Europa e Partizanit kalon nga dy sfidat e radhës

Futboll

Europa e Partizanit kalon nga dy sfidat e radhës

Më: 4 maj 2018 Në ora: 15:42
Dalipi

Partizani do ta luajë ndeshjen e javës së 32-të të Superiores në shtëpi, ndaj “djemve të detit”. Të kuqtë vijnë pas atij barazimi turpërues në “Roza Haxhiu”, ndaj lagunarëve të rënë tashmë nga kategoria. Javët e kampionatit po kalojnë dhe mundësitë për të rikuperuar minimozhen, ashtu sikurse shanset e “demave” për të siguruar një vend në Kupat e Europës. Pra, çdolloj hapi fals në ndeshjet e mbetura, do të thotë ndryshe hedhje në erë e një sezoni të tërë.

Klevis Dalipi, i kryqëzuar pas humbjeve të fundit radhazi, ka dalë sot në një konferencë për shtyp dhe ka analizuar situatën: “Që në momentin që u konfirmova si trajner, pashë një skuadër të uritur për të fituar. Morëm katër fitore dhe një barazim dhe, pas ndeshjes me Laçin, e përgatitëm skuadrën psikologjikisht se nuk kishte përfunduar asgjë. Në analizën time, në këto rezultate ka ndikuar fakti që është shkruar në gazeta, se do të afrohet trajner i ri.

Po ashtu, ka ndikuar edhe euforia, pasi jetojmë në Shqipëri dhe, kur merr rezultate të mira, kjo gjë ekziston. E rimorëm veten duke zhvilluar një pjesë të parë të mirë me Skënderbeun, ndërsa në të dytën pësuam një gol të pamerituar. Kjo na dëmtoi moralisht. Javën e kaluar kishim një transfertë të lehtë në letër, me Lushnjën. Në ndeshje të tilla finalizimi në fillim është i rëndësishëm, por ne nuk shënuam dot. Si pasojë e kalimit të minutave, lojtarët e mi u futën në presion.

Ua kisha tërhequr vëmendjen për këtë. Më vonë, në vend që të shënonim, morëm goditje tjetër, duke pësuar gol. Kishte raste të diskutueshme me arbitrimin, ku një penallti në favorin tonë ishte e qartë fare. Sidoqoftë, nuk dua të merrem me këtë pjesë së gjërave. Bëmë ndërrime dhe lojtarët që u futën ishin në ritëm të mirë, por në fund morëm vetëm një pikë. Lojtarët duhet të jenë më altruistë, të mos veprojnë e luajnë individualisht, por të japin maksimumin si grup.

Ata që e teprojnë në këtë drejtim e kanë pranuar që duhet të pasojnë, që të fitojë skuadra. Këtë javë jemi stërvitur mirë. Por, që të futet fryma e grupit, lojtarët duhet të bashkëpunojnë. Duhet të pasohet, që të fitojë skuadra. Synojmë përqendrim maksimal, sepse na pret një ndeshje e vështirë me Teutën. Ndryshimet në formacion? Kanë qenë të detyruara, kemi bërë lëvizje për arsye teknike. Me Skënderbeun luajta me Trashin si mbrojtës i majtë, i cili sulmon mirë. Edhe Kotobelli është stërvitur mirë, por zgjedhjet janë të tilla.

Lojtarët duhet ta kuptojnë se zgjedhjet janë për të mirën e skuadrës, vetëm 11 luajnë. Motivimi? Lënia e dy pikëve në Lushnjë na ka goditur. Ndeshja me Teutën përcakton shumë edhe transfertën e mëpastajme me Luftëtarin, ku do të luhen të gjitha kartat. Parashikoj një duel të vështirë, sepse Teuta i ka jetike pikët për mbijetesë. Ne kemi objektivat tanë për Kupat e Europës dhe duhet të japim më të mirën.

Formacioni? Edgar Çani nuk do të jetë në ndeshjen me Teutën, për shkak se kështu vendosën mjekët. Fejzullahu është në përmirësim, por mendoj se nuk është akoma në gjendjen, që e njoh. Ndeshjet janë të vështira dhe nuk dua ta vë në vështirësi, pasi nuk ka gjendjen më të mirë fizike. Ndeshje pa tifozë? Është një mungesë e madhe, sepse ata janë forca jonë. Duhet të bëjmë të pamundurën, që t’i kthejmë ata më të fortë. Klubi do të bëjë të pamundurën që në ndeshjen me Vllazninë, tifozët të jenë në stadium”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat