Batatina: Rivalët e kanë kuptuar se ne jemi skuadra më e mirë

Futboll

Batatina: Rivalët e kanë kuptuar se ne jemi skuadra më e mirë

Nga: Kemajl Goca Më: 10 nëntor 2017 Në ora: 10:02
Tahir Batatina

Tahir Batatina zotohet se me Llapin e Podujevës do të dimërojnë në vend të parë dhe nuk ka kush që mund t’i luhat nga kreu i tabelës. Kryetrajneri llapjan ka besim në lojtarët e tij dhe ndeshje pas ndeshje japin maksimumin, si fryt i kësaj janë edhe në krye të renditjes me 26 pikë, një më shumë se Prishtina dhe tri se Gjilani që mban pozitën e tretë në Superligën e Kosovës.

Lideri stërvitet me intensitet të shtuar dhe për sfidën e radhës e cila do të jetë kryendeshje e javës së 15-të, kundër Feronikelit nga Drenasi.  Si e sheh Llapin në vazhdim të kampionatit, të paluhatshëm nga kreu? “Jo, nuk dyshojë fare në skuadër dhe në potencialin e ekipit që kam, do të jemi në krye të tabelës dhe do të jemi kampion vjeshtor, sepse kam besim në këta djem dhe në punën që jemi duke e bërë si staf i skuadrës. Edhe rivalët e kanë kuptuar shumë seriozisht se ne jemi skuadra që e kemi lojën më të mirë në Superligë”, thotë Batatina për gazetën kombëtare “Bota sot”. 

Batatina numëron se cilat nga skuadrat mund të luftojnë për titullin e kampionit. “Forca e Llapit është te grupi i mirë i lojtarëve dhe harmonia shumë e mirë, si dhe komponimi i ekipit e ka arritur nivelin e duhur. Në luftë për titull janë: Prishtina, Feronikeli, Trepça ’89, Drita dhe Gjilani”, thotë Batatina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat