Imet Rrahmani numëron katër arsyet për rënien e LDK-së, tregon a do t’ia bëjnë Osmanit kuorumin për presidente

Intervista

Imet Rrahmani numëron katër arsyet për rënien e LDK-së, tregon a do t’ia bëjnë Osmanit kuorumin për presidente

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 mars 2021 Në ora: 18:13
Imet Rrahmani

Lidhja Demokratike e Kosovës gjendet në një udhëkryq politik, pas humbjes së madhe në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Me 14 mars, LDK do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme, me që rast një kryetar i ri dhe kryesi e re, pritet ta udhëheqin atë drejt reformimit dhe rikthimit në nivelet më të larta të skenës politike.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka komentuar arsyet e rënies së LDK-së në zgjedhjet parlamentare dhe zhvillimet e fundit brenda partisë.

Rrahmani deklaroi se nuk e kishte pritur aspak rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, ndonëse kishte pasur indikacione për ndryshim. Mirëpo, ai tha se këtë rezultat e kanë pranuar të gjithë, edhe pse edhe njëherë po faktohen shumë devijime të vullnetit të votuesit.

Tutje, kandidati për deputet përmendi edhe arsyet e rënies së votave elektorale të LDK-së. Njëra nga këto arsye, sipas tij është se LDK ka qeverisur një periudhë të gjatë dhe përkundër rezultateve të mira dhe sukseseve në të gjitha segmentet, nevojat e vendit dhe qytetarëve janë shumë më të mëdha se sa ato që janë arritur.

Rrahmani komentoi edhe kandidatët për postin e kryetarit të LDK-së, derisa u shpreh se beson që këta emra, por edhe shumë të tjerë, do të jenë pjesë e ekipit i cili do ta dërgojë përpara procesin e reformimit dhe rikthimit të madh.

Në fund, padyshim që komentoi edhe kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente. Në pyetjen se a do t’ia bëjë LDK kuorumin Osmanit, Rrahmani tha se “LDK ka dëshmuar shumë herë se është për krijimin e stabilitetit të brendshëm politik”, duke mos e mohuar kështu mundësinë që LDK ta ndihmojë Osmanin rreth marrjes së këtij posti.

“Bota sot”: Si e komentoni gjendjen politike në vend, pas zgjedhjeve parlamentare?

Imet Rrahmani: Gjendja politike në vend mund të themi se është si çdo situatë deri tash pas një procesi zgjedhor, kemi fituesit dhe humbësit. Ka nevojë që sa më shpejt të bëhet konstituimi i institucioneve dhe implementimi i rezultatit zgjedhor që të i jepet një shans stabilitetit institucional. Zgjedhja e presidentit është testi i parë dhe shumë i rëndësishëm në stabilitetin e nevojshëm për të mundësuar që institucionet e reja të fillojnë të përballen me problemet reale që ka Kosova siç është pandemia, dialogu, zhvillimi ekonomik dhe shteti ligjor. Tek e fundit edhe i kanë pasur premtime elektorale e duhet parë se sa do të jenë të përkushtuar si fitues.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, a ishte ky rezultat i pritur?

Imet Rrahmani: Jo nuk është pritur ky rezultat edhe pse ka pasur indikacione se qytetarët po kërkojnë ndryshim, qoftë edhe ndryshim që fare nuk garanton prosperitet të vendit. U krijua opinioni, falë edhe propagandës brutale nga të gjitha anët, kundër partive që qeverisën deri tash dhe pro një partie të provuar shkurt. Megjithatë, ky është rezultati që e kanë pranuar të gjithë, edhe pse edhe njëherë po faktohen shumë devijime të vullnetit të votuesit.

“Bota sot”: Sipas jush, cilat ishin arsyet kryesore të rënies së elektoratit të LDK-së?

Imet Rrahmani: Unë mendoj se ka shumë faktorë:

E para, LDK ka qeverisur një periudhë të gjatë dhe përkundër rezultateve të mira dhe sukseseve në të gjitha segmentet, nevojat e vendit dhe qytetarëve janë shumë më të mëdha se sa ato që janë arritur. Kjo mos përmbushje e arsyeshme e nevojave është e kuptueshme për partitë politike por jo edhe për votuesit.

E dyta, LDK në historikun e kontributit të saj në shtet ndërtim, shpesh është dashur që të bëj kompromise, marrëveshje dhe koalicione që nuk i janë shpjeguar mjaftueshëm votuesit të saj dhe si të tilla këto veprime nuk janë pranuar si të mirëqena nga ata.

E treta si duket demokracia e brendshme, në vend që të sjellë te konkurrimi i ideve për procese është shndërruar në konkurrencë të interesave personale politike duke sjellë deri te mostolerimi individual dhe grupor, gjë që disa zgjidhjen e kanë parë në ikjen nga LDK-ja dhe jo në debatin e brendshëm.

Dhe e fundit, propaganda e pandershme dhe e padrejtë kundër dhe vetëm kundër LDK-së dhe lidershipit të saj, në vitet e fundit krijoj opinionin elektoral që LDK duhet të ndëshkohet. Të gjithë u quan kundër LDK-së të orkestruar dhe dirigjuar nga kampi pro VV-së, sikur vetëm kjo parti të kishte ekzistuar në Kosovën e pasluftës dhe pavarësisë. Të gjitha dështimet eventuale në proces na u faturuan vetëm neve, duke harruar se asnjëherë LDK nuk ka qeverisur vet, bile as edhe kur e ka pasur mundësinë me numra.

Prandaj, kjo votë "kundër" bëri të pashmangshëm reflektimin e udhëheqësit të LDK-së dhe tash jemi në proces të jashtëzakonshëm zgjedhor brenda partiak.

“Bota sot”: Me 14 mars pritet të mbahen zgjedhjet e brendshme në LDK, a mendoni se ky do të jetë hapi i parë drejtë një reformimi të brendshëm partiak?

Imet Rrahmani: Hapi i parë unë mendoj se ka ndodhur me leximin e drejtë të rezultatit zgjedhor dhe votës "kundër", qoftë edhe e pamerituar në këtë masë, nga kryetari i partisë.

Unë besoj se Kuvendi i 14 Marsit do të paraqet hapin e dytë të madh drejt fillimit të konsolidimit. Është e domosdoshme për partinë që LDK pas këtij procesi të reflektoj unitet dhe shpresë te votuesit besnik dhe tek ata që në këtë moment janë të hidhëruar me LDK-në.

“Bota sot”: Anton Quni, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhiku janë kandidatët kryesor për post për kryetarit, sipas jush cili duhet të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së? Dhe pse?

Imet Rrahmani: Besoj se këta tre emra, por edhe shumë të tjerë, do të jenë pjesë e ekipit i cili do ta dërgojë përpara procesin e reformimit dhe rikthimit të madh. Unë mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të respektojë çdo pjesë të historisë së saj dhe kontribuuesit e dëshmuar të saj në këtë histori. LDK ka nevojë për një kryetar i cili ka përvojën dhe kujtesën e funksionimit të partisë nga vitet e para, një kryetar që ka përvojën e zhvillimit të betejave politike në të gjitha nivelet dhe në të gjitha rrethanat, një kryetar që mund të unifikoj të gjitha gjeneratat dhe të gjitha dallimet në politikë bërje të individëve brenda partisë dhe atyre që për arsye të ndryshme janë larguar. Besoj se këto mund t’i garantojë një ekip të madhe me në krye Lutfi Hazirin.

“Bota sot”: Nëse Lutfi Haziri zgjidhet kryetari i partisë, në zgjedhjet komunale të cilat priten të mbahen në fund të këtij viti, a mund t’ju shohim juve si kandidat për kryetar të Gjilanit nga radhët e LDK-së?

Imet Rrahmani: Jo, unë nuk kam pretendime për kandidatura të reja në asnjë nivel. Do të jem argat i madh i të gjitha proceseve tjera dhe pranë çdo emri tjetër që do ta nominojmë bashkë me strukturat qendrore dhe ato të degës.

“Bota sot”: Vjosa Osmani është kandidate për postin e presidentes, a do ta votojë ose a do t’ia bëjë kuorumin LDK?

Imet Rrahmani: LDK ka dëshmuar shumë herë se është për krijimin e stabilitetit të brendshëm politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat