Miley Cyrus është sërish nuse. Këngëtarja amerikane u martua të shtunën, më 21 nëntor, me bateristin Maxx Morando në një ceremoni intime në Palm Springs të Kalifornisë, dhe të dielën e konfirmoi vetë lajmin me fotot e para të dasmës në Instagram. Festa vazhdon edhe sot: ylli i "Flowers" mbush 34 vjeç.
Sipas People, që e konfirmoi martesën nga disa burime, çifti zgjodhi një rezidencë private dhe vetëm familjarë e miq të ngushtë. Ata u betuan pranë një pishine, nën një hark me lule të bardha. Miley veshi një fustan të gjatë të bardhë me mëngë të gjata, shpinë të zbuluar dhe bisht të rrjedhshëm, ndërsa Morando, 28 vjeç, zgjodhi një kostum të zi.
Pamjet e publikuara nga TMZ e tregojnë këngëtaren duke fshirë një lot para se t'i lexonte betimet nga një kartolinë e bardhë e palosur. Sipas Entertainment Tonight, ajo i tha bashkëshortit se para se ta njihte ishte e humbur dhe se, duke e gjetur atë, gjeti veten. Ceremoninë e drejtoi Wayne Coyne, kryevokalisti i grupit The Flaming Lips, raporton Us Weekly.
Në dasmë ishin nëna e saj, Tish, me bashkëshortin, aktorin Dominic Purcell, motra Noah dhe babai, Billy Ray Cyrus, i shoqëruar nga partnerja e tij, Elizabeth Hurley. Festimet nisën të premten me një darkë prove, ku menyja kishte të shkruara inicialet "M+M".
Çifti u njoh në vitin 2021, në një takim të verbër. Fejesa u bë publike në dhjetor 2025, kur Miley shfaqi unazën në premierën e "Avatar: Fire and Ash", ndërsa Morando ka treguar se i propozoi në një kopsht të fshehur në Kioto të Japonisë. Për këngëtaren kjo është martesa e dytë, pas asaj me aktorin Liam Hemsworth, me të cilin u martua në dhjetor 2018 dhe u nda në gusht 2019.