Kombëtarja e Kosovës U21 e ka mbyllur me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2019, pasi sonte në stadiumin “Ramat Gan” në Tel-Aviv është mposhtur nga Izraeli, me rezultat 3:0. Ashtu sikurse në ndeshjen e parë në stadiumin “Adem Jashari”, edhe në ndeshjen e djeshme, izraelitët shfrytëzuan rastet dhe në fund fituan me rezultat bindës. Selektori i Kosovës, Rafet Prekazi, tha: “Në pjesën e parë kemi luajtur dobët, sidomos na ka munguar loja kolektive dhe kjo na kushtoi me pësimin e dy golave.
Në pjesën e dytë bëmë disa ndryshime dhe dolëm në lojën tonë, ashtu siç kemi luajtur në ndeshjet e tjera si kolektiv. Megjithatë, ne edhe pse krijuam disa raste nuk arritëm t’i shfrytëzojmë, derisa izraelitët ashtu sikurse në Mitrovicë i konkretizuan rastet që iu ofruan. Gjithsesi lojtarët duhet ta kenë parasysh se lojën individuale nuk e lejoj në kombëtare.
Tash do të kemi edhe ndryshimin e gjeneratës dhe disa prej lojtarëve që e bartën barrën kryesore në këtë cikël kualifikues nuk do të jenë më me ne. Sidoqoftë, mendoj se në përgjithësi në këtë cikël kualifikues kemi lënë përshtypje të mirë”.