Thaçi: Albin Kurti tentoi të krijojë një regjim diktatorial, Hoti vazhdimësi e tij

Intervista

Thaçi: Albin Kurti tentoi të krijojë një regjim diktatorial, Hoti vazhdimësi e tij

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 dhjetor 2020 Në ora: 08:30
Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, deputetja nga PDK-ja, Evgjeni Thaçi ka folur në lidhje me situatën aktuale në vend, duke filluar nga situata politike e deri tek ajo me pandemi.

Thaçi u shpreh që situate politike në vend është kaotike pasi që problemet e mëdha në të njëjtën kohë kanë arritur të krijojnë një debalanacim të vendit.

Deputetja përmendi edhe zgjedhjet të cilave po ju mungon një datë por që do të ndodhin shumë shpejtë, ajo u shpreh që PDK-ja ka kërkuar vazhdimisht që ato të mbahen dhe se kanë qenë të paevitueshme, ndërsa për postin e presidentit deputetja u shpreh që partitë duhet të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin.

Image
Evgjeni Thaçi

 

Ndërsa e pyetur se sa ka ndikuar në partin PDK-së arrestimi i Veselit, deputetja u shpreh që ndikimi ka qenë i paevitushëm mirëpo që shumë shpejtë si parti kemi arritur të zgjohemi dhe të tejkalojmë këtë pjesë.

Më tej Thaçi thotë që arrestimet e Speciales nuk munden asnjëherë të prishin imazhin e UÇK-së.

Në fund, u shpreh që qeveria Hoti ishte vazhdimësi e qeverisë Kurti.

“Të dy këto qeveri kanë dëmtuar shtetin në mënyrat e tyre e që PDK-ja edhe pse parti opozitare, ishte e vetmja që me veprimet e saj në Kuvend tregoi se vazhdon të kujdeset për qytetarët dhe vendin, shtoi deputetja”.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Evgjeni Thaçi: Kosova gjendet në një situatë goxha kaotike politike. Jemi duke u përballur me shumë probleme të mëdha në të njëjtën kohë, siç janë: gjendja e krijuar pas arrestimeve nga “Gjykata Speciale”, pandemia, gjendja e rëndë ekonomike, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, etj. Të gjitha këto probleme do të ishin vështirë të menaxhueshme edhe për një shtet stabil ekonomikisht dhe politikisht, e lëre më për Kosovën ku ky stabilitet ka kohë që nuk ekziston.

“Bota sot”: Janë shpallur zgjedhjet nga Gjykata Kushtetuese, a mendoni që ka qenë opsioni i duhur në këtë situatë që gjendemi?

Evgjeni Thaçi: PDK-ja dhe unë personalisht, ka kohë që kemi kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje. U pa që qeveria Hoti nuk ishte e aftë të vazhdonte më tutje me qeverisjen e vendit. Sa më shumë që do të shtyheshin zgjedhjet parlamentare, aq më shumë dëm do t’i shkaktohej vendit. Zgjedhjet e reja kanë qenë të pa evitueshme.

“Bota sot”: Posti i presidentit vazhdon të jetë një temë diskutimi në vendin tonë, cili është qëndrimi i juaj në lidhje me këtë çështje?

Evgjeni Thaçi: Tashmë kjo çështje ka marr kahje. Ekzistojnë afatet kushtetuese, dhe është obligim i partive politike që menjëherë pas formimit të legjislaturës së re të Kuvendit, ta zgjedhin edhe Presidentin e Republikës.

“Bota sot”: Ju si parti keni propozuar për postin e kryeministrit Prof. Enver Hoxhaj, si e pritni të jetë rezultati nga këto zgjedhje?

Evgjeni Thaçi: Në mënyrë unanime, Kryesia e PDK-së ia ka dhënë besimin z. Hoxhaj për të qenë kandidati ynë për Kryeministër të Kosovës. Unë besoj shumë që me gjithë përvojën e tij politike dhe me të arriturat profesionale, z. Hoxhaj është oferta më e dinjitetshme për kryeministër që i jepet votuesit nga Kosova në këto zgjedhje. Ne po punojmë shumë në terren dhe vërehet një entuziazëm shumë i madh i elektoratit tonë që ta kthej PDK-në si parti fituese të zgjedhjeve.

“Bota sot”: A jeni në bisedime me ndonjë parti politike për koalicion të mundshëm?

Evgjeni Thaçi: PDK-ja tradicionalisht ka bërë koalicione parazgjedhore me parti më të vogla, dhe nuk e përjashtoj mundësinë që një gjë të tillë ta bëj edhe këtë herë. Megjithatë, nuk mund të them se ka diçka konkrete në këtë drejtim.

“Bota sot”: A ka ndikuar arrestimi i Veselit nga Specialja në udhëheqjen e PDK-së?

Evgjeni Thaçi: Është shumë e kuptueshme që mungesa e Kryetarit Veseli, ka ndikim të madh për PDK-në, si në aspektin emocional ashtu edhe në atë organizativ, e sidomos tani që jemi në prag të zgjedhjeve. Megjithatë unë jam shume krenare që PDK-ja ka arritur që ta marr vetën, të bashkohet si kurrë më parë, t’i mobilizojë strukturat dhe t’i dal përballë të gjitha partive që do të garojnë në këto zgjedhje, duke qenë e para që del zyrtarisht me kandidat për kryeministër, ndërkohë që partitë e tjera akoma nuk janë në gjendje të dakordohen për çështje esenciale brenda strukturave të tyre vendimmarrëse.

“Bota sot”: A mendoni që Specialja po i humbë imazhin UÇK-së?

Evgjeni Thaçi: Nuk ekziston asgjë që mund ta dëmtojnë imazhin e UÇK-së. UÇK-ja ka qenë populli i Kosovës, që ka luftuar kundër regjimit të Millosheviçit, regjim i cili ka shkaktuar gjenocid në Kosovë. Nuk ka të vërtetë tjetër.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qeverinë Hoti?

Evgjeni Thaçi: Për fat të keq, vendi këtë vit u drejtua nga dy qeveri që jo vetëm ishin më të dobëtat që kemi pasur ndonjëherë, por që të dyja ishin ilegale dhe kundërkushtetuese. Albin Kurti, për aq kohë sa ishte kryeministër, tentoi që të krijojë një regjim diktatorial, duke mos njohur dhe respektuar as ligjet e as Kushtetutën. Ai poashtu e izoloi vendin duke prishur marrëdhëniet me aleatët tanë më të mëdhenj, siç është ShBA-ja, dhe krijoi një precedent tepër të rrezikshëm duke mbyllur kufirin me Shqipërinë me të cilën dikur thoshte se duhet të bashkohemi.

Hoti që ishte zëvendës i Kurtit, e vazhdoi aty ku e la Kurti, vetëm se në ditën e dytë ai filloi me “kapjen e vërtetë të shtetit” duke vendosur njerëz të LDK-së në çdo institucion të rëndësishëm publik, qoftë ato të sigurisë, shëndetësisë, institucione financiare, etj. Përpos kësaj “kapje” të institucionëve publike, Hoti qeverisjen e tij e lëshoi në rënie të lirë, duke mos bërë fare asgjë. Nga ana tjetër, PDK-ja edhe pse parti opozitare, ishte e vetmja që me veprimet e saj në Kuvend tregoi se vazhdon të kujdeset për qytetarët dhe vendin dhe është e vetmja garancë që sakrifica për pavarësi dhe shtetëndërtim të mos shkoj huq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat