Nënkryetarja e LDK-së: Pro dialogut për njohje të ndërsjellë, s`ia vlen të merremi me “Non paper”

Intervista

Nënkryetarja e LDK-së: Pro dialogut për njohje të ndërsjellë, s`ia vlen të merremi me “Non paper”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 maj 2021 Në ora: 08:18
Shqipe Mjekiqi Sadiku

Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë me kryetar Lumir Abdixhiku ka filluar të bëjë ndryshimet brenda partisë, duke emëruar persona të kualifikuar dhe të rinj në pozita të partisë.

Ishte personalisht kryetari Abdixhiku që bëri publike emërimin e nënkryetares së re të LDK-së, Shqipe Mjekiqi Sadiku, derisa tregoi për kualifikimet që ka nënkryetarja e emëruar dhe kontributin që ajo ka bërë gjatë këtij viti, mirëpo që pret shumë nga ajo.

Ndërsa Mjekiqi Sadiku, derisa ka vlerësuar pozitën e re, ka premtuar se do ta tregojë veten në mandatin e saj.

Nënkryetarja e LDK-së, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur për ngjarjet e fundit në vend dhe ka treguar prioritet që ajo do të ketë gjatë mandatit të saj si nënkryetare.

Fillimisht nënkryetarja foli për gjendjen aktuale në vend, duke u shprehur se tashmë qytetarët kanë zgjedhur ata që dëshirojnë t'i përfaqësojnë dhe LDK do të jetë aty si opozitë ta ndihmojë dhe kritikojë Qeverinë kur të është e nevojshme, mirëpo asnjëherë për ta penguar punën e saj.

Largimi i kastës së vjetër politike nga LDK padyshim që nuk u mbet pa u përmendur me nënkryetaren e që ajo shprehet se një reformë e tillë ka qenë e nevojshme, mirëpo që përveç tyre ka pasur edhe një mori faktorësh të tjerë që kanë ndikuar në rënien e LDK-së.

Duke vazhduar më tej, nënkryetarja tregon për reformat që LDK ka ndërmarrë, duke i përmendur edhe gjashtë departamentet që i kanë krijuar së fundmi dhe duke u shprehur shumë optimiste për këndelljen e sa më të shpejtë të partisë që ajo përfaqëson, duke shpresuar që kjo këndellje të arrihet në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

Prioritet për nënkryetaren mbetet kthimi i besimit të qytetarëve e që kjo sipas saj po shihet se do të arrihet sepse tashmë elektorati po e sheh ndryshimin e nevojshëm që i është dashur partisë.

Ndërsa për situatën pandemike të menaxhuar nga qeveria Kurti, nënkryetarja ka disa kritika për mbylljen që sipas saj në fillim ishte e paqartë mirëpo edhe më e paqartë ishte rihapja e saj pa ndonjë sqarim të detajizuar.

Përveç kësaj, ajo përmend faktin se mbetemi njëri ndër shtetet e vetëm në Evropë që ka qytetarët më pak të vaksinuar dhe kjo duhet të merret parasysh nga qeveria aktuale dhe të ndërmerr masa mirëpo se kur do të arrijë të sigurojë qeveria vaksinat, ajo thotë se duhet të pyesim ministrin Vitia.

Për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nënkryetarja thotë se nuk është e informuar nga qeveria për hapat e mëtejshëm mirëpo që pret me një marrëveshje të ndërsjellë.

Në fund nënkryetarja për dokumentin slloven i cili po qarkullon për ndryshim kufijsh tha se nuk duhet të merremi me dokumente të cilët nuk janë zyrtarisht të njohura, mirëpo që qeveria duhet të plotësojë një boshllëk të informacioneve duke njoftuar opinionin publik për qasjen që ka ajo karshi këtij procesi.

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Si e shihni situatën politike në vend pas formimit të institucioneve? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Populli i Kosovës ka dhënë verdiktin e vet në zgjedhjet e fundit dhe tashmë kemi një qeveri të shumicës e cila ka fuqinë për të çuar më tej proceset zhvillimore të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndihmuar procesin e formimit të institucioneve duke marrë pjesë në procesin e votimit për Presidenten. Ajo do të vazhdojë të luajë rolin e saj opozitar me konstruktivitet duke mos penguar qeverinë në kryerjen e punëve të saj por, duke mbikëqyrur e kritikuar aty ku ka nevojë, e më shpesh duke dalë me qëndrimet e saj karshi proceseve me rëndësi për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Bota sot”: Ju jeni tashmë nënkryetare e LDK-së, cilat janë synimet e juaja gjatë këtij mandati? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Si nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të angazhohem që së bashku me kolegët ndihmojmë në reformimin e nevojshëm të partisë dhe të kthejmë besimin qytetar. Nga vizitat në terren që kam pasur ditëve të fundit kam takuar njerëz jashtëzakonisht të përkushtuar e besnik ndaj vlerave që përfaqëson LDK. Kjo është premtuese.

Përveç aspektit të brendshëm unë jam emëruar edhe koordinatore e Departamentit për Politikë të Jashtme. Në kuadër të kësaj do të mundohem ta zgjeroj praninë e Lidhjes Demokratike të Kosovës jashtë vendit duke u munduar që nëpërmjet këtij përfaqësimi të qojmë përpara procese me rëndësi për vendin si p.sh. ai i integrimit evropian. 

“Bota sot”: Nga zgjedhjet e 14 shkurtit LDK pësoi një rënie politike, a mendoni që do të arrijë të këndellet? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Rëniet e herë pas hershme janë të natyrshme për secilën parti politike. Është vështirë të mendohet spektri politik në Kosovë pa Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti tradicionale, e qendrës së djathtë, me mbi 30 vjet ekzistencë e përvojë politike. Shenjat e para të reformimit të brendshëm tashmë i keni parë – një lidership i ri, që ka marrë për detyrë të kthejë Lidhjen Demokratike të Kosovës duke rritur mbështetjen qytetare. 

“Bota sot”: Tashmë Abdixhiku është zgjedhur kryetar i LDK-së, cilat kanë qenë ndryshimet që ai ndërmori brenda partisë? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Përveç një lidershipi të ri në qendër, Lidhja Demokratike e Kosovës është në proces të vlerësimit të situatës në nivelin lokal që përfshin çdo degë dhe nëndegë të LDK-së. Në bazë të vlerësimit të situatës do të nxirren rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes aty ku ka nevojë në mënyrë që të jemi më të përgatitur për zgjedhjet lokale në vjeshtë dhe zgjedhjet e ardhshme nacionale. Po ashtu, janë krijuar gjashtë departamente si p.sh. ai për politik të jashtme, të cilin e koordinoj unë, shëndetësi, rend dhe ligj, arsim, etj. Këto departamente do të jenë shtylla kryesore e procesit të hartimit të politikave dhe qëndrimeve të Lidhjes Demokratike.

“Bota sot”: A mendoni se kasta e vjetër politike ka ndikuar në këtë rënie të LDK-së? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Ka një mori faktorësh që kanë çuar në rënien e mbështetjes për Lidhjen Demokratike të Kosovës por, do ta kemi një pasqyrë më të mirë në momentin që e kemi vlerësuar gjendjen e gjithëmbarshme në nivelin lokal. Si LDK orientimin e kemi kah e ardhmja duke u siguruar që problemet që kanë kontribuar në rëniet e deritashme të mos përsëriten më.

“Bota sot”: Situata pandemike në vend po vazhdon të jetë e rëndë, si e shihni menaxhimin e situatës pandemike nga Qeveria Kurti? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Qeveria Kurti mbylli vendin për dy javë me arsyetimin që kjo mbyllje është e nevojshme për të parandaluar që qytetarët të preken ose vdesin nga pandemia. Vendi u hap pastaj pavarësisht se kishte një numër të njëjtë, në mos më shumë, të të afektuarve me virus, pa dhënë ndonjë shpjegim të hollësishëm se si erdhën deri te ky vlerësim. Më e keqja, gjatë kësaj periudhe Kryeministri Kurti dhe Qeveria tejkaluan vendimet e nxjerra vetë duke marrë pjesë në fushatë zgjedhore në Republikën e Shqipërisë. Prandaj, nuk shoh që ka menaxhim të mirë të situatës por, vendime ad-hoc dhe jo mirë të analizuara. Për të mos përmendur pastaj edhe çështjen e vaksinimit – ne mbetemi një prej vendeve në Evropë me numrin më të ulët të qytetarëve të vaksinuar. Qeveria e Kosovës duhet bërë çmos që të gjejë rrugë alternative për të siguruar vaksina për qytetarët tanë – ky duhet të jetë prioriteti kryesor.

“Bota sot”: A do arrijë të sigurojë ministri Vitia vaksinat për qytetarët? 

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Për këtë duhet ta pyetni vetë Ministrin.

“Bota sot”: Gjithashtu temë aktuale po mbetet dialogu me Serbinë, sa do të arrijë Qeveri Kurti të sjellë ndryshim në këtë aspekt?

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Edhe për këtë duhet ta pyesni qeverinë – ne si parti opozitare por edhe si qytetarë nuk kemi asnjë informacion sa i përket dialogut dhe platformës qeveritare për dialog. Lidhja Demokratike e Kosovës është e përcaktuar qartë për Kosovën si shtet i pavarur e sovran dhe sheh dialogun si proces i cili do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë, në kufijtë aktuale dhe që marrëveshjet që dalin nga procesi i dialogut të jenë në harmoni me Kushtetutën.

“Bota sot”:  Si e komentoni dokumentin slloven për ndryshim kufijsh? A mendoni se Kosova është e rrezikuar nga ai?

Shqipe Mjekiqi Sadiku: Nuk e shoh të arsyeshme të diskutojmë për disa non-paper që qarkullojnë jo-zyrtarisht nëpër qarqe të ndryshme. Ajo çfarë është me rëndësi është që Qeveria të plotësojë një boshllëk të informacioneve duke njoftuar opinionin publik për qasjen që ka ajo karshi këtij procesi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat