​Kuqezinjtë të suksesshëm nëpër Evropë, gati për dy sfidat e radhës me kombëtaren

Futboll

​Kuqezinjtë të suksesshëm nëpër Evropë, gati për dy sfidat e radhës me kombëtaren

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Pak ditë përpara grumbullimit zyrtar të ekipit kombëtar të Shqipërisë, në kuadër të dy ndeshjeve kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për eliminatoret e Evropianit ‘Gjermani 2024’, futbollistët kuqezi kanë pasur një fundjavë të mirë me skuadrat e tyre në kampionatet evropiane.

Edhe pse një pjesë e mirë e legjionarëve e kanë mbyllur sezonin, kjo fundjavë pa në fushë disa prej lojtarëve kuqezi, të cilët luajtën ndeshjet e fundit të këtij edicioni futbollistik. Sulmuesi kuqezi Taulant Seferi e mbylli më së miri sezonin në kampionatin ukrainas. Seferit iu besua një penallti, me futbollistin shqiptar që e shndërroi në gol kundër portierit Piatov. Për Taulantin, ky ishte goli i 13 sezonal në 28 ndeshje të luajtura dhe i jep skuadrës së tij kualifikimin për në Ligën e Konferencës.

Sakaq, edhe Keidi Bare e Jasir Asani kanë bërë ndeshje shumë të mira në kampionatet përkatëse. Edhe pse Espanjoli ra zyrtarisht nga La Liga, Keidi Bare dhuroi asistin e golit të dytë në radhët e ekipit spanjoll. Sakaq, edhe sulmuesi kuqezi, Jasir Asani, pas golit të shënuar në javën e kaluar, këtë javë asistoi në golin e tretë në fitoren e Gëangju FC.

Mario Mitaj ishte një nga lojtarët më të mirë në radhët e ekipit të Lokomotivës së Moskës. Mbrojtësi kuqezi luajti 90 minuta të plota, ndërsa u vlerësua nga ‘Sofascore’ me notën 7.1. Edhe futbollistët shqiptarë që luajnë në Serinë A, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj e Nedim Bajrami patën minutat e tyre në këtë javë të fundit të kampionatit italian në radhët e skuadrave respektive.

Në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, Shqipëria përballet me Moldavinë më 17 qershor dhe pastaj me Faroe Island tri ditë më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat