Gjakova është bërë zyrtarisht pjesë e Ligës së Qyteteve Historike, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në promovimin e vlerave kulturore, historike dhe turistike të saj në arenën ndërkombëtare, shkruan “Bota sot”.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, i cili së bashku me Drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Nita Efendia Brovina, dhe Udhëheqësen e Sektorit të Integrimeve Evropiane, Adea Hasi, mori pjesë në Konferencën e 20-të Botërore të Qyteteve Historike, e mbajtur në Himeji të Japonisë.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, Gjakova u pranua zyrtarisht si anëtare e re e Ligës së Qyteteve Historike.
Para përfaqësuesve dhe homologëve nga vende të ndryshme të botës, kryetari Gjini prezantoi historinë, kulturën dhe traditën mikpritëse të Gjakovës. Ai gjithashtu mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, ku u nënshkrua Deklarata e Himejit.
Vizita e delegacionit nga Gjakova vazhdoi edhe në qytetin e Kyotos, ku në darkën zyrtare të organizuar nga kryetari i këtij qyteti, Ardian Gjini mbajti fjalën përmbyllëse në emër të delegacioneve pjesëmarrëse.
Sipas Gjinit, anëtarësimi në këtë organizatë dhe takimet me kryetarët e qyteteve japoneze dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë krijojnë mundësi të reja për zhvillimin turistik, kulturor dhe ekonomik të Gjakovës.
Ai e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm edhe për forcimin e pranisë së Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Gjini ka falënderuar nikoqirët japonezë dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio, veçanërisht Zëvendësshefin e Misionit, Arbër Mehmeti, për mbështetjen gjatë vizitës.
Anëtarësimi në Ligën e Qyteteve Historike pritet t'i krijojë Gjakovës mundësi të reja bashkëpunimi dhe promovimi në nivel ndërkombëtar.