Kryetari i degës së LDK-së në Britani flet për punën e Qeverisë, Abdixhiku një lider i vërtetë

Intervista

Kryetari i degës së LDK-së në Britani flet për punën e Qeverisë, Abdixhiku një lider i vërtetë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 prill 2021 Në ora: 21:38
LDK

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Britani të Madhe, Alban Nuredini, ka thënë se nuk ka pritje të mëdha nga Qeveria Kurti.

Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Bota sot”, ai ka bërë me dije se kryeministri Albin Kurti, ka ardhur në pushtet me kauza propaganduese, paranoike dhe populiste.

Sa i përket reformave brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nuredini shprehet se ato janë si rrjedhojë e zhvillimeve politike të cilat e kanë determinuar një situatë reflektimi brenda dhe jashtë Kryesisë, degëve, andaj ai mendon se ristrukturimi i LDK-së ka qenë nevojë permanente dhe substanciale.

Image
Alban Nuredini

I pari i degës së LDK-së në Mbretëri të Bashkuar, ka folur edhe për kryetarin e ri të këtij subjekti. Ai është i mendimit se Abdixhiku e dëshmoi që në fillim se është një lider i vërtetë dhe se nuk mendon vetëm për zgjedhje të ardhshme, por për stabilitetin shtetëror para së gjithash.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Në shkurt të këtij viti keni ardhur në krye të degës së LDK-së në Britani të Madhe. Nga këta muaj sa jeni në krye të kësaj, sa keni arritur ta analizoni gjendjen e kësaj dege?

Alban Nuredini: Angazhimi im në Lidhjen Demokratike te Kosovës, nuk është se ka filluar nga shkurti i vitit 2021. Kam qenë i përfshirë në struktura të LDK-së dhe kontributi personal dhe familjar është jetik për Lidhjen. Dega e LDK-së, në Britani ka qenë e themeluar, angazhimi dhe puna e saj paraluftës dhe pas saj është historike. Dega jonë sot në Britani është rifunksionalizuar edhe me anëtarë të rinj, të cilët janë bashkuar rreth një ideje universale që LDK, e proklamon në rrugëtimin e saj politik ndër vite. Personalitete që kanë një vizion të qartë rreth ideologjisë rugoviane. Andaj, kujtoj në formë gjenerale koordinimi me qendrën e LDK-së, për ne si degë në Mbretëri të Bashkuar, do të jetë urë lidhëse me zotimet që diaspora të trajtohet me kujdes të veçantë në vendimmarrje.

“Bota sot”: Lidhja Demokratike e Kosovë së fundi ka dalë edhe me disa reforma në Kryesi? Si i keni parë gjithë këto ndryshime?

Alban Nuredini: Reformat besoj që janë rrjedhojë e zhvillimeve politike të cilat e kanë determinuar një situatë reflektimi brenda dhe jashtë Kryesisë, degëve, prandaj ristrukturimi vetë brenda LDK-së, ka qenë nevojë permanente dhe substanciale.

“Bota sot”: Mendoni se kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, dhe Kryesia e re do arrijnë ta kthjellin partinë?

Alban Nuredini: Kryetari i Lidhjen Demokratike të Kosovës, z. Lumir Abdixhiku, nga dita e parë, më të marrë përgjegjësin, ka treguar maturi politike e cila përkthehet, në stabilitet unifikues të shtetit të Kosovës. Idetë dhe rrugëtimi i tij janë të qarta. Këtë deklarate, secili duhet ta kuptojë drejt, z. Abdixhiku, mori përgjegjësinë brenda LDK-së, nga një kuvend zgjedhor i lirë dhe demokratik. Ai erdhi në krye të LDK-së, pas një rezultati zgjedhor të pamenduar kurrë më parë. (Si subjekti i tretë në vend). Sido që të jetë, në skenën politike për dallim nga subjektet e tjera opozitare, shmangi çdo bllokade shtetërore dhe zgjedhje te reja për shkak të situatës me pandeminë Covid-19. Dhe iu dha mundësinë pozitës të fillon punën dhe të respektoj secilën votë dhe besim qytetare. Dhe pse, pozita, pushteti aktual po duken të jenë të paaftë për të qeverisur. Pra, z. Abdixhiku e dëshmoi se një lider i vërtetë nuk mendon vetëm për zgjedhje të ardhshme, por për stabilitetin shtetëror para së gjithash.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit? Çfarë shkoi keq më LDK-në?

Alban Nuredini: Kjo i mbetet të së kaluarës. E vërteta është se ky ka qenë rezultati më i keq zgjedhor që LDK e ka pranuar që nga themelimi i saj. Por, cilët janë faktorët kryesor dhe përgjegjësitë ku të adresohen po besoj që tashmë secili i di dhe i ka të qarta.

“Bota sot”: Zgjedhjet lokale janë duke u afruar. Mendoni se me ndryshimet e bëra në Kryesi dhe në degë do të ketë rezultat më të mirë, krahasuar me ato të 14 shkurtit?

Alban Nuredini: LDK është e gatshme në çdo situatë. Qofshin zgjedhje lokale ato apo qendrore. Paçka një gatishmëri jetike duket ta ketë në dy raste. Dhe kjo garancë, është se ristrukturimi dhe mobilizimi gjithandej nëpër degë, nëndegë, duke përfshirë edhe diasporën do të bëjë atë fuqi të parë politike në vend me zotin Abdixhiku në krye.

“Bota sot”: z. Nuredini, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të Qeverisë Kurti?

Alban Nuredini: E vërteta është se z. Kurti, ka ardhur në pushtet me kauza propaganduese, paranoike dhe populiste. Këtë frustrim ai e ka instaluar në popull dhe po e përdorë për interesa të tija personale. Në ditët e para, kur iu mveshë petkut të pushtetit- demantoi vetën për bashkimin kombëtar. Tha kjo çështje është komplekse, dhe nuk ka gatishmëri kushtetuese për ta jetësuar një gjë të tille. Paaftësia e tij për të menaxhuar me Covid-19, ka çuar numrat skajshmërish dhe rastet janë rritur, nga paaftësia e tij për ta siguruar vaksinën. Preteksti i tij me zgjedhjet në Shqipëri, marrja pjesë direkt në to- është mashtrim dhe lojë e dyfishte. Tutje, ulja e shtesave për pensionistët. Thellimi i krizës ekonomike janë indikatorë të qartë se kjo qeveri që ende se ka të publikuar as edhe programin e saj qeverisësh- nuk është e aftë për të qeverisur. Një kryeministër i tillë, që ende firmos vendime nga qeveria e kaluar, dhe në asnjë mënyrë nuk heq dora nga e kaluara opozitare- viktimizimi është lojë në gjenezën e tij ekzistenciale, morale dhe politike.

“Bota sot”: Cila mendoni se duhet të jetë qasja e opozitës ndaj qeverisë në këtë mandat?

Alban Nuredini: Qasja e LDK-së, veçanërisht duhet të jetë monitoruese kundrejt këtij pushteti absolut. Po ashtu e qartë dhe konstruktive në parime dhe ide të cilat e kanë mbajtur të pamposhtur që nga ekzistencën e saj politike përgjatë këtyre viteve. Po ashtu një rol të veçantë duhet ta ketë në demaskim të “mitit” - sepse një gjë është mese e sigurt; pushtetin propagandues mese miri do ta dëshmon koha. Gjithashtu distancimi absolut nga subjektet e tjera opozitare të cilat janë të njëjta me pushtetin aktual.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat