Deputetja e LDK-së: Nuk duhet të ketë dialog pa SHBA-të, këto janë pritjet në zgjedhjet lokale

Intervista

Deputetja e LDK-së: Nuk duhet të ketë dialog pa SHBA-të, këto janë pritjet në zgjedhjet lokale

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 qershor 2021 Në ora: 08:12
Deputetja nga LDK-ja, Rrezarta Krasniqi

Nuk duhet të ketë dialog pa praninë e SHBA-ve dhe SHBA-të janë garantues për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Kështu ka deklaruar deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një intervistë për “Bota sot”.

Ajo ka thënë se si deputete do të jetë e orientuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, përveç kësaj, ajo theksoi se këtë herë do të jetë e angazhuar edhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.

Ndër të tjerash, Krasniqi ka komentuar edhe ofertën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për kryeministrin Albin Kurti, i cili ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut. Ajo potencoi se LDK vazhdimit ka kultivuar raporte me SHBA-të dhe se do të ndihen të sigurt në dialog edhe me përfshirjen e tyre.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, ajo ka thënë se LDK është e gatshme për të garuar në këto zgjedhje, madje edhe e bindur se do të vlerësohet puna e tyre nga qytetarët. Ndërsa për kandidaturat për kryetarë të komunave, ajo ka thënë se do të bëhen publik në ditët në vijim.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Rrezarta Krasniqi: Pas një procesi zgjedhor që kishim më 14 shkurt të këtij viti, konsideroj se kemi një situatë të qetë në skenën politike në aspektin e përgjithshëm, por tani kjo varet edhe nga puna e qeverisë aktuale, sepse mos-puna e tyre do të përcillet me kundërshtime të fuqishme opozitare. Ne jemi duke e mbikëqyrur punën e tyre dhe po presim 100 ditëshin e parë për të kuptuar se çfarë janë të aftë të bëjnë dhe pastaj do t’ua numërojmë dështimet në qeverisje.

“Bota sot”: Jeni deputete për herë të dytë në Kuvendin e Kosovës. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Rrezarta Krasniqi: Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë vlerësuar angazhimin tim si deputete në Kuvendin e Repbulikës së Kosovës në legjislaturën e parë dhe kanë vendosur të më japin besimin edhe për një mandat të dytë, që për mua është përgjegjësi, sepse qëllimi im është përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës dhe zë i tyre në zgjidhjen e problemeve me të cilat ata përballen.

“Bota sot”: Cili do të jetë fokusi juaj në këtë mandat si deputete?

Rrezarta Krasniqi: Sikurse edhe në mandatin e kaluar, angazhimi im është i orientuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në mbarë vendin pa dallim gjinie, moshe apo përkatësie fetare. Objektiv i imi mbetet fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri dhe në punë si dhe përkrahja e të rinjve në aspektin e shkollimit dhe punësimit. Gjatë këtij mandati do të angazhohem edhe në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit, veçanërisht ata të moshave të treta që fatkeqësisht kjo qeveri nuk po ju ofron kujdesin e duhur, kur po e them këtë e kam fjalën edhe për procesin e vaksinimit të gjyshërve tana, që në disa raste kanë rrezikuar nga infektimi me virus, duke mos pasur organizim të duhur nga Ministria e Shëndetësië për vaksinimin e tyre kundër virusit Covid-19. Sigurisht, angazhimi im nuk do të kufizohet vetëm në këto çështje sepse siç e ceka dhe më lartë në pyetjen tuaj, unë do të jem zë i të gjithë qytetarëve dhe rrjedhimisht do të mundohem të zgjidh problemet e të gjitha shtresave të qytetarëve tanë.

“Bota sot”: Si e komentoni ju ofertën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për kryeministrin Albin Kurti, meqë rast ka kërkuar përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut?

Rrezarta Krasniqi: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti institucionaliste e cila është krijuar mbi baza demokratike dhe në vazhdimësi ka kultivuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleatin kryesor të Republikës së Kosovës. Ne konsiderojmë se përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut është jetike për vendin dhe qytetarët tanë, sepse vetëm atëherë mund të ndihemi të sigurt në procesin e dialogut. Për LDK-në, roli i SHBA-së në dialog është i patjetërsueshëm. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog.

“Bota sot”: A do të mund të arrihet njohja nga Serbia vetëm përmes SHBA-ve?

Rrezarta Krasniqi: Ne jemi të bindur se me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe BE-së, Kosova do ta fuqizojë pozicionin e saj karshi shtetit serb dhe vlerësoj se prania e SHBA-së në procesin e dialogut është garantus për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga dialogu që pritet të fillojë në qershor? Sa mendoni se së shpejti mund të kemi marrëveshje finale me Serbinë?

Rrezarta Krasniqi: LDK-ja do të përkrahë procesin e dialogut nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar nga kryetari z. Lumir Abrixhiku, që për rezultat përfundimtar do ta ketë njohjen e ndërsjellë mes dyja shteteve. Dokumenti për të cilin po flas e ka prezantuar edhe z. Abdixhiku, i cili përmban parimet që Kosova duhet t’i mbrojë, e që janë diskutimet mbi bazën e vendimit të GJND për pavarësinë e Kosovës, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar dhe rendit kushtetues, dhe rezultati final njohja e ndërsjellë dhe anëtarësimi në BE dhe NATO.

“Bota sot”: Si e vlerësoni programin qeverisës të kryeministrit Kurti dhe Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti deri më tani?

Rrezarta Krasniqi: Programi qeverisës i kësaj qeverie është i mangët dhe me tepër përmban dëshira sesa ka diçka konkrete dhe të prekshme. Unë e kam kritikuar programin e qeverisë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Një fakt shqetësues për mua si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës e parasegjithash qytetare e këtij vendi për të cilën u sakrifikuan shumë për çlirim dhe pavarësim, është që kjo qeveri nuk mendon për të gjithë qytetarët, pra nuk përmendet askund Veriu i Kosovës, që sa për dijeninë tuaj përbën afërsisht 17% e territorit të Republikës së Kosovës. Në asnjë rresht të vetëm nuk përmendet zhvillim ekonomik për atë pjesë, në mënyrë që të bëhet integrimi i veriut dhe i qytetarëve që jetojnë në Veri. Qeveria Kurti dhe njerëzit e tij duhet të mendojnë edhe për atë pjesë sepse është pjesë e territorit të Repbulikës së Kosovës, jo e një shteti tjetër që ne shohim raportime në media se vazhdimisht sjell investime për të shtuar praninë etnike të popullit serbë. Madje janë po të njëjtit njerëz që për 10 vite me radhë kanë kritikuar qeveritë e kaluara dhe kanë bërë thirrje për angazhim me të madh për Veriun, ndërsa tani e kanë lënë krejt pas dore. Unë konsideroj se Qeveria duhet të këtë në planprogram me theks të veçantë zhvillimin ekonomik në Veri të Mitrovicës, në mënyrë që të stimulojë edhe qytetarët shqiptar që jetojnë në atë pjesë, për të vazhduar aktivitetet e tyra jetësore në pronat që i kanë.

“Bota sot”: Në tetor do të mbahen zgjedhjet lokale, cilat janë pritjet tuaja, sa komuna synoni t’i fitoni?

Rrezarta Krasniqi: Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për të garuar në zgjedhjet komunale dhe jemi të bindur se qytetarët do ta vlerësojnë punën dhe angazhimin e kryetarëve aktual në komunat ku udhëheq LDK-ja, i cili do të konfirmohet me fitoren e LDK-së në ato komuna. Si LDK jemi duke punuar çdo ditë në terren dhe presim që marrim besimin e qytetarëve për të qeverisur në shumicën e komunave në vend. Siç edhe jeni në dijeni ne kemi hyrë në një proces të reformimit të brendshëm dhe vlerësoj se ky vendim do të reflektojë tek elektorati ynë. Në ditët në vijim do të bëhen të njohura për publikun kandidaturat e LDK-së për zgjedhjet komunale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat