Portali italian “Dagospia” ka zbuluar një prapaskenë të bujshme që ka lidhje me Juventus. Sipas faqes së internetit që drejtohet nga Roberto D’Agostino, gazetar dhe personazh televiziv italian, në dhomat e zhveshjes të skuadrës bardhezi duket se është zhvilluar një sherr që ka ndarë skuadrën në dy fraksione: nga njëra anë kanë qenë “të vjetrit”, ata me më shumë eksperiencë te klubi torinez, nga tjetra, grupi i lojtarëve të huaj.
Një sherr ky gjatë të cilit nuk kanë munguar fyerjet e rënda mes dy palëve dhe që mund të ndryshojë planet e Juventus në merkaton. Sipas “Dagospia”, tre futbollistë jo italianë kanë kërkuar të shiten në merkaton e janarit.