Pushtim skocez në Shkodër - Bota Sot
Pushtim skocez në Shkodër

Futboll

Pushtim skocez në Shkodër

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 17:26
Pushtim skocez në Shkodër

Të shtunën në mbrëmje Shqipëria do të presë Skocinë në “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe është një ndeshje me rëndësi të jashtëzakonshme për të dyja palët. Shqipëria kërkon fitoren për të shmangur rënien nga Liga C në Nations League dhe për të planifikuar me qetësi kualifikueset e Euro 2020, ndërsa Skocia, që ka luajtur një ndeshje më pak, ka shpresa të mëdha kualifikimi në gjysmëfinale dhe i duhet paktën një pikë, për të luajtur në fund finalen e madhe në shtëpi kundër Izraelit.

Nuk dihet ende a do të rikthehen netët e mëdha të kombëtares shqiptare për sa i përket tifozerisë, sepse prej sfidës kundër Italisë vitin e shkuar nuk po shohim më stadiume të mbushura për ndeshjen shtëpiake të Shqipërisë. Megjithatë, e sigurt është që tifozët skocezë do të vijnë dhe bëhet fjalë për shifra rekord, të papara ndonjëherë në Shqipëri.

Telesport mëson se Federata Skoceze e Futbollit ka marrë 2000 bileta për tifozët e saj, që si zakonisht në transferta udhëtojnë në grupe shumë të mëdha, duke e konsideruar në radhë të parë një festë dhe eksperiencë të re, përtej gjendjes së skuadrës së tyre dhe rezultatit në fushë. Çështje mentaliteti, britanikët e kanë, ndërsa ne jo.

Në “Loro Boriçi” është prenotuar dhe do të mbushet totalisht sektori pas njërës portë, ndërsa organizimi nga Federata Skoceze është në detajet më të vogla, aq sa i është kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit të printojë shumë revista të pragndeshjes, nga ato që FSHF i shpërndan falas dhe që skocezët i duan patjetër si kujtim, duke kërkuar disa qindra kopjee.

Do të jenë rreth 30 autobusë që do të vihen në dispozicion të tifozëve skocezë, që në fakt nuk është se e kanë lënë të vijnë të shtunën, sepse që sot nëpër Tiranë mund të shihje shumë prej tyre, duke shëtitur qetësisht dhe duke parë kryeqytetin shqiptar. Të shtunën nuk do të jenë aq të qetë, sepse në stadium do ta ndezin, ndaj do të duhet të jemi ne po aq të zjarrtë, për të mos u ndjerë sërish si në Glasgow.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...