Italianët e cilësuan si pijanec

Futboll

Italianët e cilësuan si pijanec

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 14:44

Edhe pse Kristian Panuçi vazhdon të jetë në pankinën kuqezi, pritet që pas miqësores me Uellsin të ulet me presidentin Armand Duka për të negociuar prishjen e marrëveshjes. Në kushtet kur situata te kuqezinjtë nuk është aspak e mirë pas dështimit në Ligën e Kombeve, edhe në mediat italiane kanë nisur “sondazhet” për trajnerët që shihen si alternativë e mirë për stolin e Kombëtares kuqezi.

Një prej tyre është 64-vjeçari, Alberto Malezani, i cili ka folur dje për “Sky Sport”, duke treguar problemet që ka pasur në karrierën e tij së fundmi. Që prej vitit 2014, ku për një muaj ai zëvendësoi Di Françeskon në stolin e Sasuolos, Malezani është pa skuadër. “Më dëmtuan imazhin, duke publikuar një foto teksa po pija verë në kantinën time. Më hapën profile të rreme në rrjetet sociale dhe më cilësuan pijanec.

Dikush përfitoi nga kjo situatë, por unë kurrë nuk heq dorë nga profesioni i trajnerit. Do të dëshiroja të drejtoja një Kombëtare”, ka thënë Malezani. Ndërkohë, portali “calciomercato.it” e lidh me Shqipërinë të ardhmen e ish-trajnerit të Fiorentinës, Parmës, Veronës, Udinezës, Modenës, Empolit, Sienës, Palermos, Xhenoas, Bolonjës dhe Sasuolos në Serinë A.

“Kontaktet me Greqinë mund të ktheheshin në modë, por Malezani mban një sy edhe nga situata në Shqipëri, ku Panuçi nuk po arrin rezultate të mira dhe së fundmi është thyer keq, 0-4 me Skocinë”, shkruante dje portali “calciomercato.it”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat