Beteja e Trojvogjlit

Historia

Beteja e Trojvogjlit

Haki Koltraka Trojvogjli Nga Haki Koltraka Trojvogjli Më 20 korrik 2021 Në ora: 21:23
Ilustrim

Siç e quajtën turqit “Sheshi i Hidhërimit”. Ajo u zhvillua në Livadhet e Trojvogjlit, në Kidën të Dibrës Poshtë, më 29 qershor 1444. Në këtë betejë Skënderbeu vuri me sukses në zbatim në fushën e luftës planin “Kthetrat e  Shqiponjës”. 

Livadhet shtrihen në lindje të Drinit të Zi, me një sipërfaqe prej 3 km katror. Kufizohet në perëndim me Drinin e  Zi, në jug nga kulla e As Koltrakës, Lëgjatat e Skurës, Brezti Poshtë dhe Përroi i Terzishtit, që kalon nëpër këto dy katunde.

Në këtë betejë, Gjergj Kastrioti, me anë të planit “Kthetrat e Shqiponjës”, kishte si qëllim kryesor ngërthimin apo siç i thonë rrethimin e forcave armike dhe synonte së pari kapjen dhe asgjësimin e komandantëve të ushtrisë armike. 

Komandantët turq futeshin në betejë duke u drithëruar, sepse e kishin të qartë se nga momenti në moment do të sulmoheshin nga shqiponjat e Skënderbeut e do të binin në kthetrat e tyre të rrepta. Kjo i sillte një çorientim ushtrisë kundërshtare, sepse ushtarët, të mbetur pa komandantë,  nuk dinin si të silleshin e ku të vepronin. Tmerri i turqve ishin shqiponjat e Korabit, forcat e zbulimit dhe kundërzbulimit të Skënderbeut, shumica e të cilëve e dinin në mënyrë perfekte gjuhën turke. 

Dibra është vendi i të parëve të Skënderbeut. Ai në Dibër kishte bazat ushtarake të luftës. Në Dibër ishin të gatshëm në çdo kohë 12 mijë dibranë të rreshtoheshin në luftë, me lëshimin e kushtrimit të parë. Nga këto, 8 mijë ishin kalorës dhe 4 mijë këmbësorë. Të gjithë të zgjedhur nga ajka e djalërisë dhe burrërisë dibrane, të guximshëm e të shpejtë si era e maleve të Korabit, të Runjës e të Nezhdës. Informata të sakta i kishin ardhur Skënderbeut se Sulltani kishte ngarkuar Ali beun, Valiun e katërt të Anadollit, për të shuar një herë e përgjithmonë kryeneçësinë e Skënderbeut e për t’i nënshtruar që në betejën e parë shqiptarët. Skënderbeu e ngriti popullatën e Dibrës poshtë në vendet e sigurta malore, si te bjeshkët e Korabit dhe Gramës, të Zimurit, vende këto në lindje të Trojvogjlit dhe në Pllajën Fushëban, Prat, Xhaxhisht, Xhaxhai, Lanë Lurë, Titajë, vende këto në perëndim të Trojvogjlit. Mijëra kokë bagëti ishin therur e pjekur në hell si therorë për të joshur perënditë e luftës dhe si ushqim për ushtarët e Kryetrimit.

Ali Pasha u nis me dyzet mijë forca dhe këto  i ndau në dy pjesë: me 25 mijë u fut nga Kosova në Dibër Poshtë dhe e përqendroi ushtrinë në Fushën e Mandrisë (Sot Fusha e Shumbatit) dhe i ngriti çadrat në Topuze, buzë Drinit të Zi. Edhe sot ky vend quhet Shatore, aty ku Ali Pasha ngriti çadrën e madhe të tij. 

Në vendin ku derdhet Përroi i Gramës në Dri të Zi u quajt nga turqit Kryqtorja e Mallkuar, vendi ishte mbuluar me ferra të dendura dhe nuk kalohej. Në çastin kur Ali Pasha gati po kapej i gjallë, zbriti nga kali dhe me disa ushtarë besnikë u fut në këtë ferrë dhe shpëtoi. Vendi sot quhet Ferra e Pashës. Por, ndërsa në mbrëmje në akshihanet e Ali Pashës  po gatitej darka, forcat e zbulimit të Skënderbeut, “Shqiponjat e Korabit”, duke zbatuar planin “Kthetrat e Shqiponjës”, sulmojnë në fshehtësi të plotë, duke kaluar me not Drinin e Zi dhe e dogjën akshihanen me rrëshirë pishe, lëndë djegëse shumë e fuqishme, që Skënderbeu e siguronte në malet e Lurës, Mirditës dhe Pukës. Kur ushtarët e Ali Pashës prisnin darkën pranë zjarreve të ndezur, matanë Drinit të Zi u shuan zjarret, pushuan daullet e ushtrisë së Skënderbeut. Menjëherë u përhap lajmi i djegies së akshihanes dhe heshtja e shqiponajve përnjehërë i tmerroi turqit, të cilët i trembeshin ndonjë sulmi të tyre natën. 

Turqit u gdhinë të pangrënë dhe të pagjumë. 

Pjesën e dytë të ushtrisë, prej 15 mijë vetash, me komandant Abdu Xhafarin,  Ali Pasha e kishte lënë 6 orë larg Livadheve të Trojvogjlit. Ali Pasha i kishte vendosur trupat e Abdu Xhafarit në Shehër, me qëllim që ta godiste Skënderbeun nga mbrapa. 

Ushtria e Skënderbeut përbëhej nga 15 mijë forca, 8 mijë kalorës të zgjedhur dhe 7 mijë këmbësorë të zgjedhur, ku bazën kryesore të Ushtrisë e përbënin dibranët. Të martuarit i vendosi të mbronin popullatën nëpër male e vendstrehime. 

Dibranët ishin nën komandën e Moisi Golemit, Hamza Kastriotit, Andria Laçit, Gjon Skurës, Gjergj Kukë Koltraka, Oliver Indit, Gjin Kastriotit, At Pal Kuk Koltrakës, Gjin Sinja, Kol Kurtesi, Peter Maneshi, Gjon Baloshi, Gjin Aleksi Andria Kavaçoliti, Martin Çataj, Gjon Martini, Dhimtër Vladi, Dhimitër Bardhi, Dem Hata dhe Gjin Smaçi. 

Në Sinë ishin fiset Lleshi, Losha, Bushi, Gjoni, Koltraka, Bardhi, Prifti, Shquti, Gjegja. Nga të Kidnës ishin Kolgjini, Cerri, Kola, Kolnozi, Mema, Rasha, Tola, nga gryka e Banit ishin Rusi, Pitarka, nga të Mustafes ishin Daci, Coli, Gjoni, Xhika, Martini, Paci, Karoshi, Paria dhe Marçeni. 

Në këtë vijë luftimi, falë pyjeve të dendura, sa dhe zogjve u ngelnin pendët nëpër drurë, siç thotë një kronikan turk, ushtarët e Ali Pashë binin në kthetrat e shqiponjës, që e zbatoi duke ua ngarkuar forcave speciale të zbulimit e kundërzbulimit. 

Forcat e Ali Pashë, për të dalë në Livadhet e Trojvogjlit gati mbetën të gjithë nën goditjen e forcave dibrane, që hidheshin në befasi kundër tyre duke i çarë e shpartalluar. Shqiponjat ishin pas çdo guri e lisi e ledhi. U hidheshin nga pemët e drejt e në vithet e kuajve të armiqve, duke i goditur për vdekje. 

Në Livadhet e Trojvogjlit binin brirët dhe daullet e fitores, duke pagëzuar kështu me lavdi mijëravjeçare një nga betejat më madhore të ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, e cila e rrethon përjetë emrin e Kryeprijësit të Arbërit me germa të arta, që shënojnë përjetësinë e kësaj beteje epokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat