk e vlerësojnë Vllazninë? Po, mund ta quajmë si diçka pozitive, sepse ne mund të bëjmë edhe surprizën, duke marrë rezultate pozitive. Nëse kundërshtaret na nënvlerësojnë, mendoj se do të marrim edhe rezultate pozitive.

Ne e vlerësojmë Realin, por frikë nuk kemi asnjëherë nga asnjë kundërshtar”, tha ndër të tjera kapitenia Franja.

MEGI DOÇI – Ndërkohë, bomberja kuqeblu u bëri apel tifozëve për mbështetje: “Është një moment historik për ekipin tonë dhe për futbollin e femrave në Shqipëri.

Një arritje e madhe, të cilën e kemi shkruar me germa të artë. Por nuk do të ndalemi këtu, pasi do të japim maksimumin për të dhënë më të mirën.

Kjo ndeshje është një motiv më i madh për mua dhe për të gjitha shoqet e skuadrës për të dhënë 100% në fushë. Shpresojmë që tifozët të na mbështesin dhe të jenë sa më të shumtë në numër për këtë takim, pasi kanë pasur një rol të rëndësishëm në arritjet tona”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat