Radas: Skënderbeu ka grupin, Krasniqi do t’i tregojë vlerat

Futboll

Radas: Skënderbeu ka grupin, Krasniqi do t’i tregojë vlerat

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 14:30
Radas: Skënderbeu ka grupin, Krasniqi do t’i tregojë vlerat

Flet shqip, siç i takon një kapiteni të Skënderbeut, Marko Radas. Pas 7 vitesh në Korçë këtë sezon ka marrë përgjegjësinë e shiritit dhe të një lideri, siç u pa dhe në ndeshjen me Partizanin, një fitore e rëndësishme, por aspak e thjeshtë, sipas kroatit.

“Më vjen mirë që e nisëm me një fitore, edhe pse nuk mund ta konsideroj të thjeshtë. Është shumë e rëndësishme, pasi fituam ndaj një rivali direkt.”

Para është sfida e radhës me Kastriotin. Respekt maksimal për kundërshtarin e ngjitur këtë sezon në Superiore, natyrisht me objektivin për një tjetër trepikësh.

“Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, duhet ta respektojmë maksimalisht kundërshtarin. Ne respektojmë këdo kemi përpara, natyrisht duke kërkuar gjithmonë fitoren në fushë.”

Një Skënderbe i riformatuar e ka nisur sërish me sukses, pavarësisht largimeve të lojtarëve të rëndësishëm. Çelësi i këtij suksesi është i thjeshtë për t’u treguar për kapitenin.

“Sekreti është forca e grupit, kjo është pika e fortë e Skënderbeut, të luajmë të gjithë si një skuadër. Kemi një organikë, cilësore pavarësisht largimeve.”

Në Javën e parë të Superiores munguan golat e qendërsulmuesve, është shumë herët për të thënë se nuk ka më një Pejic, Salihi apo Ekuban, madje, sipas Radas, Skënderbeu nuk ka nevojë për tjetër sulmues në merkato, besim për Krasniqin.

“Ndoshta skuadrat tregohen më të kujdesshme për të mos pësuar. Mund të thuhet se dikur ishin Pejic, Ekuban apo Salihi e Sowe, por është vetëm fillimi dhe qendërsulmuesit mund të spikatin. Nuk besoj se ne kemi nevojë për sulmues në merkato. Krasniqi është një qendërsulmues shumë i mirë, të gjithë besojmë tek ai. Ndoshta në ndeshjen e parë i mungoi pak besimi, por kur ta gjejë do të tregojë vlerat e tij.”

Ndaj Partizanit u pa një Radas që nuk i reflekton 34 vitet që mban mbi shpinë, edhe këtu sekreti është i thjeshtë për t’u shpjeguar.

“Eksperienca që kam fituar këto 7 vjet te Skënderbeu, pastaj më ndihmojmë shumë edhe shokët e skuadrës. Bëhet gjithçka më e lehtë kur luan përkrah një lojtari si Vangjeli, që gjithashtu ka shumë eksperiencë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat