Humbja e LDK-së në Podujevë, deputeti Shala: Ky ishte gabimi i madh i Agim Veliut

Intervista

Humbja e LDK-së në Podujevë, deputeti Shala: Ky ishte gabimi i madh i Agim Veliut

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 dhjetor 2020 Në ora: 08:06
Ardian Shala

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ardian Shala, ka folur për situatën politike, si dhe zhvillimet e fundit.

Shala ka deklaruar se përkundër përpjekjeve për stabilitet politik dhe ekonomik, faktorët që nxisin tensionimin e situatës politike po rriten dita ditës.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për humbjen e partisë së tij në komunën e Podujevës, ku e cilëson si një ndëshkim për gabimet e tyre, konkretisht të Agim Veliut, i cili u largua nga pozita e kryetarit të Komunës.

Më tej, Shala ka treguar prioritetet e tij në mandatin si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend?

Ardian Shala: Përkundër përpjekjeve për stabilitet politik dhe ekonomik, faktorët që nxisin tensionimin e situatës politike po rriten dita ditës. Padyshim që krizës politike në Kosovë i është shtuar edhe kriza pandemike, e cila mund të konsiderohet edhe një faktor shtesë edhe në krizën politike. Katapultimi i veprimeve të Gjykatës Speciale, po ashtu ka rritur seriozitetin e krizës politike ne vend. Mendoj se në situata të jashtëzakonshme, akterët politikë, duhet të tregohen të përmbajtur,kur janë në pyetje interesat vitale të vendit. Të bashkëpunojnë seriozisht dhe sinqerisht për të mirën e vendit. Shembuj të bashkëpunimit pozitë-opozitë janë treguar efikas në shumë vende të botë, kur janë ballafaquar me kriza të rënda.

“Bota sot”: Cilat janë prioritetet e tuaja në mandatin tuaj si deputet?

Ardian Shala: Vendi ynë padyshim që ballafaqohet njëherësh me shumë sfida, dhe se cila fushë për nga rëndësia është e domosdoshme të trajtohet me prioritet. Sundimi I rendit dhe ligjit, arsimi, shëndetësia, janë sektorë të rëndësisë strategjike të cilave duhet t'u jepet prioritet i lartë. Nëse këta sektorë do të trajtoheshin si duhet, dhe të vendoseshin në binarët normalë të funksionimit, atëherë padyshim që Kosova do të përjetonte zhvillimin ekonomik pastaj edhe integrimet euro-atlantike, do të bëheshin realitet. Andaj këto tri fusha janë prioriteti im si deputet i Kuvendit të Republikës.

Pra, votimi i sa më shumë ligjeve që e lehtësojnë jetën e qytetarit tonë. Po ashtu,edhe motivimi i zyrtarëve që t'i zbatojnë ato.

“Bota sot”: Si e shihni punë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Hoti?

Ardian Shala: Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Hoti, ka manifestuar përkushtim në ballafaqimin e problemeve të shumta që u paraqiten fillimisht me pandeminë,pastaj me krizën politike, që dita ditës po bëhet më e vështirë. Aspekti I ballafaqimit diplomatik ka qenë një kapitull në vete, për shkak të kompleksitetit të situatës deri para zgjedhjeve në SHBA

Pra është shumë sfiduese Qeverinë Hoti, që të merret njëkohësisht më shumë situata që kërkojnë zgjidhje të ngutshme, kur para vete ka një parlament që vështirë të sigurojë votat për miratimin e ligjeve

“Bota sot”: Një çështje që po diskutohet shumë është edhe zgjedhja e presidentit, cili është qëndrimi i juaj në këtë temë?

Ardian Shala: Me sa po shihet, zgjedhja e presidentit do të na vendosë në një krizë të re politike. Mendoj se liderët politikë do duhej të tregoheshin më bashkëpunues në mënyrë që të mos ballafaqoheshin sërish me kriza institucionale.

“Bota sot”: Si mendoni që po menaxhohet pandemia?

Ardian Shala: Në vazhdën e menaxhimit të pandemisë është për tu vlerësuar pozitivisht, por që mendoj se këtu kisha për të shtuar ndihmën e të infektuarve me virus SAR-Covid19, me mjete financiare nga Qeveria për ta përballuar koston e mjekimit.

Si dhe ngritjen e një spitali të veçantë për trajtimin e të prekurve me Covid 19.

“Bota sot”: Para disa jave, LDK-ja ka humbur zgjedhjet në Podujevë, a mund kjo të ndikoj tek votuesi i saj?

Ardian Shala: Humbja e LDK-së në Podujevë, është një ndëshkim për gabimet tona, konkretisht të Agim Veliu, i cili nuk do të duhej ta lironte postin e kryetarit të Podujevës, për t'u bërë ministër i Punëve të Brendshme. Ky ka qenë një gabim i madh që pastaj shkaktoi edhe shumë të tjera. LDK duhet të reformohet, të mësojë nga gabimet e të së kaluarës, të mos i përsëritë ato, sepse mund të vazhdojë rënia e numrit të votuesve. Një LDK reformuar, e fuqishme dhe stabile i duhet Kosovës.

Sepse LDK dhe rugovizmi si doktrinë pulitke, janë garantueset më serioze të shtetësisë së Kosovës.

“Bota sot”: Tashmë, ish kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani më nuk është pjesë e LDK-së, a do të kishte edhe kjo ndikim në rënien e votuesve të LDK-së?

Ardian Shala: Vjosa por edhe organet e LDK (Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm) do të duhej gjithsesi të gjejnë gjuhë të përafrimit e jo të ndarjes. Ndarjet nuk sjellin fitore asnjëherë. Çdo largim nga LDK-ja shkakton zvogëlim të votave, aq më tepër largimi i ish- kandidates për kryeministre nga LDK.

Mendoj se zgjidhjet ekzistojnë gjithmonë mjafton vullneti i mirë.

“Bota sot”: Si i shihini masat e marra nga Qeveria Hoti për luftimin e pandemisë?

Ardian Shala: Mendoj që ligj për rimëkëmbje ekonomike është mirëpritur nga qytetarët tanë.

Konsideroj që menjëherë duhet që qeveria të mendoj për pako tjera ndihmë për qytetarët tanë në këtë krizë që po kalon vendi ynë me pandeminë globale Covid19.

“Bota sot”: Tashmë Gjykata Speciale ka filluar punën e saj, si e komentoni këtë? Akuzat ndaj ish luftëtareve të UÇK-së, a mund të ndikojë në njollosjen e imazhit të luftës së pastër për çlirimin e vendit?

Ardian Shala: Dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë, përveç që ka shkaktuar dëme të brendshme të pariparueshme, tani edhe në sy të bashkësisë ndërkombëtare na ka shkaktuar tronditje të thellë. Duke barazuar viktimën me agresorin. Lufta e UÇK-së padyshim që ka qenë e drejtë dhe Çlirimtare. Po që se do të funksiononte si duhet sistemi i drejtësisë në vend, ndonjë individ nga UÇK-ja që eventualisht do të kishte pasur nevojë të dilte para drejtësisë, atëherë do të gjykohej në Kosovë. Dhe nuk do të ndodhte kjo që na ka tronditur si shoqëri. Në botë është krijuar një përshtypje jo e mirë për Kosovën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat