Ibrahim Kelmendi befason me fjalët për Albin Kurtin, ja çka thotë për Jusuf Gërvallën

Intervista

Ibrahim Kelmendi befason me fjalët për Albin Kurtin, ja çka thotë për Jusuf Gërvallën

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 16 maj 2021 Në ora: 15:37
Ibrahim Kelmendi

Lirim Gashi: Z.Ibrahim Kelmendi, sa më shumë që të njoh aq më shumë më shtohet oreksi për të njohur akoma më shumë, sepse edhe pse shpesh je kontraverz asnjë herë s'je monoton, pasiv, i njëtrajtshëm dhe bardh e zi. Sikur të ishe femër me siguri 90% të meshkujve do të interesoheshin për ty. E meqë je mashkull me siguri të njëjtin interesim e kanë edhe femrat. Bëhu i sinqertë dhe më trego të lutem sa përqind të tyre t'i dërgojnë në inbox të Facebook-ut zemrat?

Ku e ka zanafillën ky kolorit në personalitetin tënd, gjegjësisht kjo laramani?

Të bëri të këtillë jeta dhe natyra, apo pezhorativi i njërës dhe tjetrës Hamami dhe Hyra?

Ibrahim Kelmendi: Më ke parashtruar. pyetje më të vështira sesa instruktorët amerikanë në pyetësorin për patent shofer .

E unë fatkeqësisht patent shofer nuk kam ende. E pata bërë në USA në vitin 1982, por gjermanët nuk ma pranuan dhe unë nga dëshpërimi nuk e bëra më kurrë.

Nëse ndonjë femër e panjohur ndikohet padashur emocionalisht nga mënyra e komunikimit tim, unë e sqaroi shkurt e shqip dhe pa ngurrim se "jam mall i skaduar".

Ndërsa me shoqe, të cilat terminologjia moderne i ka shndërruar në mikesha, unë komunikoj pateklif dhe me respekt të ndërsjellë .

Për Hyrën e Shipashnicës së Gjilanit, jevgën sharamnte për të cilën thuhet se i ka "hallakatur" burrat shqiptarë përmes mirëtrajtimit që ua ka bërë në hamamin e saj, unë kam simpati të fjetur. Madje edhe uratë për kënaqësitë që ua ka krijuar, gjegjësisht dhuruar klientëve të saj.

Shpesh e kam përshtypjen që jeta jote ka filluar me shkronjat LPK.

Bëhu i mirë dhe më trego të lutem, pse janë këto tri shkronja në këtë kombinim dhe radhitje kaq të rëndësishme për ty?

Kelmendi: Sepse kemi pasur peripeci të mëdha deri sa kemi arritur të bëhemi LPK.

Shpesh kam qenë i detyruar për të ngrënë edhe gozhda, që të mos përfundoj në burg apo çmendi, nga provokimet tepër të pandershme, djallëzore dhe vulgare të njerëzve që simulonin se janë bashkëveprimtarë.

Ia dolëm disi, por me kurriz të thyer nga mbipesha!

Çfarë emocionesh të krijojnë emrat Ukshin Hoti dhe Behadin Hallaçi, dhe ke ndonjë ide, se kujt mund t'i kenë penguar më së shumti dhe pse?

Kelmendi: Rëndom, unë kam qenë hamalli i Lëvizjes, apo njeriu që i ka kryer punët e përditshme dhe jo vetëm ato të fundjavës.

Më së shumti isha i angazhuar në sektorin për informimin e "të huajve", prandaj nuk kisha kohë që të merrem me çështjet organizative në Kosovë. Për Ukshinin më së shumti jam informuar nga Bislim Elshani dhe Shemsi Reçica, apo edhe më saktësisht për veçoritë e tij impozante atdhetare dhe intelektuale.

Por edhe nga beshkëveprimtari i tij Begzat Gashi, për peripecitë e tij organizative.

Ndërsa për Behadinin për herë të parë kam dëgjuar kur është "zhdukur", meqë e kemi shqyrtuar "zhdukjen" e tij në Kryesi të LPK-së. Që do të thotë se për këtë çështje më kompetentë janë bashkëveprimtarët e tij të drejtpërdrejtë.

Prandaj ata mund të përgjigjen më së miri në këtë pyetje.

Më ka irrituar sidomos informacioni që në mbledhjen konsultative në Kollare të Kërçovës, në prill të vitit 1993, Hashim Thaçi ka shpifur për Behadinin, duke e etiketuar atë pa asnjë dëshmi valide si një spiun të Shërbimit Sekret të Serbisë.

Thuhet se ke qenë truri i LPK-së, apo njeriu idetë e të cilit i kanë vjedhur, keqinterpretuar dhe keqpërdorur shumë analfabetë të kompleksuar, të cilët më vonë i kanë keqpërdorur si armë kundër teje.

Supozoj nga urrejtja që i ke njohur si askush tjetër dhe që ua ke deshifruar hieroglifet. Sa është i vërtetë ky pohim dhe nëse po a ke ndonjë anegdotë konkrete që do ta nënvizonte?

Kelmendi: Ka qenë fatkeqësi për mua afirmimi im si "tru i Lëvizjes", nëse më lejon ta përdor këtë lloj (dis)kualifikimi. Kjo i motivonte armiqtë e mi që të më luftonin edhe më tepër sesa që e meritoja, ndërsa bashkëveprimtarëve të mi u shkaktonte xhelozi. I ironizoja xhelozët duke përdorur slloganin: "Shokët po e luftojnë njëri tjetrin, e Azem Bejtës po i mbesin k..në dorë!"

E vërteta është se unë isha vetëm njëri nga bashkëveprimtarët.

Për dallim prej të tjerëve unë isha 365 ditë në vit i angazhuar për Lëvizjen, ndërkaq ata punonin dhe rregullonin standardin familjar, ndërsa për Lëvizjen i harxhonin ca orë në javë, kryesisht në fundjavë.

Që i bie se isha hamalli dhe jo truri i Lëvzjes.

Pse je i lidhur më së shumti emocionalisht me Jusuf Gervallën?

Çka e ka bërë Jusufin të kaq të veçantë dhe pse ke kaq shumë respekt për vajzën e tij Doniken?

Kelmendi: Me Jusufin jam njohur në fund të dhjetorit të vitit 1979.

Kur pat ardhur ai në Gjermani, vëllai i tij, Bardhoshi, gjegjësisht Bardhi, siç e thërrisnim nga ndjenja e afërsisë, më pat telefonuar dhe ftuar në vizitë.

Bardhin e kam njohur për herë të parë në verën e vitit 1978. Ai ishte punëtor social, respektivisht i punësuar në Arbeiterwohlfahrt.

Detyra e tij ishte përkujdesja për Gastarbeiterat nga ish Jugosllavia. Ishte një punësim zyrtar, në bazë të marrëveshjes përkatëse gjermano-jugosllave. Në atë verë unë isha student me punë sezonale verore tek dhëndrri im në Plochingen. Sharrisnim gurë mermeri. Aty Bardhi pat ardhur për të ndihmuar kushëririn e dhëndrit tim që t'i plotësonte ca formularë. Qysh në momentin e parë u miqësuam. Nuk më pengoi që ai ishte punëtor social i dërguar nga Jugosllavia.

Njohjen me të e thellova përms Hysen Gegës, të cilin po ashtu e pata njoftuar gjatë asaj vere, sa isha te dhëndri, meqë ata ishin shokë mes tyre.

Për profesionin gazetar asokohe kishim konsideratë të jashtëzakonshme. Sapo u njoha me Jusufin krijova për të një ekstra respekt sepse ishte një gazetar shumë i mirë.

Në atë kohë ne nuk kishim asnjë kuadro që ishte në gjendje për të përpiluar fletushka propagandistike. Prandaj qysh në fillim nuk patëm fare rezerva ndaj njëri-tjetrit, siç ruheshin rëndom "ilegalët" nga njëri tjetri, meqë ai më njihte nga rrëfimet e Bardhit dhe kishte lexuar fletushkën "Bashkimi" në Kosovë. As unë nuk kisha asnjë rezervë ndaj tij, sepse ishte Vëllai i Bardhit.

Në anën tjetër nuk kisha ndonjë arsye për të qenë i rezervuar dhe frikësuar, meqë e kisha ndarë mendjen për të vuajtur në ekzil, deri sa të ndodhë çlirimi i Kosovës.

Fatkeqësisht, në fund të janarit informohem nga Hysen Gega, se atë e kishte urdhëruar Riza Salihu për ta vrarë Jusufin.

Riza kishte formuar në Stuttgart Grupin Komunist "Zëri i Kosovës", dhe ishte Kryetar i tij, ndërsa Hysenin e kishte caktuar si Nënkryetar.

Tashmë Kryetari kishte urdhruar Nënkryetarin për ta vrarë Jusufin, me arsyetimin se kinse atë e kishte dërguar UDB-a për ta spiunuar grupin e tij komunist. E informuam Jusufin për atë urdhër dhe u dakorduam të taktizojmë ca kohë ndaj Rizait, që të bindëshim se ai ishte kuadër i UDB-es. Taktizuam më shumë se dy muaj, ngaqë Hyseni ishte një inteligjencë brilante, edhe pse në humor e sipër thoshte se ka mbaruar vetëm katër klasë fillore, respektivisht se e ka kryer vetëm kollin dhe fruthin. Në fakt ai lexonte të paktën një libër në javë dhe ia rrëfente përmbajtjen dhe mesazhin në manirin e një kritiku të shquar letrar.

Në finalizim të taktikës patëm takim ballafaques në banesë të Hysen Gegës në Esslingen, meqë Hyseni na pat treguar ditën dhe orën, kur do t'i shkonte Rizai për "vizitë pune". Ishim në atë ballafaqim unë, Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksuti, Saramati dhe cimeri i Hysenit, nga Lugina. E kishim bërë regjinë e ballafaqimit. Kur Riza nuhati rrezikun, zuri të qante, duke i kërkuar falje e mëshirë Jusufit. Zurit të qante edhe Jusufi. Ajo brishtësi e Jusufit na e prishi pak "filmin".

Unë, Hyseni dhe Maksuti në ato çaste ishim pak ca te zhgënjyer nga Jusufi pse e mëshiroi Rizen...

Në anën tjetër ana e tij humane që në perceptimin tonë e forconte kultin për intelektualin e mirëfilltë, ishtin tiparet që na patën nxitur të gjithëve për të pasur respekt të veçantë për Jusufin.

Donikën, përpos që e vlerësoj për hir të Jusufit, me të më lidhin edhe shumë kujtime të posaçme, sepse ishte një fëmijë shumë i dashur dhe edukuar. Atëherë brengosesha shumë për fëmijët, meqë ata vuanin ekstra në imigracion, duke qenë të detyruar nga prindërit për t'u sjellur si shqiptarë në familje dhe për të simuluar identitet gjerman jashtë saj. Prandaj isha shumë i afërt dhe hapur me fëmijët e bashkëveprimtarëve të mi. Vetëkuptohet, edhe ata më donin shumë.

Të hënën, më 18 janar të vitit 1982, pas përfundimit të "intervistës" me SOKO (ekipin hetues gjerman), u ktheva në shtëpinë e Familjes Gërvalla.

Aty më informuan se Sabri Novosella nga Turqia kishte urdhruar që Kryeplak i ceremonisë mortore të ishte udbashi Nuhi Sylejmani. Nuk prishte punë fakti që ata nuk njiheshin mes tyre, meqë Sabriu duhet të ketë pasur eprorë të tjerë udbash, të cilët ia kishin bërë skenarin, se si duhet të vepronte pas vrasjeve të organizuara nga UDB-a.

Kur dikush e ngushëlloi Donikën, ajo iu përgjigj: "Pasi na ka shpëtuar pa u vrarë axha Ibrahim, nuk po merzitëm shumë..." Nuhiu, si kriminel ordiner që ishte, e kapi atë për krahu, i bërtiti dhe e dëboi në korridor, duke iu kërcënuar: "S'dua ta dëgjojë më atë përgjigje!"

Ishin përjetime që të shtinë në tokë për se gjalli. Në atë çast m'u hidh t'ia përplas kokën për muri atij krimineli, por nuk kisha si, sepse nuk ishte ambienti. Edhe sot e asaj dite habitëm sesi jam përmbajtur.

Pastaj, si jetime që ishte  mbeti nepër duart e sepcialistëve të UDB-es, të cilët e ndërsyen pa masë kundër meje. Unë e duroja, si dënim për pazotësinë për ta mbrojtur nga shpërdoruesit dhe manipuluesit.

Si e vlerëson punën e deritashme të Donikes në krye të Ministrisë së Jashtme?

Kelmendi: Nuk kam edhe aq shumë informacione të sakta për punën e Donikës, përpos atyre fjalimeve të saj në Këshillin e Sigurimit dhe në Kuvendin e Kosovës. Potencimi i gjenocidit të ushtrisë së Hitlerit ndaj popullit serb gjatë Luftës Dytë Botërore ishte i panevojshëm. Sepse nuk është i qëndrueshëm si fakt e as i vërtetë.

Në anën tjetër nuk ishte rendi as vendi që të përmendej.

Përndryshe, të dyja fjalimet e saj i kam notuar me notën 8, nëse do të përdornim notimin nga 1 deri në 10.

Uroj që ta reformon diplomacinë tonë joefikase, duke mbyllur ambasada e konsulata në shtetet që nuk i duhen Kosovës, dhe natyrisht duke përzgjedhur kuadro sa më profesionale dhe atdhetare.

Si e kupton dhe përshkruan ti fenomenin Albin Kurti në politikën shqiptare dhe çfarë mendimi ke për individin dhe politikanin Albin Kurti?

Kelmendi: Të them të drejtën Kryeministri Albin Kurti nuk e njoh, siç i kam njohur bashkëveprimtarët e mi. Vlerësimi serioz mund të fillojë tek pas 100 ditëve të para. Ndoshta 100 ditë edhe janë bërë, nëse i mbledhim edhe ato të qeverisë dështake "Kurti 1". Megjithatë, nëse flitet ekskluzivisht për 100-ditshin e qeverisë "Kurti 2", atëherë nuk shoh ndonjë arsye për brengë të madhe. 

Në aspektin ideopolitik janë plotë përcaktime të Z. Kurti që më pëlqejnë. Por, meqë ishte fundamentalist në përcaktimet e tij të mëparshme, kisha frikë se mund të na shkaktonin pasoja sepse në "botë" po dominon imperializmi agresiv neoliberlal dhe kapitlaizmi vulgar, prandaj kleptokracitë e shteteve dominuese nuk do ta toleronin një Kosovë me socializëm shtetëror të ngjashëm me një imitim të modelit norvegjez, sepse në fakt më shumë dominon modeli kinez. Në ndërkohë po më ngjanë tepër fleksibil e konjuktural. Dikur i shihnim dhe përshkruanim rastet e ngjashme, si ca vajza konservative që e ruanin virgjërinë kohë të gjatë me fanatizëm, por kur e prishnin, e shpërndanin lëngun epshor trupor si vajin e ullirit nëpër sallata të ndryshme...

Po presim deri sa të miratohet nga Kuvendi programi i Qeverisë, që të kemi mundësi për të bërë vlerësime lavdëruese apo kritike.

Masakra ndaj vëllait tënd Qerimit ende nuk ka epilog. Kush mund të ketë pasur interes sipas mendimit tënd për ta eliminuar aq brutalisht njeriun që aq shumë e ka dashur kombin, atdheun, lirinë, paqen dhe shtetin, saqë kurrë nuk i ka harruar shokët e tij të rënë, e sidomos ata që u eleminuan nga dora e zezë shqiptare në luftë. Thuhet madje se shpesh edhe natën i ka vizituar varrezat e tyre. Si e ke përjetuar ti masakrin ndaj tij dhe çka duhet të bëjnë sipas teje institucionet tona të sigurisë dhe ato juridike për t'i gjetur ekzekutorët dhe urdhërdhënësit?

Kelmendi: Mendoj që shërbimet sekrete Serbe kanë pasur "arsye" të mjaftueshme për t'u hakmarrë, prandaj e kanë gjykuar momentin si të volitshëm.

Me siguri urdhërdhënësit kanë vlerësuar që kontributi i tij i madh në luftën çlirimtare e meriton një masakër kaq sadist.

Intenca e tyre me siguri ka qenë nxitja e hutisë dhe dyshimeve që do të eskalonin në armiqësi ndërmjet bashkëveprimtarëve.

Nuk përjashtohet mundësia që lufta speciale si specialitet i posaçëm i shërbimeve sekrete serbe dhe argatëve shqipfolës e shqipshkrues, ta ketë nxitur ndonjë grup idiotësh për ta bërë krimin, me bindjen se po hakmerrëshin për vrasjet politike, për të cilat akuzohej Qerimi herë tërthorazi e herë drejtë për së drejti.

Vrasjen e tij e kam përjetuar shumë rëndë dhe po e vuaj edhe sot e kësaj dite, jo vetëm pse e kisha vëlla, por sidomos për shkak të meritave të tij në luftën çlirimtare.

Shpresoj që institucionet po bëjnë maksimumin për të zbuluar vrasësit dhe urdhërdhënësit. Ndonjë informim konkret, sa kanë përparuar hetimet nuk kemi. Po presim, me shpresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat