“Ylli” i Shqipërisë grupi, kualifikimi nëse japim 200%

Futboll

“Ylli” i Shqipërisë grupi, kualifikimi nëse japim 200%

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 13:46
Andi Lila

Andi Lila është një nga ata legjionar, që emrin do e ketë të shkruar me gërma të arta, në një prej hyrjeve të stadiumit “Arena Kombëtare”, në nder të kualifikimit historik të Shqipërisë në Euro 2016. Ai sukses ishte padyshim një nga arritjet më të mëdha sportive në vend, duke bërë që për herë të parë himni i flamurit kombëtar të këndohet në mes të Francës, vend ku u organizua Kampionati Europian i dy viteve më parë.

Tashmë, pas dështimit në kompeticionin e Ligës së Kombeve, Shqipëria ka njohur rivalët që do të ketë kundër në fazën eliminatore për Euro 2020. Franca  do të jetë sërish rivale e kuqezinjve në këtë rrugëtim, ndërkohë që pretendent do të jenë dhe Islanda me Turqinë. Andi Lila është besim plotë se kombëtarja kuqezi mund t`ia dali sërish. Mesfushori i PAS Giannina, në një rrëfim për Telesport, tregon se është e mundur gjithçka.

“Shortin e prita me emocion si gjithmonë. Grupi është i fortë dhe në të njëjtën kohë kemi shpresë sepse mund të fitojmë grupin dhe të shkojmë në Euro 2020”-shprehet mesfushori i kombëtares. Më tej ai tregon se gjithçka është e mundur nëse lojtarët japin 200% në çdo ndeshje. “Grupi është i kalueshëm, duhet të japim 200% në çdo ndeshje. Mund të fitojmë kundër të gjithëve në grup. Kemi shanset tona mendoj.

Islanda dhe Turqia janë dy skuadra që duhet të tregojmë kujdes në ndeshjet në shtëpi. Dhe me pak fat në ndeshjet jashtë mund të bëjmë surprizën. Luftën duhet ta kemi me këto dy skuadra, pa harruar Andorën dhe Moldavinë, që duhet ti respektojmë maksimalisht. 3 pikë vlejnë të gjitha ekipet”-shprehet Andi Lila. Ndaj Francës kemi shumë kujtime, ekip që e patën në grup edhe në shortin e katër viteve më parë, e patëm në grup edhe në fazën finale të Euro 2016, dhe do e kemi sërish tani.

Andi Lila shprehet i emocionuar për këtë, dhe shpreson që të kualifikohet dhe njëherë në Europian, para se të përfundojë karrierën. “Franca është Kampione e Botës, kemi fat që do të luajmë sërish kundër tyre. Të luash kundër tyre është kënaqësi e madhe. Mendoj që i kemi të gjitha mundësitë të shkojmë sërish në Euro 2020, është ëndërra jonë. Shpresoj shumë të kemi fatin të luajmë edhe njëherë në Europian përpara se të përfundoj karrierën. Do ishte një ëndërr për mua. Grupi, “ylli” i Shqipërisë duhet të jetë grupi. E vetmja rrugë”! – përfundon Andi Lila.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat