“LDK do t’i ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, besnikëria e qytetarëve do të vërtetohet me 14 shkurt”

Intervista

“LDK do t’i ruajë marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në, besnikëria e qytetarëve do të vërtetohet me 14 shkurt”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 shkurt 2021 Në ora: 17:33
Avdullah Hoti

Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Afërdita Morina-Biffar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me zhvillimet politike dhe zgjedhjet e 14 shkurtit.

Morina-Biffar u shpreh se Kosova edhe njëherë, gjendet në një udhëkryq që do ta përcaktojë drejtimin që merr. Sipas saj, duhet të synohet ruajtja e demokracisë dhe pluralizmit në vend, vlera këto për të cilat LDK-ja është angazhuar që nga themelimi i saj.

Sa i përket zgjedhjeve, kandidatja e LDK-së tha se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Ajo deklaroi se pandemia, gjithashtu e ka bërë të vështirë kampanjën, por ka edhe diçka të mirë nga kjo, pasi po takojnë grupe të vogla njerëzish të cilët po e përkrahin programin e LDK-së.

Image
Afërdita Morina-Biffar

Ndërsa, lidhur me largimin e Vjosa Osmanit, Morina-Biffar tha se ishte një ikje që nuk do të duhej të ndodhte. Megjithatë, ajo e respektoi përzgjedhjen e saj, por e paralajmëroi se njerëzit që besojnë në LDK nuk japin votë për VV, ku ajo tash bën pjesë.

Morina-Biffar u shpreh se LDK-ja do t’i ruajë marrëdhëniet me Amerikën dhe Evropën, derisa vlerësoi se partia e saj është i vetmi gardian i shtetësisë, paprekshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si i komentoni zhvillimet politike në vend?

Morina-Biffar: Kosova edhe njëherë, sipas mendimit tim, gjendet në një udhëkryq që do të përcakton drejtimin që merr. Ruajtjen e demokracisë dhe pluralizmit, vlera këto për të cilat është angazhuar LDK që nga themelimi i saj, apo të bëj eksperimente me një frymë e cila me sloganin e saj i thotë të gjitha, Krejt dhe Drejt, i ka pasë Shqipëria e Enver Hoxhës, por populli shqiptar pasojat e atij regjimi po i vuan ende. Krejt nënkupton në total - Totalitarizmi është i rrezikshëm dhe nuk ka vend në këto troje që krahas çlirimit nga Serbia, janë përcaktuar e angazhuar me vite e dekada për demokraci perëndimore, shtet të së drejtës, me ekonomi të lirë dhe ku respektohen mendimi ndryshe e liria e secilit individ.

“Bota sot”: Tani më fushata zgjedhore gati është në përfundim dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubime dhe aktivitet pothuajse në çdo qytet. Nga ajo çfarë keni parë në fushatën zgjedhore, cili është disponimi i qytetarëve në këto tubime? Cilat janë pritshmëritë e juaja gjatë këtyre zgjedhjeve?

Afërdita Morina-Biffar: Qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme. Pandemia, gjithashtu e ka bërë të vështirë kampanjën, por ka edhe diçka të mirë nga kjo, po takojmë grupe të vogla njerëzish me të cilët po bashkëbisedojmë shtruar rreth programit dhe asaj se çfarë LDK ofron. Pra një kampanjë derë me derë. Po vërejmë një entuziazëm dhe besueshmëri të palëkundur në LDK si krijesa e vetme politike e qendrës së djathtë, e profilizuar mirë dhe anëtare zyrtare e familjes së madhe të partive popullore evropiane EPP. Të tjerat, kanë një brum, vijnë nga një kazan, dhe pavarësisht tentativave për të na imituar, mbeten në mendësi të majta dhe me prirje totalitare e me mungesë të theksuar të ekspertëve brenda tyre, që është një parakusht themelor për qeverisje të mirë. Ne i kemi të gjitha, programin, ekspertët, ideologjinë e qartë djathtiste, perëndimore dhe vlerat nga të cilat nuk lëkundemi kurrë, besimin në zot e familje dhe në demokracinë e miqësinë me Amerikën dhe Evropën, pa të cilat ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Ata që përdhosin këto miqësi dhe kujtojnë se u rritëm për të ecur vetëm, janë rrezik për Kosovën, sepse nuk janë serioz dhe nuk kanë haber me udhëheqjen e shtetit.

“Bota sot”: Cilat do të jenë çështjet kryesore që do të trajtoni në Kuvendin e Kosovës, nëse arrini t’i merrni votat e mjaftueshme për mandatin e deputetit?

Afërdita Morina-Biffar: Të gjitha çështjet që do të përmirësonin kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Parlamenti është shtëpi e popullit, kështu e quajnë shtetet me demokraci të konsoliduar, (house of nation) dhe ky tempull duhet respektuar me punë të përkushtuar, sjellje të edukuar dhe artikulim të zëshëm të çështjeve që kërkojnë trajtim e zgjidhje. Kështu e shoh unë parlamentin, dhe bazuar në këto rregulla primare do të jetë edhe angazhimi e sjellja ime aty. Do të ngrisë zërin fuqishëm edhe për barazi gjinore e të drejta të grave e vajzave të reja, do të angazhohem jashtëzakonisht shumë për të gjetur mënyra që do të ndalonin rastet e dhunës në familje. Duhet të investojmë më shumë në edukimin e brezave rreth trajtimit të grave e vajzave dhe implementimi i ligjeve që mundësojnë barazinë gjinore duhet të jetë prioritet në këtë vend në mënyrë që të ndalohet dhuna që jo rrallë përfundon me fatalitet.

“Bota sot”: Si e komentoni largimin e Vjosa Osmanit nga partia juaj, a do të ndikojë kjo gjë në zvogëlimin e votave elektorale në këto zgjedhje?

Afërdita Morina-Biffar: Një ikje që nuk do të duhej të ndodhte. Nuk mund të bësh thirrje një herë të ta besojnë, e që i besuam e punuam fort se mes tjerash, deshëm ta bëjmë historinë si LDK duke garuar me një grua në krye të listës tonë, dhe disa muaj pas, ajo na thotë guxo braktise shtëpinë tënde e shko puno për tjetrin! Kjo nuk ka lidhje me sjellje të matur politike, sidoqoftë ajo ka bërë përzgjedhjen e vet, por njerëzit që besojnë në LDK nuk japin votë për VV ku ajo tash bënë pjesë.

“Bota sot”: Kohëve të fundit shumë kompani kanë publikuar sondazhe të ndryshme, ku LDK-në e vendosin herë si partinë e dytë ose të tretë. Sa ju duken të besueshme këto sondazhe?

Afërdita Morina-Biffar: Të ju them të drejtën ne po punojmë në teren dhe nuk po merremi fare me sondazhet. Ajo çfarë ne po shohim kudo që po shkojmë flet për besnikërinë e elektoratit tonë që besoj se do të vërtetohet me 14 shkurt, ku qytetaret do ta shprehin edhe njëherë dashurinë që vazhdojnë me ndje për LDK-në krijesën e parë politike-demokratike në këto troje që na e la trashëgimi me vlerë, presidenti Rugova.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, a duhet që qeveria e ardhshme ta ketë një nga prioritetet e saj kryesore, gjatë qeverisjes?

Afërdita Morina-Biffar: Në koordinim me aleatët tanë të fuqishëm, Amerikën dhe Evropën, dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke dhe ecje tutje në zhvillimin e konsolidimin e shtetit tonë, mirëmbajtjen e aleancave dhe mbi të gjitha duhet të ecim shpejtë me zhvillim ekonomik, arsimor e shëndetësor. Të gjitha këto mund t’i bëjë më së miri LDK e cila edhe në përmbylljen e dialogut është i vetmi gardian i shtetësisë, paprekshmërisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Këtë e kemi dëshmuar sa herë, ndërkohë që të tjerët lëshoheshin në eksperimente të rrezikshme që nuk guxojnë as të vërehen në tavolinë.

“Bota sot”: A mendoni se gjatë kësaj fushate zgjedhore ka munguar një debat televiziv mes kandidatëve për kryeministër të vendit, lidhur me ballafaqimin e temave kryesore nga programet e tyre qeverisëse?

Afërdita Morina-Biffar: Nuk mund të përballen të pabarabartit. Zhurmuesit, popullistët dhe demagogët në parim i ikin përballjeve me ekspertët dhe intelektualët e mirëfilltë. Kështu tentojnë të manipulojnë masat e qytetarëve me gënjeshtra e popullizma sa për t’ua marrë votën, ndërkohë që përballja në studio televizive do ti zhveshë lakuriq, prandaj nuk po pranojnë të shfaqen, jo vetëm në nivele kryeministri, por as kandidatët tjerë që VV i ka ne listë, një listë që brenda saj ka një grumbullim të njerëzve që lidhje nuk kanë me listë të përbashkët, por që ngjajnë me një thes ku njeriu futë çdo gjë që i del para në rrugë.

“Bota sot”: Si e komentoi qeverisjen e Avdullah Hotit gjatë këtyre muajve, a duhet që qytetarët ta votojnë prapë bazuar në punën e tij të bërë deri më tani?

Afërdita Morina-Biffar: Natyrisht, kanë bërë punë të jashtëzakonshme në rrethana të jashtëzakonshme. Ndihmesat ekonomike për subjektet afariste dhe kategoritë tjera shoqërore, futja nën kontrolle e pandemisë që ka gjunjëzuar botën, riparimi i dëmeve ndërkombëtare që shkaktoj qeveria Kurti me papërgjegjshmëri shtetërore e arrogancë fëmijërore, në qeverisjen Hoti kulmoi me marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë dhe njohjen e Kosovës nga Izraeli. Krejt këto për disa muaj, as një vit, paramendoni sa punë të mira do të ishin bërë për një mandat.

“Bota sot”: Si e vlerësoni koalicionin me Aleancën Kosova e Re, a mendoni se ishte subjekti i duhur për marrëveshje bashkëpunimi?

Morina-Biffar: Po, ne kemi ngritur bashkëpunim edhe në të kaluarën me AKR-më dhe votuesit e pranojnë bukur mirë aleancën tonë me ta.

“Bota sot”: Në përgjithësi si i keni parë fushatat zgjedhore të të gjitha partive politike në kohë pandemie?

Afërdita Morina-Biffar: Nuk kam pasur kohë të shikoj fushata e partive tjera, kam punuar shumë në teren, fshat me fshat, e në qytet derë më derë anekënd dhe kjo përvojë që të mundëson me taku e njohtë shpirtin e madh të qytetarëve të Kosovës mbetet për mua një ndjenjë që vështirë se mund të gjenden fjalë për ta përshkruar. Kudo zemërgjerësi dhe buzëqeshje kam gjetur e kam takuar dhe kjo nuk ka çmim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat