Livoreka: Do të luftojmë deri në fund kundër Dudelange-s

Futboll

Livoreka: Do të luftojmë deri në fund kundër Dudelange-s

Nga: Kemajl Goca Më: 25 korrik 2018 Në ora: 15:32
Livoreka

Dudelange nga Luksemburgu nuk është ekip e panjohur për Dritën nga Gjilani! Drita pretendon rezultat pozitiv (nesër, 18.30) në konak të Dudelange-s, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të eliminatorëve të Europa League në futboll. Kampioni i Luksemburgut ka përparësinë e fushës, ndërsa kampioni i Kosovës shpreson se me një lojë të fortë në mbrojtje dhe me kundërsulme të arrijnë rezultat të favorshëm, që të janë më të qetë për sfidën e kthimit e cila luhet me 2 gusht në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Drita është eliminuar nga Champions League, pasi që të dyja ndeshjet i humbi, të parën me 3:0 (në Mitrovicë) dhe të dytën me 2:0 (në Malmo) nga Malmo.

Ndërkaq, Dudelange në Champions u eliminua nga skuadra hungarez MOL Vidi me rezultat të përgjithshëm 3:2 (ndeshja e parë 1:1 në Dudelange dhe e dyta, 2:1 për MOL Vidi në Hungari).  Megjithatë Drita që ka trajner Bekim Isufin synon mrekullinë, të futen në rrethin e tretë të Europa League. Sulmuesi i Dritës, Përparim Livoreka, shprehet optimist dhe sipas tij, janë përgatitur maksimalisht për këtë sfidë. “Jemi përgatitur gjatë gjithë kësaj kohe për këtë ndeshje. Është një kundërshtarë i vështirë dhe shumë i fortë, mirëpo pres të japim më të mirën, që nga kjo sfidë të kthehemi me rezultat pozitiv dhe të vazhdojmë këtë rrugë ende në garat evropiane”, tha Livoreka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sa keni njohuri për Dudelangen, a mendoni se Drita ka mundësi të sigurojë kualifikimin? “Mendoj me angazhim dhe përkushtim maksimal mund t’ia dalim edhe pse siç thash është kundërshtar i fortë, duhet respektuar por ne këtu nuk kemi ardhur në ekskursion por kemi ardh ta përfaqësojmë klubin në mënyrën më të mirë po ashtu shtetin tonë, ku dihet tani vetëm FC Drita po vazhdon këto gara dhe të përfaqësohemi sa më mirë dhe të dalim mirë nga kjo ndeshje, po ashtu edhe nga ajo e kthimit me 2  gusht në Kosovë”, përgjigjet sulmuesi.

Livoreka tha se do të angazhohen deri në pikën e fundit: “Do të mundohemi mjaft shumë që të bëjmë hapa edhe më të mëdha në këtë drejtim dhe të vazhdojmë historinë. Ne nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund dhe besoj se do të na shpërblehet, nuk do të dorëzohemi asnjëherë edhe pse kemi përpara kundërshtar të fortë”.
A jeni komplet dhe një barazim eventual do të jetë një qetësi për takimin e kthimit në stadiumin “Adem Jashari”? Jemi komplet dhe rezultati pozitiv nga ky takim, në ndeshjen e kthimit besoj që do të jemi edhe më të relaksuar dhe më këmbëngulës, nuk do të dorëzohemi deri në fund”, ka thënë Livoreka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat