Kukësi bllokon lojtarët me kontratë

Futboll

Kukësi bllokon lojtarët me kontratë

Më: 24 maj 2024 Në ora: 14:35
Sebastian La Torre

Kukësi huazoi në janar te Flamurtari sulmuesin peruan, Sebastian La Torre.

Me përfundimin e këtij edicioni, 25-vjeçari  kthehet sërish në pronësi të skuadrës verilindore, e cila në sezonin 2024-2025 do të militojë në Kategorinë e Parë.

Lojtari është ende nën kontratë me verilindorët dhe sipas të gjitha gjasave do të vijojë të qëndrojë në Shqipëri, për më tepër që tregoi se s’e ka problem që të militojë edhe në Kategorinë e Parë.

Duke qenë se në Kukës duan që të rikthehen menjëherë në Superiore, aty nga ku ranë pas 12 vitesh të mbushur me suksese, do të bëjnë çmos që të mbajnë të lidhur futbollistët që i kanë ende nën kontratë. Njëri prej tyre është pikërisht peruani, ndonëse mbetet për t’u parë në vazhdim se çfarë do të ndodhë.

Në 12 ndeshje me Kukësin në Superiore, ai shënoi katër gola, ndërsa me vlonjatët vetëm një, atë në fitoren minimale ndaj Luzi 2008 në shifrat 1-0.

SHITJET – Nëse për Kukësin është e vështirë të mbajë në skuadër lojtarë që u mbaron kontrata, sepse shumë prej tyre nuk duan të luajnë në një nivel të ulët, ata nën kontratë klubi nuk ka ndërmend t’i lërë të lirë. Të paktën, për momentin klubi u ka bërë “bllokadë” dhe i ka informuar se do të zbatojnë kontratën deri në fund. Nëse më pas nuk do t’i mbajnë dot, blutë shpresojnë që së paku t’i shesin dhe të derdhin ca të ardhura në arkën e tyre. Këto para më pas t’i përdorin për ngjitjen në Superiore, duke përforcuar skuadrën. Tre janë lojtarët që për momentin Kukësi ka shpresa të mëdha, siç janë ato të Mustafa Salamit, Françesko Hasajt si edhe Atdhe Rashitit.

Dy të parët kanë spikatur përgjatë këtij sezoni, ndërsa Rashiti ka vuajtur dëmtimet e shumta, por është një lojtar ndaj të cilit nuk kanë munguar ofertat, teksa vitin e kaluar u huazua edhe te Gjilani për në Kupat e Europës.

Gjithsesi, tentativa e parë e klubit do të jetë t’i mbajë me çdo kusht në skuadër edhe për këtë sezon, pasi e shohin të rëndësishëm ruajtjen e një pjesë të boshtit të lojtarëve për të ndërtuar skuadrën që do të tentojë ngjitjen.

Megjithatë, për momentin bëhet fjalë për një periudhë në të cilën bisedimet do të jenë intensive dhe për vendimet duhen pritur ende, pasi kampionati sapo është mbyllur dhe i ardhshmi do ende kohë të fillojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat