Rashiti: Kosova po prodhon jo-stabilitet institucional dhe politik me pasoja

Intervista

Rashiti: Kosova po prodhon jo-stabilitet institucional dhe politik me pasoja

Më: 7 janar 2021 Në ora: 09:13
Naim Rashiti

Drejtori i Institutit Ballkanik për Politika (BPRG) Naim Rashiti në një intervistë për DW flet për sfidat e brendshme dhe të jashtme që e presin Kosovën në vitin 2021.

DW: z Rashiti, Kosova ndodhet në një rrethanë të re politike, para zgjedhjeve të jashtëzakonshme ku brenda një periudhe të shkurtër ndërroi tri qeveri. Çfarë  do të thotë kjo për një vend të vogël sikurse është Kosova, të cilën e presin sfida të mëdha në vitin 2021?

Naim Rashiti: Fatkeqësisht Kosova e ka konsoliduar jo-stabilitetin institucional politik dhe e ka fitu imazhin e vendit me një politikë jostabile dhe kjo ka ndikuar shumë në qasjen jo vetëm të perceptimit të qytetarëve të Kosovës por edhe në qasjen dhe perceptimin e miqve ndërkombëtar, të cilët e shohin Kosovën në një krizë e cila jo domosdoshmërisht do të marrë fund me zgjedhjet e reja. Që do të ketë krizë në vitin 2021 lidhur me zgjedhjen e presidentit, dialogun  dhe çështjet e tjera është ditur, mirëpo shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë mënyrë dhe kriza kushtetuese me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e thellon krizën, sepse, mungojnë të gjithë bartësit e institucioneve. Së shpejti do të mbahen zgjedhjet por kriza dhe procesi i vështirë politik e presin Kosovën dhe partitë politike për ta zgjedhur kuvendin dhe qeverinë dhe presidentin. Ngjashëm do të jetë edhe me krizën ligjore për faktin që ende nuk është e definuar mirë, si do të zgjidhet presidenti, a do të zgjidhet presidenti para formimit të qeverisë, apo do të arrijë qeveria e re të krijojë një shumicë të mjaftueshme apo një marrëveshje politike edhe për presidentin dhe kështu me radhë. Pra në sytë e opinionistëve vendas dhe ndërkombëtar, viti 2021 shihet vit i zgjedhjeve të një pas njëshme, por edhe vit i vështirë për institucionet dhe funksionimin e tyre.     

DW: Dialogu me Serbinë kishte ngecur edhe sa ishte në pushtet, Haradinaj, pastaj qeveria Kurti. Më vonë nisi me disa takime me kryeministrin Hoti dhe ngeci sërish. Tash me zgjedhjet në Kosovë dhe kohën që duhet për formimin e qeverisë së re, sërish do  të ketë shtyrje të dialogut. Si do ta përkufizonit Ju këtë situatë?

Naim Rashiti: Në kohën e fundit dialogu ka ngecur jo domosdoshmërisht vetëm për fajin e Kosovës, të jemi të qartë. Ka ngecur  për shkak të mos koordinimit dhe mos angazhimit ndërkombëtar, një ballafaqimi si një lloj procesi paralel ndërmjet BE-së dhe SHBA-së, mungesës së angazhimit të BE-së në raport me zgjerimin dhe shtytjen përpara përkundër këtyre samiteve në Paris e Berlin e kështu me radhë. Presidenca gjermane dështoi t'i japë një shtytje tjetër me zgjerimin dhe vetvetiu e la të mangët ndërmjetësuesin e BE-së në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të njëjtën kohë ishin zgjedhjet në SHBA, që krijuan një vakuum që bëri që institucionet e BE-së ta ulinin dinamikën e punës duke pritur emërimin e administratës së re amerikane për të filluar një marrëdhënie të re.

Në aspektin e brendshëm, dialogu me Serbinë do të mbetet temë përçarëse derisa të ketë një marrëveshje, një koordinim politik të brendshëm në Kosovë ndërinstitucional por edhe ndërpolitik. A do të ndodhë kjo, për shumë kënd kanë humbur shpresat, sepse subjektet politike dhe liderët e tyre janë të papërcaktuar për një zgjidhje dhe një agjendë në dialogun me Serbinë. Pra, ata duhet të ulen dhe dakordohen për këtë proces. Përderisa nuk do të ndodhë kjo, nuk do të ketë dialog të mirëfilltë dhe marrëveshje me Serbinë. Prandaj është shumë pak e rëndësishme sesi do të duket formimi i qeverisë dhe angazhimi i qeverisë së re në procesin e dialogut pa një marrëveshje politike të brendshme. Në këtë fazë ne po humbim edhe mundësinë sado pak e vogël që ishte edhe që administrata e re amerikane së bashku me zonjën Merkel, e cila përgatitej t'i jepte një shtytje në fund të mandatit të  saj një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Tashmë me gjasë Kosova po e humbet edhe këtë mundësi, sepse procesi zgjedhor, konsolidimi i institucioneve dhe mbi të gjitha bartësve të tyre e cila do të vonojë, do ta zerë fundin e pranverës dhe nuk do të mbetet kohë eventualisht për ndonjë marrëveshje në drejtimin apo shtysën e zonjës Merkel. Kjo pastaj do të krijojë vakuume të reja, sepse në BE do të priten situata të reja dhe krahas angazhimit të administratës së re amerikane agjenda që do të jenë ende të panjohura, sepse do të jetë një administratë e re, do të ketë agjendë të re dhe BE-ja do të ulë natyrshëm dinamikën e dialogut sivjet. Pastaj vitin tjetër janë zgjedhjet në Serbi, kështu që do të jetë një vit shumë i vështirë në çështjen e dialogut me Serbinë.                 

DW: Në shtator të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e raporteve ekonomike, në zyrën e Presidentit Trump. Tani në SHBA kemi ndërrim pushteti. Duhet Kosova t'u përmbahet zotimeve të asaj marrëveshjeje, apo çfarë pritet?

Naim Rashiti: Natyrisht që Kosova duhet t'i përmbahet marrëveshjes dhe natyrisht që ka elemente të marrëveshjes të cilat duhet të zbatohen, sidomos ato në aspektin e investimeve, por  në aspektin politik, zotimet politike do të marrin formë ndryshe, sepse administrata amerikane do të fuzionojë marrëveshjet e reja amerikane dhe me gjasë do ta fuzionojë marrëveshjen e katër shtatorit me proceset e tjera të BE-së me procesin e Berlinit, procesin e dialogut të vazhdueshëm dhe do të kemi në një farë forme një fuzionim të ri, një koordinim të ri. A do të marrë agjenda një emër të ri apo jo është vështirë të dihet në këtë fazë, por aspektet politike të marrëveshjes do të transferohen në Bruksel dhe Berlin, ndërsa nga aspekti teknik siç janë investimet, studimi i fizibilitetit e të tjera dhe fondi i SHBA-së për Ballkanin do të vazhdojnë me siguri.     

DW: Kosova edhe nën presidencën gjermane të BE-së nuk e mori liberalizimin e vizave. Tash kryesinë  e BE-së e ka Portugalia, sipas mendimit tuaj, pse disa shtete po hezitojnë t'ia japin Kosovës liberalizimin e vizave, ndonëse Komisioni Evropian ka thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet. Ka të bëjë kjo me dialogun Kosovë-Serbi, apo me çfarë?

Naim Rashiti: Është aspekti më zhgënjyes dhe politika më e dëmshme që ka bërë BE-ja në raport me Ballkanin. Janë dy çështje, ajo që po ndodh me Kosovën në aspektin e liberalizimit të vizave dhe çështja  me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe ja që BE-ja ra në këtë situatë. Meqë nuk pati shpëtim për dalje nga kjo situatë nën presidencën gjermane, unë personalisht pres shumë pak progres nga presidencat e tjera dhe BE-ja do të kërkojë një momentum të ri. Fatkeqësisht numri i vendeve të cilat hezituan për t'i dhënë vizat Kosovës u rrit dhe Franca dhe Gjermania nuk e mbështetën me kohë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe masat kritike kundër apo pasive në çështjen e liberalizimit të vizave u rritën. Pra mbeti kjo agjendë e paadresuar dhe kështu do të mbetet edhe më gjatë përveç nëse ka ndonjë dinamikë tjetër në raport me qeverinë e re, institucionet e reja apo ndonjë zhvillim tjetër dramatik në BE. Megjithatë duhet të themi që qeveria aktuale e filloi një proces shumë të mirë të ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale me vendet e BE-së duke filluar me Francën, e cila do ta shtynte këtë proces përpara  dhe me gjasë kjo do të duhet të jetë formula. Pra Kosova të ulet, të konsolidohet dhe të ndërtojë marrëdhënie dhe me agjenda individuale me shtetet anëtare, sepse vendet e BE-së nuk po i besojnë dhe nuk po i mbështesin proceset e institucioneve të Brukselit dhe ato të Komisionit Evropian./DW 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat