Deputetja e LDK-së tregon kandidatin për kryetar të Gjilanit dhe mundësinë e rikthimit në parti të ish anëtarëve

Intervista

Deputetja e LDK-së tregon kandidatin për kryetar të Gjilanit dhe mundësinë e rikthimit në parti të ish anëtarëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 15 korrik 2021 Në ora: 08:38
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi në një intervistë për “Bota sot” ka komentuar punën e qeverisjes aktuale me kryeministër Albin Kurtin. Ajo ka kritikuar punën e kësaj qeverie për më tepër se 100 erdhi në pushtet. Ka folur edhe për bashkëpunimin e partive opozitare e për zgjedhjet lokale.

Deputetja Bunjaku-Rexhepi ka folur edhe për bashkëpunimin me Presidenten Vjosa Osmani, për dialogun e për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Sipas saj, arritja e marrëveshjes me Serbinë mbetet e largët.

Ajo ka konfirmuar se Lutfi Haziri do të jetë kandidat për kryetar të Gjilanit, duke qenë e bindur në fitore, sikurse edhe në shumë komuna të tjera.

Sa i përket mundësisë së rikthimit në LDK të figurave të larguara, sidomos atyre që tani janë pjesë e Listës Guxo, ajo ka thënë se LDK e ka derën hapur për të gjithë ata që besojnë në LDK dhe që kanë dalë nga ajo për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur në atë kohë.

Intervista e plotë:

Bota sot: Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Qeveria Kurti i bëri tashmë 100 dite e më shumë. Dhe jo vetëm pse jemi opozitë por sepse në asnjë rast nuk mund të themi se diçka mirë ka punuar. Qeveri e skandaleve të njëpasnjëshme, e mospërvojës totale me institucione, e inateve e tekeve partiake. Qeveria Kurti në njërën anë shkarkoi borde e komisione pa dallim e pa analizë. Në anën tjetër punësoi familjarë e militantë. Neglizhencë totale e blerjes së vaksinave për Covid-19.Retorikë e fjalime por punë e veprime aspak. Dështim total dhe zhgënjim në masë!

Bota sot: Sa ka bashkëpunim ndërmjet partive opozitare?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK ka identitetin e saj si parti me përvojë. Edhe si opozitë bën rolin e saj konstruktiv. Çdo iniciativë në të mirë te vendit përkrahet dhe çdo veprim të dëmshëm refuzohet, kritikohet dhe kundërvihet. LDK me fakte e argumente do të mbetet forca më produktive e vendit në opozitë .LDK mbetet partia më bashkëpunuese me rolin e saj.

Bota sot: Ҫfarë prisni nga zgjedhjet lokale që do të mbahen brenda pak muajsh?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Zgjedhjet lokale janë afër. LDK-në e gjejnë me ndryshime në lidership e struktura. Në organizim e në përfaqësim ka reforma pozitive. Kryetari Abdixhiku ka bërë ndryshimet e kërkuara dhe ka ofruar zgjidhjen më të drejtë. Kandidatët e LDK-së për kryetar komunash do të jenë oferta më e mirë qytetare. Njerëz të dëshmuar e profesionistë në nivelin lokal, i cili dallon me nivelin qendror.

Bota sot: Tani me kryesinë e re të partisë tuaj, a pritni një rezultat më të mirë të LDK-së?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK mbajti kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor para 4 muajsh. Zgjodhi kryetarin e ri z.Lumir Abdixhikun dhe kryesinë e re. Një kuvend shembull për partitë e tjera. Një orientim i bazuar në traditën e shtetndërtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit janë bazamenti i rikthimit të madh të LDK në të ardhmen.

Bota sot: A besoni se do të fitoni sërish Gjilanin?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Gjilani me LDK-në dhe Lutfi Hazirin kryetar kanë bërë punë të mëdha këto dy mandate. Sikur qeveria e Kosovës të mos ndryshohej vazhdimisht dhe sikur të tejkaloheshin egot e partive politike në qeveri edhe disa projekte do të ishin të kryera kaherë. Por, punët e mira në Gjilan shihen, preken dhe qytetarët aty dinë të vlerësojnë. Alternativë më të mirë nuk ka. Gjilani vazhdon me LDK-në dhe Lutfi Hazirin.

Bota sot: Cili është vlerësimi juaj për dialogun?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Dialogu me Serbinë është pengu ynë politik. Pa gjetjen e te zhdukurve dhe arrestimin e kriminelëve serbë nuk mund të ketë dialog të barabartë. Ndërmjetësimi i SHBA-ve si garantuese dhe BE-së si ndërmjetësuese në finalizim të njohjes nga Serbia është zgjidhja optimale për dy vendet.

Bota sot: Cili është bashkëpunimi juaj me Presidenten Vjosa Osmani?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK i bëri kuorumin Vjosa Osmanit dhe mundësoi krijimin e institucioneve. Unifikimi dhe roli i saj si presidente e vendit është obligim kushtetues, bashkëpunim i cili ndërtohet në përgjegjësi e jo në vendime të njëanshme.

Bota sot: Sa keni shpresa që së shpejti do të arrihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Pa dialog të mirëfilltë dhe njerëz kredibil, të pastër dhe që shohin nga e ardhmja, nuk besoj që arrihet shpejtë ndonjë marrëveshje e qëndrueshme.

Bota sot: Si duhet vepruar me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: LDK gjithmonë ka ofruar zgjidhjen e drejtë për çdo proces te ngritur e që është në interes të vendit. Edhe për asociacionin është deklaruar. Dhe nuk lëvizë nga qëndrimet e saj.

Bota sot: Sa komuna pritni t'i fitoni në zgjedhjet e 17 tetorit?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Zgjedhjet e 17 Tetorit janë testi i parë për LDK e reformuar. Kemi ofruar kandidatët më të përgatitur dhe profesional, me përvojë dhe traditë. Madje kemi kandiduar edhe një femër ne Deçan si vlerë dhe jo vetëm nga aspekti gjinor. Po presim përmbylljen e kandidaturave dhe ofertën e programit në secilin qytet. Presim rikonfirmim të qyteteve ku udhëheqim dhe gjithashtu fitore në disa qytete tjera.

Bota sot: A ka vend në LDK për ish figura të partisë që janë pjesë e listës Guxo?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Kryetari Abdixhiku e ka thënë shumë herë që të gjithë ata që mendojnë dhe besojnë në LDK e kanë derën hapur. Sidomos ata që kanë dalë nga kjo derë të pakënaqur me zhvillimet e fundit. LDK mbetet lidhja me popullin dhe vendin si partia më tradicionale dhe më e vjetër në vend, por me lidershipin më të ri dhe programin më të avancuar e për të ardhmen. LDK është shtëpi e madhe dhe këtë e dinë të gjithë. Edhe ata që momentalisht kanë kritika e vërejtje në kohë të caktuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat