Ademi: Stinor për lakmi, të punojmë për ngritje të mëtutjeshme

Futboll

Ademi: Stinor për lakmi, të punojmë për ngritje të mëtutjeshme

Më: 11 dhjetor 2018 Në ora: 11:25
Ademi: Stinor për lakmi, të punojmë për ngritje të mëtutjeshme

Pikërisht në 6 mujorin e vdekjes së ish-presidentit legjendar, Fadil Vokrri, ka rënë edhe perdja e stinorit vjeshtor në të gjitha garat e futbollit tonë. Dhe vërtet jam i nderuar dhe krenar me atë çfarë kanë treguar gjatë këtij stinori klubet, gjyqtarët, zyrtarët dhe dashamirët e futbollit, pasi garat kanë pasur një rrjedhshmëri për lakmi, duke qenë ky një kampionat shembull. Andaj, fillimisht uroj tetë skuadrat që kaluan tutje në çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës dhe njëherësh i falënderoj klubet për përfundim të dinjitetshëm dhe të rregullt të garave, duke e shndërruar këtë stinor si më të mirin deri më tash. Përgëzoj Prishtinën që e mbylli stinorin vjeshtor si lidere dhe uroj që klubet të kenë një pushim të këndshëm dhe aktiv, derisa futbollistët uroj të kenë shëndet dhe të përgatiten sa më mirë për stinorin pranveror, në mënyrë që ta mbyllim këtë kampionat në mënyrën më të mirë dhe që t’ua mundësojmë ekipeve fituese të kampionatit dhe të kupës që të jenë sa më të suksesshme në garat evropiane. Gjithsesi, rregullsia e garave në këtë stinor duhet të na nxisë të gjithëve që të punojmë së bashku për ta ngritur edhe më shumë nivelin e organizimit të klubeve dhe ndeshjeve, ngase në këtë mënyrë do ta rrisim edhe cilësinë e kampionatit tonë, por edhe shikueshmërinë në stadiume. Po ashtu, falënderoj tifozët e të gjitha ekipeve për anim korrekt, derisa për ata që tentuan ose do të tentojnë në të ardhmen që të prishin imazhin e mirë të futbollit kosovar sigurisht se do të ndërmerren masat disiplinore, pasi qysh në fillim jam zotuar se ndaj dukurive negative do të ketë zero tolerancë.

Na priftë e mbara edhe në stinorin pranveror!, shkruan Agim Ademi, president i FFK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat