Benevento-Juventus, gjithçka vendoset në 30 min e para

Futboll

Benevento-Juventus, gjithçka vendoset në 30 min e para

Më: 7 prill 2018 Në ora: 07:40
Benevento-Juventus

Juventus do të kthehet në fushë për javën e 31-të të kampionatit italian pas humbjes zhgënjyese 3-0 të pësuar në çerekfinalen e parë të Champions League të luajtur në mesjavë kundër Real Madrid. Bardhezinjtë kryesojnë kampionatin me një avantazh prej katër pikësh ndaj Napoli-t të vendit të dytë dhe këtë të shtunë do të kërkojë ta çojë në shtatë pikë këtë avantazh, duke parë se Napoli do të luajë nesër në shtëpi kundër Chievo-s.

Trajneri Allegri është në rrugën e duhur për të fituar për vitin e katërt radhazi titullin në Serinë A dhe Kupën e Italisë. Por dy humbjet e pësuara në dy finalet e Champions League dhe humbje e pësuar kundër madrilenëve në mesjavë mund të shtyjnë klubin që të bëjë disa ndryshime në fundin e këtij sezoni, me Allegrin që flitet se mund të transferohet në Premier League, në drejtim të Chelsea-it.

Duke u kthyer te ndeshja e të shtunës, Juventus do të vijë në këtë sfidë me mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Ciellini me shokë kanë pësuar gol në tri ndeshjet e luajtura në fazën me eliminim direkt të Champions League, por nuk kanë pësuar asnjë në 10 nga 11 ndeshjet e fundit të kampionatit. Duke parë se do të përballen me skuadrën më të keqe të kampionatit italian, ka pak mundësi që bardhezinjtë të vihen në vështirësi dhe të vënë në dyshim fitoren.

Shifra dhe Fakte
– Benevento ka fituar katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi.
– Juventus nuk ka pësuar asnjë humbje në 28 ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura kundër ekipeve që sapo janë ngjitur në Serinë A, duke mos pësuar gol në 18 nga këto sfida.

– Benevento është skuadra me më shumë gola të pësuar në këtë kampionat (69), ndërsa Juventus ka mbrojtjen më të mirë (16 gola të pësuar.)
– Juventus ka shënuar pjesën më të madhe të golave në 30 minutat e para të ndeshjeve (29) në këtë sezon të Serisë A, ndërsa Benevento ka pësuar më shumë në këto minuta (30).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat