Flet epidemiologia Bedrie Rama, tregon gjendjen me Covid në Komunën e Podujevës

Intervista

Flet epidemiologia Bedrie Rama, tregon gjendjen me Covid në Komunën e Podujevës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 mars 2021 Në ora: 11:50
Bedrie Rama

Kosova ka tashmë një vit që po përballet më pandeminë globale Covid19. Me virusin korona po përballet edhe Podujeva.

Për gjendjen në këtë komunë ka folur në një intervistë për “Bota sot”, epidemiologia Bedrie Rama, e cila punon në Spitalin e Podujevës.

Ajo ka përshkruar situatën me pandeminë në Spitalin e Podujevës, duke thënë së është përkeqësuar.

Rama ka treguar se në Podujevë ka pacientë të cilët janë ri-infektuar me Covid-19.

Më tej, ajo ka treguar se Spitali i Podujevës ka mungesë të mjekëve, kjo për shkak se një numër i mjekëve kanë shkuar në specializim.

Ajo ka bërë apel të qytetarët që të mos dalin nga shtëpia pa pasur nevojë dhe të mos ketë tubime të ndryshme, pasi po rrezikojnë njëri-tjetrin.

“Bota sot”: Si është gjendja në spitalin rajonal të Podujevës?

Bedrie Rama: Sa i përket situatës epidemiologjike në rajonin e Podujevës, normal që është keqësuar situata, numri i rasteve është në rritje, deri para tre jave ka ndryshuar numri i rasteve me Covid-19. Dhe, secilën javë kemi pasur numër më të madh të rasteve, e sidomos në javët e fundit. Në raport me numrin e të testuarve kemi një përqindje të lartë të të infektuarve, mund të them që brenda tri dite është më tepër se 110 numri i rasteve i përgjithshëm, për tri ditë.

“Bota sot”: Sa persona gjenden të shtruar në spital? Dhe si është gjendja e tyre?

Bedrie Rama: Me sa jam unë e njoftuar për pacientë, numri nuk është edhe aq i madh se shumica e pacientëve me një sëmundje me intensitet mesatar janë duke u trajtuar në shtëpi dhe në qendrën anti-Covid, por me qa sa jam e njoftuar unë, janë 9 pacientë të shtruar në spital.

“Bota sot”: A keni kapacitete për mbulimin e rasteve me Covid-19?

Bedrie Rama: Njëherë për njëherë është situata e menaxhueshme edhe hapësirë kemi mjaft, mirëpo kemi nevojë për mjekë, për arsye se një numër i mjekëve kanë shkuar në specializim, 12 prej tyre për ta përfunduar specializimin, për këtë kemi mungesë të mjekëve.

“Bota sot” Ju keni konfirmuar se ka raste në Komunën tuaj që janë ri-infektuar me Covid-19. Si po menaxhohet kjo, a janë simptomat e njëjta?

Bedrie Rama: Po, janë 7 persona riidentifikuar që janë ri-infektuar me Covid-19 dhe simptomat janë të njëjta kurse të disa kanë qenë simptoma më të rënda.

“Bota sot”: Znj.Rama, në komunën e Podujevës u ndërrua dhe pushtet. Sa ka ndikuar kjo në gjendjen pandemike?

Bedrie Rama: Jo, nuk mund të them se ka ndikuar.

“Bota sot”: Së fundmi janë rritur shumë rastet e të prekurve me Covid. Pse mendoni se po ndodh kjo, çfarë ka ndikuar?

Bedrie Rama: Kohëve të fundit numri i të infektuarve po rritet edhe jashtë Kosovës, domethënë në shtetet rajonale dhe në shtetet evropiane edhe pa marrë parasysh që masat anti-Covid janë më të rrepta edhe është rrit numri. Kemi prit edhe ne këtu në Kosovë, edhe në Podujevë, që ka për t’u rrit numri sepse mërgimtarët janë në lëvizje nga shtetet e tjera në Kosovë, e dyta është që edhe qytetarët tanë nuk janë duke i zbatuar rekomandimet për mbrojtje anti-Covid.

“Bota sot”: Cili është apeli juaj për qytetarët?

Bedrie Rama: Apeli im është që qytetarët mos të dalin nga shtëpia kur nuk është aq e nevojshme, të ndalohen vizitat familjare, zakonisht burim infeksioni kemi shumë edhe lidhjet familjare mandej edhe në kafiteri kisha apeluar që sa më pak të ketë tubime për arsye që mos të rrezikojë edhe tjetrin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat