Entonio Pashaj transferohet te Kukësi

Futboll

Entonio Pashaj transferohet te Kukësi

Më: 2 gusht 2016 Në ora: 22:44
Entonio Pashaj

Përpara nisjes së fazës përgatitore në Ohër, Kukësi është pranë kompletimit të mbrojtjes. Vetëm pak orë pas konfirmimit për largimin e Renato Malotës dhe dilemave për të ardhmen e Gledi Micit, që duket larg veri-lindorëve, klubi njoftoi afrimin e Entonio Pashajt.

Mbrojtësi që mund të aktivizohet në qendër, por edhe në krahun e djathtë arriti akordin me Kukësin. Zyrtarizimi u bë në faqen e klubit, ku pasi firmosi kontratën që e lidh me klubin, mbrojtësi pozoi edhe me fanellën e skuadrës së re.

Gjatë sezonit të kaluar 31-vjeçari mbrojti ngjyrat e Flamurtarit, ndërsa në karrierë ka luajtur edhe me Tiranën, Teutën dhe Kastriotin. Entonio Pashaj bëhet blerja e 10-të e Kukësit në merkaton e verës, ku mes përforcimeve të tjera trajneri Ernest Gjoka do të ketë në dispozicion edhe emra si Pero Pejiç, Polizoi Arbri apo Albi Alla e Bedri Greca.

Tashmë veri-lindorët janë në kërkim edhe të një mbrojtësi të majtë, për ta cilësuar të kompletuar repartin difensiv. Gjithçka do të varet nga e ardhmja e Gledi Micit, për të cilin klubi pretendon se është nën kontratë, ndërsa lojtari vijon pushimet i qetë dhe ndërkohë po studion alternativat, ku pista më e mundshme është ajo e transferimit te Partizani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat