Projekti me Shkëmbin funksionon

Futboll

Projekti me Shkëmbin funksionon

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 14:12
Bledi Shkëmbi

Bledi Shkëmbi premton një përgjigje konkrete në javët e ardhshme, Amadu Latif, që për hir të së vërtetës nuk është fshehur ndonjëherë, e ka thënë hapur: kjo skuadër do të shpallet kampion. Në pamje të parë ngjante një deklaratë me nota të larta euforie, sigurisht që durrsakët nuk do të ishin më për mbijetesë, kjo ishte evidente, por direkt kampion dukej një kapërcim i pabesueshëm.

Sot “Djemtë e detit” mund të konsiderohen mes pretendentëve. Distanca nuk është ende për t’u entuziazmuar pa masë, pasi 6 pikë nuk janë të rikuperueshme sa hap e mbyll sytë, megjithatë paraqitjet e Teutës e kanë ndezur optimizmin. 6 fitore dhe 2 barazime në 8 ndeshjet e fundit, një skuadër që po funksionon si grup, me individë të aftë për të bërë diferencën, si Progni, Kallaku, Osmani, Camara e Hidi, sa për të përmendur disa.

Triumfi ndaj Skënderbeut nuk ishte rastësor, durrsakët përveç aspektit teknik treguan ndoshta armën më të fortë, karakterin dhe dëshirën që këta lojtarë kanë për të qenë në kuotat e larta të renditjes, natyrisht “për t’i hequr kapelën” edhe Bledi Shkëmbit, profesioni i trajnerit si në çdo fushë të jetës kërkon edhe talent dhe duket se talenti nuk e ka braktisur 39-vjeçarin në momentin kur hoqi dorë nga futbolli i luajtur.  Të shtunën në “Niko Dovana” do të vijnë kryesuesit e Partizanit, shansi i artë për t’iu afruar “demave” dhe më kryesorja për t’u përfshirë me forcë në “vallen” e titullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat