Nga kryengritja e Toskërisë te hapja e shkollës nga Bejlerët e Cakranit, “Saga e një Dinastie” e trajtuar nga emisioni “Autokton”

Historia

Nga kryengritja e Toskërisë te hapja e shkollës nga Bejlerët e Cakranit, “Saga e një Dinastie” e trajtuar nga emisioni “Autokton”

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 09:45
Familja Cakrani

Me shpërthimin e Revolucionit Xhon-Turk më 1908 në Stamboll, u kërkua ti jepej fund mënyrës autoritariste të sundimit të sulltanit me krijimin e një kushtetute, që kërkonte zbatimin e të drejtave të kombeve brenda Perandorisë Osmane.

Patriotët shqiptarë nuk mund ta linin rastin e artë, dhe nxituan të krijonin lëvizjen më të fuqishme kulturoro-arsimore, atë të Gjuhës Shqipe, e cila do të mundësonte përfundimisht të shkruhej gjuha më e vjetër e planetit. Dinastia kishte kohë që po lëvizte me kapacitet të plotë dhe me librat e dhënë nga Sami bej Frashëri tashmë mësohej kudo. “

“Qysh nga fundi i shek. XIX, bejlerët e Cakranit kishin në konakët e tyre mësonjës shëtitës, herë Hamit Lumi e herë unë”
“Ata na paguanin jo vetëm për katundin e tyre, por edhe për katunde të tjerë, si Gorishovë, Buzmadh e Klos..” shkruan përfaqësuesi i Kolonisë së Bukureshtit, Kristo Karbunara.

Hapja e shkollës nga bejlerët e Cakranit

Për herë të parë zyrtarisht shkollën bejlerët e Cakranit e hapën në sarajet e tyre me një inagurim madhështor dhe pjesmarrje të gjithë figurave sa patriotike, aq edhe kulturore, ku i pari foli Babë Dudë Karbunara.

Përfaqësuesi i Kolonisë së Bukureshtit Kristo Karbunara shkruan; “Shoqëria e Bukureshtit më pati dërguar me postën austro-hungareze në mol të Vlorës, pliko me vivlla e fletore shqipe më 1909 për bejlerët e Cakranit. Zotnia Hajredin kishte letër porosi me Jani Vruhon, Josif Bagërin e Nuçi Naçin, ndërsa Bektash Beu e Sulo Beu, me anën e Azis Vrionit ishin lidhur me Komitetin e Stambollit.. këto i çova kaq herë në Cakran tok me Ibrahim Abdullahun.” Shkolla nuk u mbyll dot, por dhe nuk e mori asnjëherë lejen, pasi administrata xhonturke filloi represionin..”Na erdhi dhe neve këtu leja për shkollën e Cakranit, e cila është një shkollë e vjetër, mbase nga më të vjetrat në Toskëri dhe e cila gjer më sot është për mbajtur pa lejen zyrtare të guvenës..” shkruan gazeta “Dielli” e Bostonit.

Iluminizmi është tipar i rrallë fisnik, por ai duke ndiçuar me gjuhë e dije krahina dhe një popull të tërë, nuk mund të quhet më Rilindje Kombëtare, por Rilindje Europiane.

Spikatja e përfaqësuesëve të Dinastisë Cakrani nuk ishte garë mes tyre, por një shpirt i gjallë drite dhe lirie, një përzierje ndjenjash patriotësh dhe sakrificë luftëtarësh mbi një emblemë me emrin atdhe. Cili ishte në të vërtetë përfaqsuesi i saj Bektash bej Cakrani që Mallakastra do të personifikohej me të? “Në ka historia e Kryengritjes Shqiptare në Toskëri që të tregojë ndonjë burrë trim të madh, që me tërë fuqinë e patriotizmit dhe me dëshirën e flaktë për të fituar lirinë, pa dyshim njëri prej tyre është Bektash Bej Cakrani. Nuk është më shumë së tridhjetë e pesë vjeç, me një shat të derdhur, një trup robust e madhështor, është i katërti djalë i të ndjerit Kahreman Bej Cakranit. Është i martuar në Tepelenë me të bijën e një fisniku që rrjedh nga fisi i Ali Pashës. Që i vogël Bektashi tregonte një afsh të madh për kombin tonë. Sa herë që i binte në dorë ndonjë libër i Naim Frashërit ai e këndonte dhe qante. Mbaroi shkollën e lartë “Sulltanie” në Stamboll dhe Fakultetin e Drejtësisë. Është mjaft i ditur dhe i kuptuar. Ndjenjat e tij kombëtare dhe kalorësinë e therorizmit për atdhe, i ka mjaft të zhvilluara.

Flet dhe shkruan shumë mirë frëngjishten dhe turqishten, persishten, dhe më pak greqisht e gjermanisht. Tërë Mallakastra e nderon dhe e respekton si një shpëtimtar”. Përplasja me Perandorinë nga sfidë, po bëhej një realitet i paduerueshëm për të.“..Ndër të arrestuarit shënohen 13 vetë. Xhandërmaria xhonturke ka nxjerrë shpallje për arrestimin e Bektash Cakranit, Xhemil bej Vlorës, Osman Haxhiut, Hamza Isait, etj të cilët nuk gjenden në vend” thuhej në relacionin e konsullit austriak “Kraus” derguar ministrit të tij të jashtëm Alois Fon Erental, më 1909” Si e distancuar nga Perandoria,.

Domeni ishte pothuaj jashtë kontrollit të saj; “Cakrani ndodhet në Mallakastrën e Poshtme dhe ne e quajshim Republika e Cakranit, mbasi ç’do gja që ndodhte në Fier, a në Vlorë, a në Berat, nuk ndihesh aspak në Cakran, i cili ishte i qetë nga çdo zhurmë shtetnore e Qeverisë Otomane” shkruan firmëtari i pavarsisë dhe mësuesi i shkollës së Cakranit, Thanas Floqi…

Kryengritja e Toskërisë…

Por Kryengritja e Toskërisë, fare e panjohur në histori, ishte iniciativë e patriotëve toskë, që kërkonin me çdo kusht bashkrendimin me Kryengritjen e Veriut, apo Gegërisë që udhëhiqej nga deputetët Nexhip bej Draga dhe Hasan bej Prishtina;
“Më 1911 kish ardhur në Stamboll Bektash Cakrani me të ndjerin Baki Gjebrea. Gjithmonë bashkoheshim në zyrën “Shqiptari” drejtuar nga Dervish Hima..

E gjetëm të arësyeshme të ftojmë deputetët shqiptarë Nexhip Bej Dragën dhe Hasan Bej Prishtinën. Këtë barrë e mori përsipër Bektash Cakrani dhe Dervish Hima ku u mblodhëm në hotel “Imperial”, Nexhip Bej Draga dhe Hasan Bej Prishtina thanë që, për Kosovën kanë shpresën më të madhe për një kryengritje të përgjithshme. Për Toskërinë duhet arritur me çeta bashkimi gegë e toskë i kësaj kryengritje. Në Toskëri u nisëm, unë Bakiu dhe Bektashi” kujton Mihal Grameno. Por rreziku i shumfishtë nga të gjitha anët, e bëri kryengritjen të përqëndrohej tek Dinastia; Vetëm një kryengritje në Toskëri do na afroj me Gegët, do na nderoj në sy të Evropës.. kuptohi me Bektash Cakranin po dhe Bakin e Beratit, Tepelenën e Gjirokastrën e ngrihuni se humbmë” shkruan në një letër e Fazil pashë Toptani, Pandeli Cale dhe Alush Taka nga Korfuzi. Por problemi ishin armët.

Pas përpjekjes së rrëmbimit të tyre nga vetë oficerët Hajredin e Bektash bej Cakrani në kazermën e Beratit, dhe me dekonspirimin e aksionit që erdhi nga Vlora, Dinastia e hedhur e tëra në luftë kërkon rrugë të reja; “Fjalosuni edhe me Zotin Bozio në mund të na bjerë nga Italia njëmijë e pësëqind mavzerrë edhe sa të holla njërin. Pas dy a tri ditë do vij dhe unë atje dhe këtë fjalë ta gjej gati të bërë, i shkruan Bektash Cakrani mikut të tij, Hamza Isait, por këtë herë pas rreziqesh të panumërta arriti të blejë dhe të sjellë për kryengritjen 1500 pushke austriake.

“Beteja e Pazarit të Cakranit”

Beteja e Pazarit të Cakranit është epike jo sepse u kap i gjallë batalioni osman me 200 trupa, por bimbashi i tij Ismail Haki Libohova e braktisi dhe për këtë doli në gjyq. Përfaqësuesit e aristokracisë së tij, këtë radhë atdheu i thirri për komitë. “Drejt Beratit janë 400 burra nën kryesinë e Bektash bej Cakranit, që ka shumë ndikim si dhe kryengritës nga Vlora e Jugu që arrijnë mijra vetë, dhe nqs nuk merren masa sigurie popullsia e Beratit do të pranojë miqësisht kryengritësit dhe të zbatojë urdhërat e tyre, po të vijnë me forca më te mëdha se ato osmane, thuhet tek relacioni i konsullit Lejhanec ministrit të tij kontit Bertold.

Produkti u pa shpejt dhe memorandumi i Sinjës, ka mbrojtjen ushtarake, përpilimin në frëngjisht dhe brendinë diplomatike të Bektash bej Cakranit, ku ishte prologu i pavarësisë që po vinte me shpejtësi.

Sipas këshillave dhe orientimeve austro-hungareze për rrezikun sllav të pushtimit në Luftën Ballkanike, shqiptarët kërkojnë me ngut të shpallin pavarësinë. Në një Vlorë krejt të pasigurtë prej dasive e përçarjeve prej kohësh ndodhet Bektash bej Cakrani së pari për të krijuar një situatë të qetë qysh mes vetë Vlorajve dhe organizimin financiar e të gjithanshëm të kuvendit të afërt. Si personazh kyç Ismail Qemali i beson atij udhëtimin dhe nipit të vet Xhemil bej Vlorës, gjendjen në qytet; “Zotni Bektash Cakrani Vlonë.

“Me urdhër të Ismail Qemal Beut, ju lutem pas dy orëve të ndodheni në zyrën post- telegrafike të atyrshme. Luigj Gurakuqi”, 22 Nëndor 1912” Pas bisedës 2 orëshe niset telegrami; “Azis Pashë Vrionit Berat. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Ismail Qemal Beu me shokët e vet, janë nisur nga Budapesti për në Vlorë, për t’u gjëndur në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare që do të mbahet në Vlorë. Ata kanë kërkuar që t’u dërgohen atje kuaj ose karroca që deri nesër mbrëma duhet ti dërgoni.

Lutemi na lajmëroni sa më shpejt. Bektash Cakrani” Por edhe në çastin më errët për të, perandoria nuk i lejon shqiptarët; “U informova konfidencialisht se mytesarifi ka marrë dje urdhër telegrafisht për të arrestuar Ismail Qemal Beun. Urdhëri ka ardhur pak me vonesë. raporton konsulli Rudnai nga Durrësi Vienës. Një letër i dërgohet Hajredin bej Cakranit, ku i kërkohet që të devijojë delegacionin nga rruga kryesore me evitimin e arrestimit të Ismail Qemalit; “Nuk e di si e qysh po ti duhet t’u këmbesh udhë në rast rreziku e mundohi t’i futësh nëpër çifliqet e tua. Lumi do ket dalë e ka mbytur dynjanë pa të dua me bujq, me kuaj e me buaj më këmbë nuk e di si do t’ja bësh. Po të ndoth ndonjë e pa bërë, punën e luftën t’onë të filluar qëkur e muar lumi.

Druaj se ajo punë do të vejë tek pushka mos hap batare i pari se do bësh dëm tek ndonjë yni po u përpoqët me t’a.” Hajredin Cakrani me batalionin e vet do të mprehë buajt në këtë udhëtim dhe do të gjejë Ismail Qemalin me gjithë delegatët, të cilët kalojnë natën në sarajet e tij. Ai sjell në Vlorë për të ruajtur kuvendin batalionin e tij, që është garda e parë në historinë moderne, dhe vet si firmëtar i deklaratës, shpallet senator.

E kush tjetër si Bektash bej Cakrani mund të organizonte e mbulonte financiarisht shtetin e parë shqiptar? Emërimi i tij si ministër thesari ishte vulosja në situatën e pashpresë, të cilën mund ta zgjidhte vetëm ai me të ardhurat e veta dhe kontributin e përhershëm e shekullor të dinastisë ndaj kombit, zyrtarisht si guvernatori i parë i shtetit të ri. “Do ti, do bëjë udhë shteti, s’do, do japë xhanë! Ndaj ti që nuk je kursyer qëkurë për vatanë, si ke thënë e ke bërë, tani do zgjidhësh qesen tënde t’i vësh nga liratë e floritë e tua. Pa nevej tani që llafos kaq fuqi kemi, të të themi t’u shtofshin e mos t’u mbarofshin, është emërimi që i bën Kryeministri Ismail Qemali shkruan në kujtimet e tij firmëtari Hajredin, tashmë zvendës i ministrit të luftës Drralla, ku me ushtritë e tyre mallakastriote merrte pjesë në betejat më vrastare të mbrojtjes së Janinës.

Ngutja e Qeverisë Provizore Vlora për të shkuar në Londër, ku po vendosej fati i kufijve dhe e vetë kombit, bën që Ministri i Thesarit Bektash bej Cakrani të vinte në një kohë fare të shkurtër në punë dinastinë, për të sjellë të hollat e Londrës; “Po ju dërgoj njeriun tim të besuar që të njoftosh sonte me urgjencë Sulo Beun dhe të dy duhet të sillni lira flori, se ato shkëmbehen andej, për 10 vetë që do venë tek anglezët dhe për të ndenjur atje 20-25 ditë, se ata duhet të duken fisnikë”. Kjo ngjarje bëri që oborri habsburgas ti tërhiqte vërejtje ministrit të thesarit, ndërsa delegacionin e qeverisë provizore ta dëbonte si pa mandat për probleme të kësaj përmase.

Por pas 29 korrikut 1913 që u njoh ndërkombëtarisht pavarësia e Shqipërisë, qeveria Vlora në gusht, hedh hapin tjetër me tëpër ngut të ngrinte një bankë kombëtare në mungesë të plotë financash, me bankat private vieneze dhe milaneze. Me të drejtat pa kufi, si prerja e monedhës, dhënia e kredive duke lënë peng tokën, shitblerja me jashtë, bënë që ministrit të thesarit dinastia e tij ti trokiste fort për ti kujtuar detyrën, që e kishin qëndrim shekullor krah atdheut;

“Të ç’lirohesh Bektash Bej dhe ti, se një bankë si e kanë ata andej, do t’a bëjmë doemos dhe do lirohemi goxha, se kjo është tamam pamvarësi e vërtetë e jo ajo copë kartë, që të vërtetën n’a pruri më këtë sahat, dhe jam ca si plak për romuzet e tua!

-Po je dhe ca si i ri zotrote Ismail Bej, që të pleksesh në pazar me vatanë e t’a lësh në kumar, i thonë kësaj! Pa ma ç’pjego vezir, se qysh do marrim paratë e do lëmë peng vëndë, që kemi akoma varret e njomë të luftërave që s’kanë të pushuar? S’e kuptuaç pa sinuartë si të bëjmë pazar me vatanë, kur ne nuk kemi as sovranë e që të Mëdhenjtë na njohin si një copë guvernë kazaje, qysh do bëjmë shaka dhe të japim me konçesion? Qysh do t’a shesim pa e marrë akoma, pa për t’a gëzuar me këtë mëndje duket dielli që kur len! Vatani nuk është ngjallur akoma e s’ka sinuartë e tijë, zotrote thua ta humbasim në bast! Unë ngul këmbë që zotrote Bejefendi të mos j’a bëç këtij vatani këtë gjë, se nuk e ka hak..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat