Të gjithë në pritje të Superkupës së Kosovës në futboll, ku ndeshen kampioni Drita nga Gjilani dhe fituesi i Kupës, Prishtina. Sonte në orën 20.00 do të jetë një shfaqje madhështore, në radhë të parë bëhet përurimi i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pastaj fillon ndeshja mes Dritës e Prishtinës.
Janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë finale drithëruese dhe pritet numër i madh i tifozëve qoftë ‘Intelektualët’ e Dritës qoftë ‘Plisat’ e Prishtinës. Futbollisti i Dritës, Viktor Kuka, shprehet optimist para kësaj sfide.
“Mendoj që jemi përgatitur mjaft mirë dhe shpresojmë të paraqitemi sa më mirë që të fitojmë këtë trofe që nuk e ka fituar Drita asnjëherë. Të gjithë jemi për këtë ndeshje, por në dyshim jam unë për shkak të kartonëve, megjithatë ende nuk e kanë konfirmuar. Përparësi nuk kemi por mendoj që Prishtina ka përparësi, pasi që luan në stadiumin e vet dhe para tifozëve”, tha Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.