Europa League, konflikti azero-armen frenon Mkhitaryan

Futboll

Europa League, konflikti azero-armen frenon Mkhitaryan

Më: 1 tetor 2018 Në ora: 19:02
Henrikh Mkhitaryan

Futbolli është një sport që duhet të bashkojë, por në rastet e ndeshjeve ndërkombëtare mbizotërojnë shpesh tensione ndëretnike dhe incidente, që rikthejnë hijet e errëta të së kaluarës.

Në vigjiljen e ndeshjes për Europa League, Arsenal po shqetësohet se do të vuajë mungesën e mesfushorit Henrikh Mkhitaryan për sfidën që do të luajë në Baku, e kjo jo për arsye sportive.

Futbollisti armen mund të sakrifikohet për shkak të tensioneve mes vendit të tij dhe Azerbajxhanit, një konflikt që ka prodhuar luftë në të kaluarën dhe mbetet objekt i polemikave mes dy shteteve.

Armiqësia mes dy vendeve mbi rajonin e “Nagorno Karabakut” mbetet e lartë. Për këtë arsye, Henrikh Mkhitaryan nuk udhëtoi në Azerbajxhan në vitin 2015, kur asokohe luante me Borussian e Dortmundit, e me gjasë do të bëjë të njëjtën gjë edhe për sfidën e Arsenalit.

“Siguria e futbollistëve tanë vjen para të gjithave dhe ne do të marrim një vendim për këtë, pasi të flasim me Mkhitaryan”, lexohet në një njoftim për shtyp të ekipit londinez. Skuadra londineze luan në stadiumin “Olimpik” në Baku, të enjten për Europa League.

Por, shumëkush pyet nëse Arsenali do ta sakrifikojë armenin Mkhitaryan nëse arrin në finalen e turneut, që si për ironi të fatit luhet në të njëjtin stadium.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat