Barcelona fiton derbin e Katalunisë ndaj Espanyolit

Futboll

Barcelona fiton derbin e Katalunisë ndaj Espanyolit

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 22:44
Barcelona

Barcelona ka fituar në shtëpi ndaj Espanyolit me rezultat të thellë 4-1.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique ka shënuar një fitore të rëndësishme përball Espanyolit, fitorja kjo që i ngritë në pozitën e dytë të renditjes.

Blaugranët u futën furishëm qysh në fillim të ndeshjes, ku rrezikuan me anë të Lionel Messit vetëm pas shtatë minutave lojë, por ky rast nuk u konkretizua.

Megjithatë, nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i parë i ndeshjes, i cili u shënua në minutën e 18-të nga Luis Suarez, që mposhti me lehtësi portierin kundërshtar pas një pasimi mjeshtëror të Andres Inestas.

Image

Barcelona pati mundësi të shkoj në pushim me epërsi të dyfishtë, por Messi nuk ishte i saktë në minutën e 42-të dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultat 1-0.

Edhe pjesa e dytë e takimit foli në të mirë të vendasve që arritën t’i shënojnë edhe dy gola të tjerë me Suarezin dhe Jordi Alban.

Luhej minuta e 67-të e takimit kur Messi dribloi mirë katër futbollistë kundërshtar, por goditja e tij u devijua nga portieri i Espanyolit, ku topin e kthyer e konvertoi në gol Suarez për 2-0.

Pa kaluar mirë dy minuta tjerë, ishte Jordi Alba, i cili thelloj epërsinë për 3-0, ku përsëri protagonisti kryesor ishte sulmuesi argjentinas me driblimet e tij.

Në vazhdim të ndeshjet u shënuan edhe dy gola të tjerë, njëri nga Espanyol që ngushtuan epërsinë në 3-1 në minutën e 79-të me anë të golit të bukur të David Lopez, teksa rezultatin përfundimtar 4-1 e vendosi Messi në minutën e fundit të takimit pas një super-aksioni të ndërtuar me Suarezin.

Pas kësaj fitore, Barcelona renditet e dyta me 34 pikë apo tre me pak se lideri Real Madridi dhe ndeshjen e ardhshme luan në udhëtim ndaj Villarrealit, teksa Espanyol renditet e nënta me 22 pikë dhe e pret në shtëpi Deportivo La Corunan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat