“LDK do të kthehet në vendin e vet”, kandidati për kryetar të Kamenicës tregon si do të zgjidhet çështja e Karaçevës

Intervista

“LDK do të kthehet në vendin e vet”, kandidati për kryetar të Kamenicës tregon si do të zgjidhet çështja e Karaçevës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 4 gusht 2021 Në ora: 22:13
Jeton Biqkaj

Jeton Biqkaj është kandidat për kryetar të Kamenicës nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai në një intervistë për “Bota sot”, ka treguar se si erdhi deri te kandidimi i tij për kryetar të komunës së Kamenicës.

Po ashtu, Biqkaj ka folur edhe për problemet kryesorë me të cilët përballen qytetarët e kësaj komune.

Gjithashtu, ai ka folur edhe për ndryshimet që janë bërë në partinë e tij, që nga ardhja e Lumir Abdixhikut si kryetar të LDK-së.

“Kemi besim që LDK-ja në këtë zgjedhje do të rikthehet në vendin e vet, aty ky duhet, që ti prijë proceseve të mëdha që kemi përpara si shtet, por edhe tash në nivel lokal. Ndryshimet që kanë ndodhe në udhëheqje të LDK-së, platforma për ringritje e lidershipit të ri janë garancë që LDK do të rikthehet. Kamenica ka mbet mbrapa në zhvillim dhe i duhet një qeverisje stabile dhe e përkushtuar”, ka deklaruar Biqkaj.

Ai ka folur edhe për çështjen e Karaçevës së Poshtme, atje ku shpeshherë xhandarmëria serbe është e pranishme. Sipas tij, kjo çështje do të zgjidhet me demarkimin e kufirit Kosovë – Serbi, derisa thotë se të gjitha faktet janë në anën tonë dhe se ajo pjesë e Kosovës dhe jo Serbisë siç ajo pretendon.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Ju jeni përzgjedhur si kandidat  i Lidhjes Demokratike për komunën e Kamenicës, si erdhi deri në këtë vendim?

Jeton Biqkaj: Vendimmarrja ka qenë në strukturat e Degës pas një debati të brendshëm brenda strukturave të LDK-së në Kamenicë dhe komunikim me anëtarësinë. Po ashtu, propozimin e degës e ka aprovuar Kryesia e LDK-së dhe Kryetari Lumir Abdxhiku.

“Bota sot”: Sa është përgjegjësi për ju që të jeni kandidat i kësaj komune nga LDK-ja?

Jeton Biqkaj: Është përgjegjësi të jemi në këtë mandat kandidat i LDK-së për kryetar Komune pasi që rezultati i zgjedhjeve të fundit ka qenë i pafavorshëm për ne. Por edhe nevoja për zhvillim e punësim. Andaj këtë nominim e marr si përgjegjësi j vetëm për anëtarët e LDK-së por në përgjithësi për qytetarët e Kamenicës.

“Bota sot”: Në zgjedhjet  e përgjithshëm, LDK-ja është renditur si partia e tretë, dhe për shkak kësaj u bënë reforma brenda saj, cilat janë pritje tuaja? A do të rikthehet rezultati i dikurshëm i LDK-së  në këto zgjedhje?

Jeton Biqkaj: Po është e saktë, por  kemi besim që LDK-ja në këtë zgjedhje do të rikthehet në vendin e vet aty ky duhet, që t’i prijë proceseve të mëdha që kemi përpara si shtet, por edhe tash në nivel lokal. Ndryshimet që kanë ndodhe në udhëheqje të LDK-së, platforma për ringritje e lidershipit të ri janë garancë që LDK do të rikthehet. Kamenica ka mbet mbrapa në zhvillim dhe i duhet një qeverisje stabile dhe e përkushtuar.

“Bota sot”: A do të jeni fitues në Kamenicë në këto zgjedhje lokale që do të mbahen në Kosovës?

Jeton Biqkaj: Po sigurisht që po, me  programin që do të paraqesim, ekipin e asamblistëve dhe bashkë me elektoratin rugovian jemi të bindur në fitore. Për këto 8 vite kemi parë që komuna e jone ka mbet mbrapa në shumë fusha.  Jemi në proces të hartimit të programit i cili do të jetë në harmoni me nevojat e qytetarëve, i realizueshëm dhe do të jetë në harmoni me mundësitë buxhetore që i ka Komuna e jonë.

“Bota sot”: Cilat janë tre problemet kryesore që qytetarët e Kamenicës përballen çdo ditë?

Jeton Biqkaj: Problemet kryesore janë:

Mungesa e ujit të pijshëm në disa lokalitete, dhe ne disa që kanë ujësjellës nuk janë funksionale sa duhet, por edhe në qytet nuk ka mjaftueshëm ujë të pijshëm.

Trajtimi i ujërave të zeza- shumica e ujërave të zeza derdhen në lumenjtë.

Mungesa e çerdheve publike – Kamenica ka vetëm një çerdhe publike.

“Bota sot”: Kryetari i tanishëm i Kamenicës, z. Kastrati ka disa vite që ka nisur reformën në arsim.

Jeton Biqkaj: Reformën që e ka nisur kryetari aktual është e ngutshme dhe rezulton me mbylljen e disa shkollave, sepse çdo herë ka nevojë për reformë në cilësi, ambient ku zhvillohet mësimi, por këtu kemi të bëjmë me funksionim të shkollave, ku ka shkolla me afërsisht 100 nxënës.  Po ashtu, çdo veprim duhet të bëhet bashkë më komunitetin. Dhe nga ky proces kanë humbur shumë nxënësit e këtyre shkollave. Po ashtu edhe me ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit nuk është zgjidhur problemi, por kanë funksionuar paralelisht Komuna me Ministrinë.

“Bota sot”: Cilat janë planet tuaja në këtë fushë, duke cekur këtu se shumë nxënës nga kjo komunë nuk e kanë ndjekur procesin mësimor?

Jeton Biqkaj: Ky projekt i kryetarit aktual në është në platformën tonë, dhe ne do të angazhohemi ta stabilizojmë procesin arsimor, mos të ketë humbje të mësimit, e të gjitha veprimet për arsim sa ma cilësor do ti bëjmë bashkë me prindërit, këshillat e prindërve, ekspertët dhe në komunikim të plotë me institucionet qendrore.

“Bota sot”: Një tjetër çështje është problem në këtë komunë është edhe braktisja e fshatrave, sidomos ato që janë në brezin kufitar. Çfarë do të bëni ju që banoret e mbetur të vazhdojnë të jetojnë ende aty?

Jeton Biqkaj: Kamenica është pothuajse ndër komunat më të goditura nga shpërngulja e banorëve  që lëvizin jashtë shtetit por edhe brenda Kosovës në qytet e mëdha, si në Gjilan, Prishtinë etj.

Mungesa e zhvillimit ekonomik, mungesa e punësimit kanë ndikuar të ketë shpërngulje të mëdha, por si komunë që jemi në brezin kufitar duhet të ketë investime më të mëdha, po ashtu këto pjesë janë rurale dhe duhet të mbështeten me subvencione bujqit dhe fermerët, vetëm në këtë frymë mund ti nxisim banorët të qëndrojnë në pronat e tyre.

Po ashtu, Kamenica ka zonë mjaft atraktive kodrino – malore, për investime në turizmin malor.

“Bota sot”: Banorët e Karaçevës shpesh herë janë ankuar për sigurinë e tyre, pasi që forcat serbë  kanë hyrë brenda territorit të Kosovës.  Si e komentoni këto? Cili është plani juaj?

Jeton Biqkaj: Kjo çështje është pasojë e marrëveshjes së Kumanovës dhe e vërteta është që xhandarmëria serbe shpeshherë ka hyrë në territorin e Kosovës, por kjo pjesë që pala serbe e konteston ne jemi të sigurt që është pjesë e Kosovës, sepse të gjitha faktet janë në anën tonë. Dhe besoj që me demarkimin e kufirit Kosovë - Serbi do të zgjidhet kjo çështje. Ne si Komunë do të angazhohemi të jemi afër këtyre banorëve dhe të kenë mbështetjen e Komunës në realizmin e projekteve që e lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe e kthejnë perspektiven në këto lokalitete. Do të angazhohemi më shumë në sensibilizim më të madh tek institucionet qendrore por edhe ndërkombëtare që kjo çështje të zgjidhet dhe banorët  e Karaçevës të mos kenë shqetësime të tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat