Flet deputetja e VV-së që zuri vendin e Osmanit në Kuvend, tregon për bashkëpunimin me Listën ‘Guxo’, pandeminë e vaksinat

Intervista

Flet deputetja e VV-së që zuri vendin e Osmanit në Kuvend, tregon për bashkëpunimin me Listën ‘Guxo’, pandeminë e vaksinat

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 3 maj 2021 Në ora: 12:42
Lëvizja Vetëvendosje

Deputetja e Vetëvendosjes, Yllza Hoti në një intervistë për “Bota sot” ka shpalosur prioritete dhe idetë e veta për fuqizimin dhe rolin e të rinjve në vend.

Ajo ka shpjeguar edhe rëndësinë e këtij mandatin duke zënë vendin e presidentes Vjosa Osmani, e cila e ka cilësuar si një mandat edhe më të veçantë.

Hoti për “Bota sot” ka folur edhe për punën e qeverisë, duke thënë se Kryeministri Kurti dhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar janë plotësisht të përkushtuar në detyrat e tyre përkatëse dhe po punojnë me parimin e shërbimit të qytetarëve të këtij vendi.

Image
Yllza Hoti

Sa i përket bashkëpunimit mes VV dhe Listës së Vjosa Osmanit, Hoti ka thënë se ecën shumë mirw dhe të gjithë deputetët kemi koordinim të përbashkët.

Ajo nuk ka lënë anash as opozitën duke komentuar rolin në Kuvend, që sipas saj, opozita nuk ka qenë aspak konstruktive në Kuvend.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën politike në vend?

Yllza Hoti: Mendoj që situata politike në vend është stabile, duke marrë parasysh që institucionet e vendit janë krijuar mjaft shpejtë pas zgjedhjeve dhe më e rëndësishmja, këto institucione reflektojnë vullnetin e qytetarëve të dëshmuar më 14 Shkurt. Natyrisht, është shumë shqetësuese gjendja e rëndë e sistemit shëndetësor si pasojë e pandemisë COVID-19, mirëpo fatmirësisht Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse po punojnë vazhdimisht për të lehtësuar situatën. Ditët në vijim presim të vijnë në vend edhe konvoje të radhës me vaksina.

“Bota sot”: Cilat janë prioritet tua si deputete?

Yllza Hoti: Prioritetet e mia si deputete janë fuqizimi i rolit të të rinjve dhe grave në shoqëri. Si studiuese e ekonomisë, mendoj që rol të madh në këtë proces ka edhe fuqizimi ekonomik i këtyre kategorive, pasi që pavarësimi ekonomik e lehtëson edhe pjesëmarrjen e një individi në shoqëri. Rritja e vendeve të punës dhe fuqizimi i të rinjve ndërmarrës përmes granteve tashmë është paraparë në programin qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe unë si deputete dhe anëtare e Komisionit për Buxhet do t’i mbështes plotësisht nismat e tilla.

“Bota sot”: Keni zënë vendin e Vjosa Osmanit e cila tashmë është presidente e vendit. Sa është e rëndësishme kjo për ju, që të jeni sërish deputete?

Yllza Hoti: Marrja e mandatit të dytë si deputete është privilegj shumë i veçantë për mua, por të njëjtën kohë është edhe përgjegjësi e madhe. Përderisa mandati i parë ishte i shkurtër dhe përplot me sfida për shkak të situatës së vështirë politike në Kosovë gjatë asaj kohe, jam shumë optimiste se krijimi i institucioneve të reja i ka hapur rrugën edhe Kuvendit që të bëjë punën ashtu siç duhet. Fakti që unë jam deputetja që ka zënë vendin e Presidentes Vjosa Osmani e bën këtë mandat edhe më të veçantë për mua. Ndonëse zëvendësimi shkon sipas renditjes në listën e rezultateve të KQZ-së, për mua ka një simbolikë të veçantë pasi që Presidentja Osmani është një inspirim i madh për të gjitha vajzat e gratë kosovare, duke më përfshirë edhe mua.

“Bota sot”: Si e vlerëson punën e Qeverisë Kurti për këtë një muaj?

Yllza Hoti: Mendoj që ende është herët për të bërë një vlerësim të punës së Qeverisë Kurti, qoftë nga ne si deputetë të grupit të Lëvizjes Vetëvendosje ashtu edhe nga faktorë tjerë të skenës politike. Megjithatë, mund të them që Kryeministri Kurti dhe të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar janë plotësisht të përkushtuar në detyrat e tyre përkatëse dhe po punojnë me parimin e shërbimit të qytetarëve të këtij vendi. Të gjitha vendimet e deritanishme kanë qenë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, gjithmonë duke marrë parasysh limitimet buxhetore me të cilat po ballafaqohemi për shkak se kemi buxhetin e qeverisë së kaluar. Në këtë temë, mendoj se rishikimi i buxhetit dhe planifikimi i buxhetit për vitin e ardhshëm do të krijojë më shumë hapësirë për zbatimin e programit qeverisës.

“Bota sot”: Po bëhet presion nga BE për rifillimin e dialogut, çfarë mendoni ju?

Yllza Hoti: Mendoj që kryeministri Kurti edhe gjatë zgjedhjeve, por edhe tash gjatë vizitës në Bruksel, ka deklaruar pozicionin e qeverisë karshi dialogut. Nuk do të doja as t’i shtoja e hiqja asgjë atij pozicioni.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për dokumentin slloven “non-paper” për ndryshim të kufijve? Sa është i rrezikshëm për Kosovën?

Yllza Hoti: Nuk kam ndonjë koment.

“Bota sot”: Si e komentoni rolin e opozitës në Kuvend?

Yllza Hoti: Deri tash, opozita nuk ka qenë aspak konstruktive në Kuvend. Tri kërkesat për debate parlamentare që janë dorëzuar nga grupi parlamentar i PDK-së janë për çështje të cilat nuk janë krijuar këtë muajin e fundit, prandaj është e palogjikshme që të kërkohet llogaridhënie nga kjo qeveri. Ndonëse është roli i opozitës që të kritikojë ekzekutivin për punën e tyre, këto kritika do të duhej të ishin konstrutive e jo thjesht hedhje faji. Megjithatë, meqë sapo kemi filluar mandatin e ri, shpresoj që opozita të ndërrojë qasje në vazhdim.

“Bota sot”: Si po shkon bashkëpunimi mes VV dhe Listës së Vjosa Osmanit?

Yllza Hoti: Bashkëpunimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës së Vjosa Osmanit po shkon shumë mirë. Ne jemi pjesë e një grupi parlamentar dhe të gjithë deputetët kemi koordinim të përbashkët. Duke qenë se qëllimi ynë i përbashkët është përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të qytetarëve, edhe bashkëpunimi bëhet shumë lehtësisht.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën me pandemi në vend dhe sa janë pritjet që së shpejti të vijnë vaksina të tjera?

Yllza Hoti: Situata me pandemi në Kosovë është mjaft shqetësuese dhe do të vazhdojë të jetë e tillë deri sa të fillojë procesi i vaksinimit për popullatën e përgjithshme. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë po punon vazhdimisht për sigurimin e vaksinave si dhe për sigurimin e barnave dhe mjeteve të nevojshme nëpër spitale. Ajo që është e mirë është që për shkak të masave së fundmi, rigorozitetit të institucioneve të vendit, por edhe kujdesit qytetar, ka filluar të bjerë ndjeshëm numri i rasteve. Pavarësisht kësaj, ju bëj lutje qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë masat mbrojtëse dhe të ruajnë shëndetin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat