Kombëtarja shqiptare përmbyll ndeshjet në pjesëmarrjen e parë historike

Futboll

Kombëtarja shqiptare përmbyll ndeshjet në pjesëmarrjen e parë historike

Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 12:02
Kombëtarja shqiptare

Kombëtarja shqiptare e të amputuarve ka përmbyllur me sukses turneun ndërkombëtar të Ligës së Kombeve, që u organizua nga Federata Europiane për të Amputuar në bashkëpunim me UEFA-n në Skoci.

Për kombëtaren shqiptare të amputuarve ishte një pjesëmarrje historike, pasi morën pjesë për herë të parë në një turne madhor, që prej krijimit të tyre pak vite më parë nën kujdesin dhe mbështetjen e FSHF-së.

Kombëtarja speciale e të amputuarve, garoi në Divizionin D të Ligës së Kombeve të Futbollit për Amputuar së bashku me Kosovën, Azerbajxhanin, Holandën dhe Skocinë.

Shqipëria u mund nga Skocia, Holanda dhe Azerbajxhani, skuadra me shumë përvojë në futbollin e të amputuarve dhe barazoi 1-1 ndaj Kosovës në ndeshje emocionuese.

Përveç faktit që për kombëtaren e të amputuarve ishte një pjesëmarrje historike, ky turne shërbeu për të fituar eksperiencë, me synimin për t’u përballur denjësisht në të ardhmen, në turnet e organizuar nga Federata Europiane për të Amputuarit dhe UEFA.

Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë mbështetjen maksimale kombëtares më speciale dhe i ka krijuar të gjitha kushtet në çdo aspekt për t’u përgatitur sa më mirë në ndeshjet miqësore dhe në turnet ndërkombëtarë, pasi qeveria shqiptare e futbollit ka në fokus rëndësinë e përgjegjësisë sociale, për të ndikuar pozitivisht në shoqëri nëpërmjet lojës së futbollit dhe shembulli më i mirë është padyshim krijimi i Super-Kombëtares kuqezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat