Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK: Fitorja e Vetëvendosjes e pritshme – ja pse LDK pësoi rënien më të madhe

Intervista

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK: Fitorja e Vetëvendosjes e pritshme – ja pse LDK pësoi rënien më të madhe

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 mars 2021 Në ora: 11:51
Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në UÇK, Hafir Hoxha, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit kanë sjellë një rezultat të pritshëm.

Sa i përket rënies së madhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hoxha në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se kjo parti ka bërë në vazhdimësi gabime dhe sipas tij, këto gabime kanë ndikuar që kjo parti në këto zgjedhje të ketë një rezultat të pafavorshëm.

Hoxha është i mendimit se Lidhja Demokratike e Kosovës edhe përfundimisht e ka kuptuar se duhet bërë ndryshime, mirëpo, ai konsideron se problemi kryesor në këtë parti është rrënjësor.

Ish-komandanti i Batalionit të Policisë Ushtarake në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në këtë intervistë ka folur edhe për rritjen e madhe që patën Kurti dhe Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit, për mënyrën se si është qeverisur Kosova nga Avdullah Hoti dhe për qeverinë në ardhje të Albin Kurtit.

“Bota sot”: Kosova ka organizuar zgjedhjet e 14 shkurtit sipas standardeve të kërkuara. Si i keni parë ju këto zgjedhje dhe rezultatin e tyre?

Hafir Hoxha: Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ishin zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi u mbajtën kur dështuan institucionet e vendit të zhvillojnë politikë konstruktive në vend. Pati shumë sabotazhe të qëllimshme mes subjekteve politike në qeverisje, prandaj detyruan vendin edhe ashtu të varfër që të shkojë sërish në zgjedhje, të shpenzohen para pa arsye. Zgjedhjet u mbajtën gjatë pandemisë Covid-19 që rrezikoheshin qytetarët gjatë fushatës së partive politike. Në të gjitha këto elemente të lartpërmendura, qytetarët e Kosovës treguan seriozitet, kulturë, disiplinë dhe mbi të gjitha treguan edhe vetëdijsim se kanë filluar të mendojnë secili për veti me arsye e jo të votojnë pa e arsyetuar votën për një subjekt me fakte konkrete.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje nga këto zgjedhje ka pasur një rezultat të jashtëzakonshëm. Sipas jush, pse gjithë kjo përkrahje për Kurtin e Osmanin?

Hafir Hoxha: Lëvizja Vetëvendosje arriti një rezultat të cilin e kemi pritur të gjithë qytetarët, tek ne më tepër se sa duhet përcjellim politikën, fatkeqësisht këtë e imponojnë liderët politik, përmes medieve të shumta ku promovojnë aktivitetet e tyre politike dhe përqindja e madhe e popullatës janë të papunë, në media nuk kanë shumëçka të zgjedhin, prandaj detyrohen të përcjellin debatet, analizat, konfliktet, dhe intrigat politike. Kjo prezencë e tepruar e politikës në opinion e ka stërngarkuar qytetarin në aspektin psikik, pasi qytetarët e kanë stresin e tyre me vështirësi ekonomike, shëndetësore e sociale, ato probleme i mbulojnë problemet politike dhe tani qytetari ka vendosur që t’i heq ndikimet, telashet dhe konfliktet e tepruara politike mes partive të tyre nga prezenca e tepruar në përditshmëri dhe kanë vendosur të votojnë aty ku presin një stabilitet politik, ku do të dënohen keqbërësit dhe ku pritet që të ç’kapet shteti dhe më në funde të fillojnë institucionet t’i zbatojnë ligjet më mirë, me transparencë dhe të zvogëlojnë krimin ekonomik, politik dhe korrupsionin që është prezent në vend. Për t’u arritur kjo, qytetarët votuan njerëz të rinj, që nuk janë më as nga krahu ideologjik imagjinar i një politike abstrakte e që e quajnë politikë rugoviane, dhe as politikë e komandantëve të UÇK-së, ku me pa profesionalizëm e udhëhoqën luftën dhe ashtu pa shkollim adekuat dhe pa njohuri për politikëbërje, pra aksidentalisht për shkak luftës formuan partitë e tyre pasluftës si krah i luftës dhe dëmtuan edhe demokracinë dhe shtet-ndërtimin ashtu sikur është dashur. Pra, për gabimet tashmë të njohura në 20 vitet e fundit. Qytetarët votuan njerëz që nuk janë nga këto dy rrafshe politike të lartpërmendura, e këta ishin Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

“Bota sot”: Për dallim nga Lëvizja Vetëvendosje, është Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo që i ka përjetuar më së keqi këto zgjedhje. Pse gjithë kjo rënie? Çfarë ka ndikuar në këtë rezultat?

Hafir Hoxha: LDK ka rënie logjike të votave, njerëzit që kanë votuar deri më tani në emër të Rugovizmit janë të moshuar dhe është pakësuar numri i tyre. Rinia kërkon koncepte dhe projekte konkrete. LDK ishte strukturë politike që kishte të instaluar; një rrënjë të politikës komuniste, pra duhet të ishe pionier si fëmijë i edukuar i kësaj lëvizje, të kesh fakte e dëshmi që je rritur dhe ke krijuar në atë parti që më vonë të jesh me ndonjë detyrë dhe funksion në atë parti. Pra, njëjtë sikur një klub i futbollit që nuk blen lojtar të gatshëm, por t’i ketë vetëm ata që vet i shkollon nga akademia, në këtë globalizëm politik kjo qasje është e gabuar, prandaj, LDK-së i kanë ikur ekspertët e të gjitha lëmive pasi nuk janë shfrytëzuar dhe nuk janë futur si fuqi në gjeneratorin e politikëbërjes në LDK, dhe si kuadro kërkuan dhe gjetën funksion aktiv në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe subjekte tjera si ekspertë e jo si pionierë politik të partisë. Kjo qasje e ka dëmtuar seriozisht LDK-në dhe kuptohet udhëheqësia e partisë e cila ishte përfituese e mbyllur, diktatoriale dhe e vjetruar, e ngadalshme në krahasim me ritmin politik që ndodhë tani kudo.

“Bota sot”: A gaboi Lidhja Demokratike e Kosovës me largimin e Vjosa Osmanit?

Hafir Hoxha: LDK ka gabime graduale afatgjate, duke kritikuar dhe kërkuar hetuesi në vrasjet politike gjatë fushatës parazgjedhore dhe kur ishte në pushtet kurrë asgjë nuk bëri në atë drejtim. Këtë qytetarët e kanë vërejtur, pastaj mbledhin vota për një orientim, një drejtim politik dhe pasi i përfundonin votat në çantë, shkonin dhe bënin pazare dhe zhvillonin politikë krejt në drejtim tjetër. Pra, abuzonte, bënte pazar me votën e qytetarit për të cilin pazarë nuk ishin dhënë ato vota. Njerëzit e sinqertë, korrekt dhe të fortë në LDK me kohë kanë reaguar në këto politika të gabuara të LDK-së, por udhëheqja e këtij subjekti ishte në imagjinatë dhe ideologji të gabuar, nuk i konsideronte si ndërhyrje konstruktive zërat kritik dhe atëherë u kthente kundër tyre, gjuante gurë edhe me dezinformata e propaganda ndaj atyre njerzëve, u mundonin t’i shkundin, t’i zhveshin ata nga simpatizuesit e LDK-së, por ndodhi e kundërta, ata ishin sikur tek fenomeni i bletës, pra, ata zëra ishin ëma e bletës ku nga to do të merrte më shumë se gjysmën e bletëve të koshiqes, e kur mbeti koshiqja e zbrazët e kuptuan se kanë gabuar.

“Bota sot”: Tashmë kjo parti ka filluar reformat e brendshme. Mendoni se do të kthehet në binarë LDK-ja pas këtij procesi?

Hafir Hoxha: LDK tani ka kuptuar se duhet bërë ndryshime, por problemi i madh është gjenetik, problem rrënjësore që është vështirë për t’u zgjidhur, pasi tani më janë dy koncepte parimore se si të bëhen ndryshimet e kjo është një vështirësi e madhe; A. Nëse në LDK mundohen të zgjedhin pionierët që janë rritur në LDK dhe kurrë nuk janë larguar nga aty dhe veten e thërrasin më Rugovista se kushdo tjetër i bie se LDK nuk do të rritet, me këtë logjik do të rritet në pionier të ri që ende nuk janë 15 vjeç pasi sipas tyre ata që kanë kritikuar LDK-në ose kanë mbështet zërin kritik në LDK nuk janë Rugovista, por janë kancer i LDK-së dhe rënia e partisë është bërë nga ta dhe ata individë që s’kanë çka kthehen më në LDK. Ky është koncepti i gabuar dhe vështirë që lëshojnë pe këta njerëz ku në ta është edhe Kryesia në dorëheqje. B. Drejtimin B e paraqesin ata që u kritikuan në variantin A dhe këta e kanë vështirë të kthehen dhe të marrin pozita udhëheqëse në parti, pasi konsiderohen nga pakica e mbetur si dezertorë, si elemente turbulluese, që nuk kanë qenë stabil, të luhatshëm disa kanë pauzuar në LDK, disa edhe janë kyç në subjekte të tjera, prandaj, këto dy rryma do të jenë telashe dhe përçarje serioze. Shpëtimi i LDK-së do të ishte amortizimi së pari i të dyja palëve, dyjat t’i pranojnë gabimet, të bëjnë udhëheqje të balancuar dhe të kombinuar nga dy drejtimet ashtu do të shpëtojnë LDK-në, përndryshe dëmi do të jetë edhe më fatal. Nëse nuk i pranojnë ata që ishin në LDK nuk di me cilët njerëz do ta fuqizojnë partinë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e Qeverisë së Avdullah Hotit përgjatë kësaj periudhe?

Hafir Hoxha: Kryeministri Avdullah Hoti është person i mençur dhe i dëgjueshëm, por duhet ta kuptojë fuqinë dhe mundësinë që ka në këtë funksion, pra nuk duhet të merret me punë e telashe të mëdha globale, por me punë shtëpiake, me punë të Kosovës dhe qeverisë. Ky për shumë gjëra i ka dhënë kosës, e kështu nuk mundet me e mbajt kosën.

“Bota sot”: Shumë shpejt pritet edhe krijimi i Qeverisë së ardhshme të Kosovës, e cila pritet të drejtohet nga Albin Kurti. Cilat janë pritjet tuaja për ekzekutivin e ri?

Hafir Hoxha: Qeveria e re e Albin Kurtit shpresoj dhe besoj që do të merret me punët shtëpiake. Kurti e ka kuptuar fuqinë dhe pozitën e Kosovës në politikën globale, prandaj pres që të merret me punët që mundet t’i ndryshojë dhe t’i lëviz, me lëvizjet e punëve të vogla lëvizin dhe shihen edhe punët e mëdha. Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Sllovenia etj, duhet ta kuptojnë se nuk kanë fuqi as funksion në politikëbërje të politikës globale, s’kanë çka harxhojnë mend dhe kohë aty, në këto shtete liderët duhet të jenë të dëgjueshëm, fleksibil, dinamik në punët e tyre të mbarë. Po e krahashojmë në një anije të madhe luftarake detare: Konceptin e anijes, çmimin, modelin, karakterin, dukjen, funksionin e caktojnë vizitorët, pronarët, arkitektët. Atë anije e ndërtojnë me mijëra ndërmarrje të vogla, dikush i prodhon pjesët e motorit, dikush rubinet, tjetri perdet, dikush dritaret, hidraulikët, tjetri armatimin, dikush busullën etj, etj, dhe këto shtetet ballkanike që përmenda, pra edhe Kosova e ka një detyrë vetëm për një element të vogël të anijes që ndërton dhe asgjë më shumë. Nuk mundemi as nuk duhet të hupin kohë duke folur për anijen e madhe në tërsi, për gjerat që në nuk i dimë as nuk vendosim. Paqja është projekt i madh, atë e ndërton pronari i OKB-së dhe NATO-s, e ne duhet t’i zbatojmë urdhrat dhe t’i kërkojmë punët tona çka të kërkojnë ata. Pra, për momentin po kërkojnë të kemi shtet dhe udhëheqje stabile në ekonomi dhe siguri, kjo është detyra jonë, këtu duhet të punojmë. Pra, nga Osmani dhe Kurti pres që të merren me punët e shtëpisë, të jenë përgjegjës, transparent, të ngritët ekonomia dhe punësimi, perspektiva e bizneseve dhe e rinisë në vend, të krijohen kushtet joshëse, të lehta dhe të sigurta nga investitorët nga jashtë dhe nga diaspora. Të luftohet krimi dhe korrupsioni, dhe mos të merren me punët e kota të Amerikës dhe Rusisë.

Pasi ka ndryshime në vota, besoj dhe shpresoj që edhe opozita të ndryshojë politikën e deritanishme që kishte e ajo ishte më shumë politik inatesh, xhelozi deri tek konfliktet individuale që u zhvillonin në parlament, e që ishte qasje destruktive e gabuar e opozitës. Shpresojmë që tani opozita të ketë qasje konstruktive, të bëjë mbikëqyrjen e punës së qeverisë në mënyrë korrekte, dhe t’i shmangemi politikës destruktive dhe sabotazheve në Kuvend duke qenë aktive me ide e projekte për fuqizim dhe përforcim të institucioneve. E, pas anëtarësimit në NATO, ne duhet t’i kryejmë punët tona që kërkohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat