Barcelona e trimëruar pas fitores me Realin, kërcënon Osasunën

Futboll

Barcelona e trimëruar pas fitores me Realin, kërcënon Osasunën

Më: 25 prill 2017 Në ora: 19:34
Luis Enrique

Barcelona është e trimëruar pas fitores me rezultat 3:2 ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu, kurse sonte (19.30) e presin me qetësi e të favorizuar Osasunën e fundosur. Pas 33 jave Barcelona kryeson me 75 pikë, me një ndeshje më shumë se Real Madridi që renditet i dyti, kurse Osasuna është e fundit me vetëm 18 sosh në kampionatin spanjoll. Kampioni në fuqi beson në tri pikë të lehta në Camp Nou dhe të vazhdojnë kryesimin.  Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, ka folur për disa çështje. “Ndeshja me Osasunën ka specifikën dhe vështirësinë e vet, duke pasur parasysh pozicionin e kundërshtarit në fund të klasifikimit, pikët për të janë jetike. Është e rëndësishme për të luajtur në maksimumin tonë, sepse në këtë pjesë të kampionatit ka rëndësi vetëm fitorja. Festimi i Messit në ‘El Classico’? I saktë, më i miri i mundshëm, por për më tepër detaje mund t’ju shpjegojë Leo. Unë me të vërtetë u ndjeva mjaft mirë nga rrethanat.

Unë munda ta trajnoj atë në tri vitet e tij më të mira dhe kjo është e rëndësishme. Sa i përket rinovimit nuk kam asnjë informacion, por do të doja ta përfundonte karrierën e tij në këtë klub. Mendoj se gjithçka varet nga ai”, tha Enrique. Ai flet edhe për kalendarin e garave deri në fund të edicionit, por nuk e konsideron si të favorizuar. “Kalendari i mbetur i sezonit? Nuk ndihemi favoritë në këtë drejtim. Rivali për titull, Real Madridi, ka edhe një lojë në dorë. Duhet të marrim pikët tona maksimale, pastaj të shohim si do të rrjedhin gjërat. Bëj thirrje për kujdes, sepse nuk na lejohet më asnjë hap fals.

Unë nuk jam magjistar, që të di nëse Reali do t’i fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, por do të bëj çmos që kjo të ndodhë me Barcelonën, që drejtoj. A do të ketë rotacione? Do të nxjerr një skuadër konkurruese për të fituar tri pikët. Se kush do të luajë, le të shohim”; ka thënë Enrique. Ndërkaq, Real Madridi do të kërkojë pikë të plota në konak të la Coruna-s. Madrilenët çdo pikë që e humbin, do të rrezikojnë edhe hapin për titullin e kampionit. Andaj, trajneri Zinedine Zidane kërkon të jenë të kujdesshëm dhe do vetëm tri pikë në këtë sfidë që luhet sonte në orën 21.30.

Liga e Spanjës

E mërkurë

Barcelona-Osasuna 19.30

Leganes-Las Palmas      20.30

Valencia-Sociedad  20.30

La Coruna-Real Madrid   21.30

 

E enjte

Alaves-Eibar    19.30

Sevilla-Celta Vigo    20.30

Ath Bilbao-Betis       21.30

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat