Ehat Miftaraj: Presidenti përfaqëson unitetin e popullit nëse zgjedhet nga vota popullore!

Intervista

Ehat Miftaraj: Presidenti përfaqëson unitetin e popullit nëse zgjedhet nga vota popullore!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 dhjetor 2020 Në ora: 08:43
Ehat Miftaraj

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka thënë se zgjedhja e Presidentit nga vota popullore do të evitonte situatat e krizave kushtetuese dhe institucionale si në rastin konkret dhe do të evitonte që kjo pozitë të ishte pjesë e kalkulimeve politike.

Sipas tij, në një situatë të tillë Presidenti i Republikës në kuptimin e plotë të fjalës do të përfaqësonte unitetin e popullit dhe do të ishte garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutë.

Mes tjerash Miftaraj ka theksuar se për të ndodhur një gjë e tillë duhet ndryshime kushtetuese dhe reflektim i partive politikë, që në një të ardhme të afërt nuk shihet si e realizueshme.

“Bota sot”: Pas shkuarjes në Hagë të ish presidentit Thaçi, ka filluar një luftë për këtë postë i partive politike. Sa mund të ndikojë kjo në koalicionin qeverisës?

Ehat Miftaraj: Aktakuzat e konfirmuara nga Haga kanë sjell një realitet të ri politik në Kosovë, ku pozita e Presidentit të Republikës pa dyshim se do të drejtoj skenën politike në Kosovë drejtë një qeverie të re me gjithëpërfshirëse apo drejtë zgjedhjeve të reja. Kohëve të fundit veç se kanë filluar të shpërfaqen ambiciet e partive politike për të fucuar pozicionet e tyre në raport me ndarjen e posteve, ku emërimi i Presidentit të Republikës do të jetë vendimtar nëse do të shkojmë në zgjedhje apo do të ketë ristrukturim të qeverisë.

“Bota sot”: Ka pasur ide që presidenti të zgjidhet në mënyre të drejtpërdrejtë në mënyrë që ky post të mos jetë pjesë e pazareve politike. Si e vlerësoni këtë?

Ehat Miftaraj: Zgjedhja e Presidentit nga vota popullore do të evitonte situatat e krizave kushtetuese dhe institucionale si në rastin konkret dhe do të evitonte që kjo pozitë të ishte pjesë e kalkulimeve politike. Në një situatë të tillë Presidenti i Republikës në kuptimin e plotë të fjalës do të përfaqësonte unitetin e popullit dhe do të ishte garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutë. Sidoqoftë, që të ndodh një gjë e tillë duhet ndryshime kushtetuese dhe reflektim i partive politikë që në një të ardhme të afërt nuk shihet si e realizueshme.

“Bota sot”: A mund të ndikojë opinioni i kushtetueses lidhur me rastin e deputetit Arifaj në koalicionin qeverisës?

Ehat Miftaraj: Varësisht nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sigurisht se do varet edhe koalicioni aktual qeverisës. Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson se vota e deputetit Arifaj ka qenë vendimtare në formimin e qeverisë, dhe votimi i tij ka qenë kundër-kushtetues, atëherë edhe vendimi për formimin e qeverisë do të shpallet kundër-kushtetues, që do të kishte pasoja për Qeverinë Hoti dhe nevojën për formimin e qeverisë së re duke respektuar procedurat dhe kriteret e përcaktuara me Kushtetutë dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Bota sot”: Si e shihni funksionimin e koalicionit qeverisës në një kohë kur prioritet paraqitet beteja kundër pandemi se?

Ehat Miftaraj: Kosova ka pasur fat te keq me pothuajse të gjitha qeveritë në tre vitet e fundit. Përderisa, tërë fokusi i kësaj qeverie është përqendruar në trajtimin e pandemisë dhe pasojave të saj, fusha tjera të rëndësisë së veçantë për qytetarët e Kosovës si demokracia, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare pothuajse kanë kaluar në plan të tretë dhe jashtë sferave të interesit për këtë qeveri. Kosova në mënyrë sistematike është duke bërë regres në raport me integrimin evropian dhe liberalizimin e vizave. Kur kësaj i shtohet fakti që kjo qeveri nuk i ka numrat për të votuar pothuajse më shumë se 90 për qind të iniciativave ligjore dhe ka një luftë të brendshme në mes partnerëve të koalicionit, lë për të nënkuptuar se edhe kjo qeveri nuk është në shërbim të popullit, por në shërbim të grupeve të ngushta të interesit.

“Bota sot”: Raporti i Komisionit Evropian për Kosovë ka paraqitur disa mangësi lidhur luftën anti-korrupsion. Mendoni se duhet një strategji e re?

Ehat Miftaraj: Kosova ka legjislacion të avancuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë miratimin e shumë strategjive dhe politikave në këtë drejtim. Çka i mungon Kosovës në vazhdimësi është mungesa e vullnetit politik për të luftuar këto dukuri. Përkundrazi qeveritë në Kosovë në vazhdimësi ndërmarrin veprime që cenojnë rëndë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë. Kur kësaj i shtohet fakti që sistemi gjyqësor dhe prokurorial janë të politizuar dhe nuk kanë guxim për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, vimë në situate kur Kosovën e kthyer në një oazë për njerëz që shkelin ligjin dhe besimin e qytetarëve pa frikën e pasojave juridike apo politike ndaj tyre.

“Bota sot”: Sa mendoni se janë të mbrojtur dëshmitarët në Kosovë, kemi rastin e themelimit të Gjykatës Speciale dhe vendosjen e selisë së saj në Hagë, ku thuhet se pikërisht për shkak të mos-sigurisë së dëshmitarëve, Gjykata Speciale është vendosur në Hagë?

Ehat Miftaraj: Publikimi i dosjeve nga ana e Organizatës së Veteranëve të Luftës që kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale është dëshmia më e fortë se kjo Gjykatë në fillet e saj ka dështuar për të mbrojtur jo vetëm dëshmitarët por edhe integritetin e procesit gjyqësor, që në fund mund të ketë pasoja edhe në vendimet përfundimtare të gjykatës. Fatkeqësisht, tërë kjo rrjedhje e informacionit ka kaluar në mënyrë të heshtur dhe deri më tani askush nuk është mbajtur llogaridhënës brenda këtij mekanizmi.

“Bota sot”: Sa po i realizon detyrat e saj Kuvendi i Kosovës?

Ehat Miftaraj: Është bërë shprehi në vitet e fundit të reagojmë dhe të debatojmë se kjo legjislaturë është ndër më të dobëtat në vitet e fundit. Fatkeqësisht edhe legjislatura e shtatë është duke kaluar përmes të njëjtit fenomen. Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij ka arritur të miratoj vetëm disa ligje, duke dështuar në miratimin e dhjetëra ligjeve të tjera për shkak të mungesës së kuorumit. Për më tepër ky Kuvend po dështon në emërimin e anëtarëve të bordeve dhe ndërmarrjeve publike edhe përkundër faktit se shumë prej tyre funksionojnë në mënyrë të kundërligjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat