Kryetarja e Speciales: Gjykata s’është etnike, viktimat janë me llojllojshmëri prejardhjesh dhe etnish

Intervista

Kryetarja e Speciales: Gjykata s’është etnike, viktimat janë me llojllojshmëri prejardhjesh dhe etnish

Më: 17 maj 2021 Në ora: 11:36
Ekaterina Trendafilova

Ekaterina Trendafilova ka marrë mandatin e dytë si Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në nëntor të vitit 2020.

Për sukseset e korrura në mandatin e parë dhe synimet për mandatin e ri, Trendafilova ka folur ekskluzivisht për Klanin, në një intervistë ku preken një mori çështjesh, përfshirë trysnin e deklaruar nga vet ajo ndaj këtij institucioni, kërkesat për zhvendosjen e saj në Kosovë, rrjedhjen e dosjeve në fund të vitit të kaluar, arrestimet e deri tek nisja e proceseve gjyqësore.

Ajo ka pohuar se Gjykata Speciale nuk është gjykatë etnike dhe këtë e ka mbështetur, duke deklaruar: “Do të doja të theksoja se viktimat e identifikuara në aktakuzat aktuale janë nga shumëllojshmëri prejardhjesh dhe etnish. Me fjalë të tjera, llojllojshmëria e prejardhjes së viktimave tregon më tej se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë një “gjykatë etnike””.

Trendafilova është shprehur se ende ekzistojnë arsye që Gjykata Speciale të mos jetë e vendosur në Kosovë, ndërsa thekson se për të ndryshuar kjo duhet pajtueshmëri e të gjitha palëve të përfshira në vendimin për themelimin e saj.

“Në shkëmbimin e letrave në vitin 2014 në mes të Presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të atëhershme për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baroneshës Catherine Ashton, është arritur pajtueshmëria se për shkak të natyrës së ndjeshmërisë së procedurave që kërkohen, Dhomat e Specializuara të vendosen jashtë Kosovës. Marrëveshja për vendosjen [jashtë Kosovës] të procedurave është e detyrueshme dhe nuk mund të ndryshohet  pa një dakordim të palëve të përfshira. Për më tepër, arsyet e vendosjes [jashtë Kosovës] vazhdojnë të ekzistojnë: përkatësisht natyra sensitive e seancave dhe nevoja për të pasur siguri për viktimat dhe dëshmitarët”.

“E rëndësishmja, ne nuk jemi të shpërqendruar nga kërkesat e tilla për zhvendosje. Dhomat e Specializuara të Kosovës mbeten të përqendruara dhe plotësisht e përkushtuara në përmbushjen e mandatit të pavarur, të sigurt dhe në mënyrë profesionale”.

Lidhur me rrjedhjen e dosjeve në vjeshtën e 2020-ës, Trendafilova ka përmendur rastet e arrestimit të drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, duke thënë se të gjithë ata që do të ndërmarrin veprime kundër administrimit të drejtësisë do të ndiqen penalisht.

“Nuk mund të flas për shpërndarjen e informacionit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) ose për efektin që kjo ka te dëshmitarët. Sidoqoftë, Prokurori i Specializuar ka theksuar  në disa intervista të fundit që zyra e tij ka qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë dëshmitarët për t’iu përgjigjur brengave të tyre. Çfarë mund të them është se mbështetja dhe mbrojtja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ka një njësi të specializuar, e cila siguron mirëqenien dhe sigurinë e dëshmitarëve, para, gjatë dhe pas gjykimit.

Për bashkëpunimin me institucionet e drejtësisë në Kosovë, fillimin e seancave gjyqësore dhe të tjera çështje:

INTERVISTA E PLOTË:

Ju tani jeni në mandatin e dytë si Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ç’vlerësim keni për punën tuaj gjatë pesë vjetëve të para dhe cilat janë objektivat për mandatin e ri?

Ekaterina Trendafilova: Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë një rrugë të gjatë prej emërimit tim si kryetare në dhjetor të vitit 2016. Përgjatë katër vjetëve të para në detyrë, gjykata ka qenë e përqendruar tek vendosja e saj dhe sigurimi i gatishmërisë për të nisur procedurat gjyqësore. Këto katër vjet ishin jashtëzakonisht të ngarkuara dhe produktive në një mori mënyrash. Jo vetëm që u emëruan 19 gjyqtarë në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë më 2017 – pas emërimit të tyre nga ana e Kolegjit të Pavarur të Përzgjedhjes – por që ata u bënë tok dhe me shpejtësi miratuan Kodin Procedural Penal të Dhomave të Specializuara të Kosovës, e njohur si Rregullorja e Procedurave dhe Provave. Kjo brenda një muaj e një javë nga emërimi i tyre.

Gjatë mandatit tim të parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës ngritën bazat e tyre ligjore të forta përmes miratimit të një game të gjerë dokumentesh që sigurojnë shpejtësi, efiçiencë dhe siguri për procedurat gjyqësore. Për shembull, gjyqtarët kanë diskutuar dhe kanë miratuar Kodin e Etikës Gjyqësore, që u siguron atyre përgjegjësinë derisa janë në shërbim në Dhomave të Specializuara të Kosovës. Po ashtu kemi miratuar edhe Rregullat për Caktimin e Gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara, duke siguruar barazi dhe caktime transparente të gjyqtarëve për çështjet para DHSK-së. Ngjashëm, Sekretariati i DHSK-së, pas konsultimit me mua, ka miratuar një larmi udhëzimesh praktike, udhëzime dhe rregullore, përfshirë: ndihmën juridike për të akuzuarit e varfër dhe të të dyshuarve; ndalimin e personave në mjediset e paraburgimit në DHSK, sjelljes profesionale për avokatët në procedurat para DSHK, këto sa për t’i përmendur.

Kjo kornizë ligjore gjithëpërfshirëse merr parasysh praktikat dhe mësimet më të mira vendore, ndërkombëtare dhe të gjykatave dhe tribunaleve ndërkombëtare, të cilat kanë për qëllim sigurimin e procedurave para DHSK-së, që ato të jenë efiçiente, efektive dhe të sigurta. Një tjetër çështje për t’u theksuar përgjatë mandatit tim të parë si Kryetare e DHSK-së, ka qenë kalimi i gjykatës në objektet e reja në qershor të 2019-ës. Me këtë lëvizje, tash kemi një sallë të gjykimit të nivelit të lartë, e cila mundëson zhvillimin e seancave në mënyrë të sigurt, me përkthim simultan në tre gjuhët zyrtare të gjykatës: Shqip, serbisht dhe anglisht. Publiku mund t’i ndjekë seancat qoftë nga galeria publike ose përmes “video-streaming” në uebsajt.

Ngjashëm, ka një dhomë që është e dedikuar për gazetarët, ku ata kanë në dispozicion tavolina ku mund të punojnë dhe të raportojnë për seancat që mbahen. Përfundimisht, jam e lumtur të them se ishim dëshmitarë të nisjes së procedurave gjyqësore përgjatë fundit të mandatit tim të parë si Kryetare e DHSK-së. Kjo, sigurisht, është ajo për çfarë është ngritur gjykata të bëjë.

Gjatë tre muajve të vjeshtës së vitit 2020, Prokurori i Specializuar ka arrestuar shtatë të akuzuar në tre raste të ndryshme. Një prej këtyre rasteve përfshinë së bashku krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, derisa i dyti përfshinë vetëm krime lufte. I treti nga këto raste ka të bëjë me shkelje të pretenduar kundër administrimit të drejtësisë. Një e teta e të akuzuarve për krime lufte janë arrestuar menjëherë pasi kam marrë mandatin tim të dytë si kryetare, duke çuar në total katër raste para DHSK-së. Gjyqtari i Procedurës Paraprake është caktuar për këto çështje dhe që procedurat tash për tash janë duke vazhduar.

Për më tepër, në këtë javë kemi arritur një moment historik, kur gjyqtari i procedurës paraprake transmetoi dosjen e plotë të çështjes në rastin kundër zotëri Sali Mustafa në Trupin Gjykues. Pas njoftimit të gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me këtë, kam caktuar Trupin Gjykues dhe kështu DHSK do ta ketë rastin e parë në gjyq vetëm shtatë muaj pas arrestimit.

Është e qartë pra, se Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka punuar pa pushim me një ekip të përkushtuar për të siguruar përgatitjen e shpejtë të këtyre rasteve për gjykim. Jam e ngazëllyer për atë që mandati im i dytë si Kryetare e DHSK-së ka për të sjellë. Bashkë me tërë gjykatën, do të jem e fokusuar në përmbushjen e mandatit: siguri, pavarësi, paanshmëri, drejtësi dhe efiçienë në procedurën penale. Procedurat gjyqësore tani janë në proces e sipër dhe të gjithë ne mezi presim që të tregojmë se përmbushim pritjet e mëdha që na janë vendosur. Jam e sigurt se DHSK do të shërbejë si model për praktikat më të mira për sistemet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë penale.

Gjatë një takimi me diplomatë evropianë citoheni të keni thënë se “ka përpjekje për të minuar punën e Dhomave të Specializuara” dhe më pas keni paralajmëruar rritje të tyre. Kush është duke bërë këtë trysni dhe a është rritur presioni siç keni pritur?

Ekaterina Trendafilova: Ashtu siç mund të keni parë në media, ka pasur një numër rastesh kur ka pasur përpjekje ose është pretenduar që të minohet puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës pas njoftimit për nisjen e seancave. Për shembull, gjatë vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti aktakuza ndaj dy individëve: zotëri Hysni Gucati dhe zotëri Nasim Haradinaj. Ata dyshohet se kanë kryer një numër veprash kundër administrimit të drejtësisë – nga shpërndarja e informacioneve që mund të çojnë në identifikimin e dëshmitarëve dhe pengimin e procedurave para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Procedurat penale ndaj të dyve janë në vazhdim e sipër. Në mënyrë të ngjashme, Prokurori i Specializuar, duke kundërshtuar lirimin e përkohshëm të të akuzuarve, iu është referuar përpjekjeve “për të delegjitimuar” gjykatën dhe “përpjekjeve për ndërhyrje të mundshme tek dëshmitarët e DHSK-së”. Dhomat e Specializuara të Kosovës i marrin me shumë seriozitet sfidat ndaj mandatit tonë dhe korniza jonë ligjore i siguron DHSK-së mundësinë për të akuzuar çdo individ që dyshohet të ketë kryer veprime kundër administrimit të drejtësisë.

Në Kosovë ka pasur një kërkesë nga aktorë të ndryshëm për zhvendosjen e gjykatës nga Haga. Si e shihni këtë kërkesë dhe sa është e mundur që të ndodhë në të ardhmen?

Ekaterina Trendafilova: Në shkëmbimin e letrave në vitin 2014 në mes të Presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të atëhershme për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Baronesha Catherine Ashton, është arritur pajtueshmëria se për shkak të natyrës së ndjeshmërisë së procedurave që kërkohen Dhomat e Specializuara të vendosen jashtë Kosovës. Marrëveshja për vendosjen [jashtë Kosovës] të procedurave është e detyrueshme dhe nuk mund të ndryshohet  pa një dakordim të palëve të përfshira. Për më tepër, arsyet e vendosjes [jashtë Kosovës] vazhdojnë të ekzistojnë: përkatësisht natyra sensitive e seancave dhe nevoja për të pasur siguri për viktimat dhe dëshmitarët. E rëndësishmja, ne nuk jemi të shpërqendruar nga kërkesat e tilla për zhvendosje. DHSK mbetet e përqendruar dhe plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj të pavarur, të sigurt dhe në mënyrë profesionale.

Në të kaluarën keni thënë se Gjykata Speciale nuk do të jetë gjykatë etnike. Nga ajo që kemi parë deri më tani, të gjitha ftesat për intervistim dhe të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë. Si shpjegohet kjo?

Ekaterina Trendafilova: Kjo pyetje është bërë shpesh dhe pasqyron një keqkuptim të natyrës së këtij institucioni. E shfrytëzoj këtë mundësi për të shpjeguar si vijon: Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar përcaktojnë qartazi se vetëm individë dhe jo grupe etnike, organizata apo ndonjë entitet tjetër mund të akuzohet për krime që bien brenda juridiksionit të DHSK-së. Veçanërisht, këto janë krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas ligjeve të Kosovës, të cilat kanë nisur ose janë kryer në Kosovë ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, nga, ose ndaj qytetarëve të Kosovës ose ish Republikës Federale të Kosovës.

Me të vërtetë, ligji e pasqyron qartë se DHSK nuk është themeluar për të nisë procedura kundër një grupi etnik të caktuar. Lidhur me çështjet konkrete para DHSK, duhet të kujtohet, se vendimi se kush të akuzohet është ekskluzivisht i Prokurorit të Specializuar, i cili vepron në mënyrë të pavarur dhe është forca e vetme lëvizëse në këtë drejtim. Prokurori i Specializuar merr vendime të tilla duke u bazuar në hetimet e zyrës së tij dhe disponueshmërinë e provave. Kështu, nuk më takon mua as askujt për t’i komentuar zgjedhjet e Prokurorit të Specializuar se kë ta padisë.

Sidoqoftë, neve na takon – gjyqtarëve të DHSK-së – që të sigurojmë që seancat kundër individëve të akuzuar, të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe efikase duke marrë parasysh të drejtat e ofruara për ta dhe duke marrë vendime mbi fajësinë ose pafajësinë e tyre. Në fund do të doja të theksoja se viktimat e identifikuara në aktakuzat aktuale janë nga shumëllojshmëri prejardhjesh dhe etnish. Me fjalë të tjera, llojllojshmëria e prejardhjes së viktimave tregon më tej se DHSK nuk është një “gjykatë etnike”.

Gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, disa dokumente kanë qarkulluar në Kosovë e të cilat është thënë se janë dosje të Gjykatës Speciale, për çfarë pastaj krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u arrestuan. A mendoni se rrjedhja e këtyre dokumenteve i ka dëmtuar dëshmitarët dhe kush besoni se është përgjegjës për rrjedhjen e tyre në publik?

Ekaterina Trendafilova: Nuk mund të flas për shpërndarjen e informacionit nga DHSK ose për efektin që kjo ka te dëshmitarët. Sidoqoftë, Prokurori i Specializuar ka theksuar  në disa intervista të fundit që zyra e tij ka qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë dëshmitarët për t’iu përgjigjur brengave të tyre. Çfarë mund të them është se mbështetja dhe mbrojtja e dëshmitarëve është prioriteti më i lartë i Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ka një njësi të specializuar, e cila siguron mirëqenien dhe sigurinë e dëshmitarëve, para, gjatë dhe pas gjykimit.

Gjyqtarët mund të urdhërojnë një mori masash mbrojtëse brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, përfshirë përdorimin e pseudonimeve, dhënien e dëshmisë përmes “videolink”-ut, me zë ose fytyrë të mbuluar, kështu që identiteti i dëshmitarëve mbahet konfidencial dhe që vendndodhja e tyre mbetet e panjohur. Përfundimisht, ashtu siç demonstrohet nga rastet e fundit kundër Gucatit dhe Haradinajt, Ligji për DHSK dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar parashohin se ata të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë edhe frikësimin e dëshmitarëve ose zbulimin e identitetit të tyre mund të ndiqen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Nga puna e bërë pas arrestimeve të para në vitin e kaluar, në pikëvështrimin tuaj kur pritet që të nisin gjykimet e para?

Ekaterina Trendafilova: Tani për tani kemi katër raste para Dhomave të Specializuara të Kosovës, tri prej të cilave janë në fazën paragjyqësore të procedurës penale dhe rasti ynë i parë, i cili është transmetuar para Panelit Gjyqësor. Ky rast i parë përfshinë procedurën kundër zotëri Sali Mustafës i cili akuzohet me katër pika për krime lufte. Më 5 maj 2021, Gjyqtari i Procedurës Paraprake më njoftoi se është në pozicionin për ta trensmetuar dosjen e plotë të çështjes te një trup gjykues dhe në të njëjtën ditë, unë caktova Panelin Gjyqësor për të nisur gjykimin në këtë rast sa më parë pas pranimit të dosjes së plotë të çështjes. Rasti i dytë është kundër zotërinjve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake ende nuk ka treguar se kur ky rast do të kalojë në gjykim. Ky është një rast më i madh dhe kohëzgjatja do të varet nga një larmi faktorësh, përfshirë argumentet e prezantuara nga palët përgjatë fazës paragjyqësore. Rasti i tretë përfshinë çështjen e zotëri Pjetër Shalës i cili është i akuzuar me katër akuza për krime lufte. Shala është arrestuar në mars të vitit 2021 dhe se rasti sapo ka hyrë në fazën paragjyqësore të procedurave. Prandaj, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ende nuk ka treguar se kur rasti do të jetë i gatshëm për gjykim. Dhe në fund është rasti kundër zotërinjve Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të cilët akuzohen me dy akuza të veprës penale kundër rendit publik dhe katër pika për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake paraprakisht ka treguar se kjo çështje mund të kalojë në gjyq deri më 30 qershor 2021. Derisa rastet të jenë gati për gjykim, procedurat do të jenë në atë që njihet si fazë paragjyqësore. Gjatë kësaj periudhe, Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konfirmuar aktakuzat për të gjitha katër rastet dhe do të vendosë për çdo mocion paraprak, përfshirë sfidat e juridiksionit të DHSP-së dhe aktakuzat. Gjykatësi i Procedurës Paraprake mund të marrë më tej çfarëdo vendimi për të siguruar që rastet janë të përgatitura siç duhet dhe në mënyrë të shpejtë për gjykim.

Në çfarë niveli është bashkëpunimi me institucionet e Kosovës – Ministrinë e Drejtësisë, Policinë e Kosovës dhe trupat tjera të drejtësisë lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës?

Ekaterina Trendafilova: Më duhet të theksoj që në fillim se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar, parashikon, që në varësi të të drejtave të të akuzuarve, të gjitha autoritetet në Kosovë do të bashkëpunojnë me DHSK dhe ZPS dhe do të jenë në përputhje me çdo kërkesë për ndihmë, apo ndonjë urdhër ose vendim të lëshuar nga DHSK dhe ZPS.

Derisa, nuk mund të komentoj çështje specifike operacionale, është mirëkuptim i imi se bashkëpunimi i siguruar nga Policia e Kosovës në arrestimet e një numri të të akuzuarve ka qenë jashtëzakonisht profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat