Pse nuk jam komunist?

Historia

Pse nuk jam komunist?

Nga: BERTRAND RUSSELL Më: 21 maj 2023 Në ora: 23:48
Xhezair Dashi

Komunizmi është një doktrinë e pjellur nga varfëria, urrejtja dhe grindjet. Përhapja e saj mund të ndalohet vetëm duke zvogëluar hapësirën e varfërisë dhe urrejtjes.

Ndaj çdo doktrine politike duhet shtruar dy pyetje: (1) A janë parimet teorike të saj të vërteta? (2) A ka gjasa që politikat praktike të saj t’i shtojnë lumturisë njerëzore? Nga ana ime, mendoj se parimet e Komunizmit janë të rreme, dhe jam i mendimit se maksimat praktike të saj janë të atilla që prodhojnë rritje të pamatshme të mizerisë njerëzore.

Doktrinat teorike të Komunizmit në pjesën më të madhe derivojnë nga Marksi. Kundërshtimet e mia ndaj Marksit janë të dy llojeve: njëra, sepse ai është një kokë-lëmsh; ndërsa tjetra, sepse i tërë mendimi i tij është frymëzuar nga urrejtja. Doktrina e vlerës së shtuar, e cila supozohet të demonstrojë eksploatimin e rrogëtarëve nën kapitalizëm, arrihet nga (a) pranimi i fshehtë i doktrinës së Malthus-it për popullsinë, të cilën doktrinë Marksi dhe dishepujt e tij haptazi e hedhin poshtë; (b) aplikimi i teorisë së Ricardo-s për vlerën e pagave, por ama jo edhe ndaj çmimeve të artikujve të prodhuar.

Ai është krejtësisht i kënaqur me rezultatet jo sepse është në përputhje me faktet ose për shkak se ka koherencë logjike aty, por sepse është e përllogaritur që të ngjallë tërbim/furi te rrogëtarët. Doktrina e Marksit se të gjitha ngjarjet historike kanë qenë të motivuara nga lufta e klasave është një shtrirje e nxituar dhe e pavërtetë në historinë botërore të disa cilësive/karakteristikave të shquara në Angli dhe Francë para njëqind viteve. Bindja e tij se ka një forcë kozmike të quajtur Materializmi Dialektik e cila qeveris historinë njerëzore pavarësisht vullnetit njerëzor është veçse mitologji. Lajthitjet teorike të tij, sidoqoftë, nuk do të kishin aq shumë peshë përveç për faktin se, si Tertullian-i dhe Carlyle-i, dëshira e tij kryesore ishte të shihte armiqtë e tij të dënoheshin, e sa për atë se çfarë u ndodhë miqëve të tij gjatë rrugës, aq i bënte.

Doktrina e Marksit ishte mjaftueshëm e keqe edhe ashtu siç ishte, por zhvillimeve të cilave iu nënshtrua nën Leninin dhe Stalinin, e bënë atë edhe më të keqe. Marksi mësonte se do të kishte një periudhë kalimtare të revolucionit pas fitores së proletariatit në një luftë civile dhe se gjatë kësaj kohe proletariati, në pajtim me praktikën e zakonshme të pasluftës civile, do t’i deprivonte armiqtë e zhdukur të saj nga pushteti politik.

Kjo periudhë do të ishte ajo e diktaturës së proletariatit. Nuk duhet të harruar se në vegimin profetik të Marksit fitorja e proletariatit do të vinte pas ata të ishin zmadhuar në shumicë dërrmuese të popullsisë. Diktatura e proletariatit ashtu siç përfytyrohej nga Marksi rrjedhimisht nuk ishte thelbëisht antidemokratike. Në Rusinë e 1917’ës, sidoqoftë, proletariati ishte përqindje e vogël e popullatës, shumica dërmuese ishin fshatarë. U dekretua se partia Bolshevike ishte pjesa me vetëdije klasore e proletariatit. Diktatura e proletariatit kësisoji u bë diktaturë e një komiteti të ngushtë, e përfundimisht e një njeriu – Stalinit. Si proletari i vetëm me vetëdije klasore, Stalini dënoi miliona fshatarë me uri deri në vdekje dhe miliona të tjerë me punë të detyrueshme në kampe koncentrimi. Jam krejtësisht mendërisht i përhumbur se si u bë që disa njerëz që janë humanë dhe inteligjentë gjetën diça për të admiruar në kampin e skllevërve të prodhuar nga Stalini.

Gjithmonë nuk jam pajtuar me Marksin. Kritika ime e parë armiqësore ndaj tij u botua më 1896. Por, kritika ime ndaj Komunizmin modern shkon edhe më thellë se kundërshtimet e mia ndaj Marksit. Është braktisja e demokracisë që për mua është veçanërisht katastrofike. Një pakicë që mbështet pushtetin mbi aktivitet e një policie sekrete s’ka se si të mos jetë e ashpër, shtypëse dhe e errët. Rreziqet e pushtetit të papërgjegjshëm nisën të njihen gjatë shekujve tetëmbëdhjetë dhe nëntëdhjetë, por ata që i kanë harruar të gjitha ato që mësuan nga dhimbjet e monarkisë absolute i janë kthyer gjërave më të këqija të mesjetës nën iluzionin kurreshtar se janë vangarda e progresit.

Ka shenja se në rrjedhën e kohës regjimi rus mund të bëhet më liberal. Por, anipse kjo gjë është e mundshme, është shumë larg të qënit e qartë. Në ndërkohë, të gjithë ata që çmojnë jo vetëm artin dhe shkencën por edhe bollëkun e bukës dhe lirisë nga frika që një fjalë e pakujdesshme e nxjerrë nga goja e fëmijve te një mësues mund t’i ndëshkojë me punë të detyrueshme në tokat e largëta të Siberisë, duhet të bëjnë ç’të jetë e mundur për të ruajtur në vendet e tyre mënyrën e jetesës më pak servile e më të prosperueshme.

Ka prej atyre që, të shtypur nga të këqijat e Komunizmit, arrijnë në përfundime që e vetmja mënyrë efektive për të bërë betejën ndaj këtyre të këqija është lufta botërore. Mendoj se kjo është gabim. Njëherë e një kohë kjo mbase kjo kishte qenë e mundur, por tash lufta është bërë aq e tmerrshme e Komunizmi aq i fuqishëm sa që çfarëdo që do të mbetej me siguri do të ishte po aq e keqe sa Komunizmi i sotëm. Ky parashikim nuk varet nga pasojat e pashmangshme të shkatërrimit në masë të bombave të hidrogjenit dhe mbase të murtajave të propaganduara.

Mënyra për të luftuar Komunizmin nuk është me luftë. Ajo çka nevojitet përveç armatimeve të tilla parandaluese që Komunizmi të mos e sulmojë Perëndimin, është zbehja e pakënaqësive në pjesët më pak prosperuese të botës jo-komuniste. Në shumicën e vendeve të Azisë, ekziston varfëri e tmerrshme të cilën Perëndimi duhet ta zbusë për aq sa është në fuqinë e tij. Ka edhe hidhërim të madh që është shkaktuar nga dominimi i paturpshëm evropian i Azisë. Kjo duhet të trajtohet nga një kombinim i taktit durimtar me njoftimet dramatike që heqin dorë nga relike të tilla të dominimit të bardhë që mbijetojnë në Azi. Komunizmi është një doktrinë e pjellur nga varfëria, urrejtja dhe grindjet. Përhapja e saj mund të ndalohet vetëm duke zvogëluar hapësirën e varfërisë dhe urrejtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat