Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, u largua i pakënaqur nga tribuna e “Santiago Bernabeu” pas ndeshjes së Champions League të fituar nga madrilenët kundër Viktoria Plzen.
Ai kishte vetëm një gjë në mendje: shkarkimin e Julen Lopetegui. Pavarësisht fitores, “Los Blancos” kanë bërë një paraqitje tjetër zhgënjyese dhe Perez kishte parë mjaftueshëm. Kishte ardhur momenti që të ish-trajneri i Spanjës të largohej.
Megjithatë, sipas “El Confidencial”, drejtori i përgjithshëm i Real Madrid, Jose Angel Sanchez dhe disa drejtues të tjerë të klubit janë takuar me Perez dhe kanë arritur ta qetësojnë atë.
Ata i thanë presidentit se nuk do të ishte një ide e mirë të shkarkohej Lopetegui në këtë moment. Sannchez është një person që Florentino e respekton shumë dhe ai i tha presidentit të priste deri pas përfundimit të sfidës me Barcelona-n para se të merrte një vendim.
Mes të tjerash, Sanchez ka bërë Perez të kuptojë se do të ishte e vështirë të gjendej një zëvendësues për Lopetegui. Ka qenë në këtë pikë, sipas asaj që shkruan “Sport”, që Perez i ka dhënë te drejtë drejtuesit dhe ka vendosur ta shtyjë shkarkimin e trajnerit.