Ish ambasadori rikthehet në Hagë, do të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit

Intervista

Ish ambasadori rikthehet në Hagë, do të jetë pjesë e ekipit mbrojtës të Hashim Thaçit

Më: 20 tetor 2021 Në ora: 15:30
Hashim Thaçi

Media ka zhvilluar një intervistë me ish ambasadorin e Republikës së Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci, lidhur me shkarkimin e ambasadorëve, proceset gjyqësore në Hagë dhe dialogun me Serbinë.

Z. Greiçevci, ju jeni ndër 12 ambasadorët e shkarkuar së fundi, si e keni përjetuar këtë vendim?

Greiçevci: Vendimet për emërime dhe tërheqje të diplomatëve, në këtë rast të ambasadorëve, janë e drejtë ligjore dhe kushtetuese e institucioneve përkatëse në Kosovë. Mirëpo, në sisteme demokratike, vendimet nuk merren në mënyrë grupore, arbitrare dhe për nevoja të ngushta politike të qeverisë aktuale. Emërimet e ambasadorëve direkt nga cilado qeveri aktuale janë të rregulluara me ligj. Askund nuk thuhet në ligj që një qeveri, ose president, kur e merr detyrën, mund të bëjë kësi largime stihike. Në ligj parashihen kushtet kur mund të bëhet tërheqja e parakohshme. Ato janë injoruar në tërësi në rastin tonë, dhe tërheqjet nuk janë bërë në frymën e ligjit, duke dëmtuar kështu edhe raportet bilaterale me shtetet përkatëse.

Ambasadat janë të shtetit të Kosovës dhe jo të asnjë qeverie aktuale të Kosovës. Në këtë aspekt, ato hyjnë në rang me institucione shtetërore si ushtria, policia, inteligjenca dhe të ngjashme. Ato u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim: qeverisë aktuale, opozitës, shoqërisë civile, diasporës.

Tërheqja grupore e një numri kaq të madh të ambasadorëve, përnjëherësh, ka shkaktuar së paku dy precedentë të dëmshëm për të ardhmen: i ka hapur rrugë qeverive të ardhshme që të veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke larguar të emëruarit politikisht të qeverisë pararendëse, në grup, si dhe do t’ua pamundësojnë njerëzve me profil të lartë që t’i pranojnë këto emërime në të ardhmen, nga pasiguria e mosushtrimit të mandatit të plotë. Sidoqoftë, shpresoj se këto praktika të këqia të vendosura nga pushteti aktual nuk do të përsëriten nga qeveritë e ardhshme.

Unë mund të flas për vetëveten, në të gjitha pozitat shtetërore që kam pasur, si këshilltar kryeministri, pjesë e ekipit negociator për Dialogun me Serbinë, dhe së fundi si ambasador në Holandë, Mbretëri të Bashkuar dhe Irlandë, asnjëherë nuk kam vepruar në interes të grupeve të ngushta, por në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Në fakt, asnjëherë, askush, asnjë zyrtar shtetëror ose partiak, nuk ka kërkuar nga unë që të anoj në një anë ose tjetër. Jo që do të pranoja edhe po të kërkonte dikush, por dua ta bëj të qartë këtë gjë, dhe t’i falenderoj publikisht dy presidentë, katër kryeministra, pesë ministra të jashtëm, të partive të ndryshme politike, me të cilët kam punuar, që nuk kanë bërë asnjëherë kërkesa të tilla.

Është paralajmëruar nominimi i z. Dren Doli si ambasador i ardhshëm i Kosovës në Holandë? Çfarë mendimi keni për kandidimin e tij dhe çfarë sfida e presin atë në misionin e tij atje?

Greiçevci: Mendoj se është zgjedhje e mirë. Në fakt, unë jam takuar me z. Doli në Kosovë, për ta informuar lidhur me marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Holandë dhe hollësi të tjera të funksionimit të misionit diplomatik atje. Unë jam i interesuar që ai të ketë sukses dhe do të jem në dispozicion të tij për çdo këshillë, për t’ia lehtësuar ushtrimin e funksionit të tij. Sfidat kryesore do të jenë, natyrisht, avancimi i raporteve Kosovë-Holandë (në veçanti liberalizimi i vizave) dhe proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Shpresoj se, pas përmbylljes së procedurave të nevojshme, ai do mund të dislokohet sa më parë në Hagë, në mënyrë që ambasada të ketë përfaqësim të duhur.

Ju keni përmbyllur misionin tuaj në Hagë më 30 gusht, çfarë jeni duke bërë aktualisht?

Greiçevci: Po, ashtu siç ishte përcaktuar në vendim për largimin nga misioni, unë e kam përmbyllur misionin tim diplomatik në Hagë më 30 gusht 2021, dhe jam kthyer në Kosovë. Mirëpo, tani jam rikthyer në Hagë si këshilltar në ekipin mbrojtës të z. Hashim Thaçi.

A mund të na jepni një koment tuajin lidhur me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë?

Greiçevci: Unë nuk e kam komentuar publikisht punën e Dhomave të Specializuara asnjëherë gjatë mandatit tim si ambasador i Kosovës në Hagë. Mendoj se zyrtarët shtetërorë duhet të përmbahen nga komentimi i vendimeve gjyqësore. Ndërsa, aq më pak do ta komentoj tani që jam akredituar si pjesë e një ekipi mbrojtës. Por, mund ta them këtë gjë, në cilësinë e qytetarit të Kosovës: bashkëpunimi i Kosovës me drejtësinë ndërkombëtare është i pashembullt kudo në botë. Asnjë pjesëtar i UÇK-së, i cili është kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare ose vendore, nuk iu ka shmangur asaj. Dhomat e Specializuara janë mekanizmi i katërt i ndërkombëtarëve për ta hetuar dhe gjykuar UÇK-në, një forcë vullnetare për çlirimin e Kosovës, aleate e NATO-s dhe e Perëndimit.

Ndërkaq, Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë kishte akuzuar dhe gjykuar gjashtë pjesëtarë të UÇK-së, prej tyre pesë qenë liruar të pafajshëm. Ky numër kaq i madh i të shpallurve të pafajshëm është tregues shqetësues për nivelin e dëshmive që janë përdorur për t’i akuzuar ata. Secili prej tyre ka humbur shumë vite të jetës në paraburgim në Hagë. Ndërsa UNMIK-u dhe EULEX-i kanë gjykuar me dhjetëra raste në Kosovë. Nëse i shtojmë edhe rastet e ish pjesëtarëve të UÇK-së të cilët i ka gjykuar Serbia, si dhe ato nga gjyqësori i Kosovës nga viti 2018, kur i mori për herë të parë kompetencat për krime lufte, atëherë i bie që gjashtë mekanizma të ndryshëm gjyqësorë, deri më tani, e kanë ndjekur dhe gjykuar UÇK-në. Kjo nga shumëkush në Kosovë dhe jashtë saj shihet si përndjekje, si terror gjyqësor, ndaj një struktureje vullnetare, vetëmbrojtëse, e cila kishte qëllim të vetëm ndalimin e dhunës serbe në Kosovë, njëjtë sikur edhe NATO.

Për dallim, janë vetëm katër serbë të cilët janë dënuar në Hagë për krimet e kryera në Kosovë. Ndërsa i pesti, ish presidenti serb, Millan Millutinoviq, ishte liruar si i pafajshëm nga akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminale, një president i një struktureje të organizuar shtetërore, që ka refuzuar marrëveshjen e paqes në Rambuje, që ka mundësuar gjenocidin mbi popullin e Kosovës, ka votuar për të hyrë në luftë me NATO-n si anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, së bashku me Sllobodan Millosheviqin. Ai madje ishte lejuar ta përfundonte mandatin e tij si president i Serbisë dhe ishte dorëzuar në Hagë tek pas përfundimit të tij. Ndërsa, që të gjithë kriminelët tjerë serbë, të cilat kanë ekzekutuar planet gjenocidiale serbe në Kosovë, enden të lirë në Serbi. Ky kontrast, për ta ekzaminuar në mënyrë mikroskopike UÇK-në, palën e vetëmbrojtur, dhe për ta lënë të lirë palën agresore serbe, do të hyjë në histori si padrejtësia më e madhe në kohërat moderne.

Ju keni qenë pjesë e ekipit negociator të Kosovës kur pati filluar ai më 2011, a mund të na jepni një vlerësim për qasjen e Qeverisë Kurti lidhur me dialogun të ndërmjetësuar nga BE?

Greiçevci: Z. Kurti ka qenë në opozitë një kohë të gjatë, duke kundërshtuar çdo gjë, shpesh me mjete të dhunshme, dhe shihet qartë që nuk e ka as përvojën dhe as gatishmërinë për t’u përballur as me sfidat e qeverisjes, e lëre më me Dialogun me Serbinë. Mohimi i çdo përparimi të bërë gjatë dy dekadave të fundit dhe rritja artificiale e pritjeve të qytetarëve, mbart me vete rreziqe të zhgënjimeve të mëdha. Kjo edhe u pa në zgjedhjet e fundit lokale, ku partia në pushtet doli pothuajse e përgjysmuar.

Ndërkaq, lidhur me Dialogun me Serbinë, unë kam qenë pjesë e ekipit negociator të Kosovës më 2011, kur pati filluar Dialogu për herë të parë, dhe mund të them se të ulesh përballë palës serbe është një gjë shumë e pakëndshme. Janë njerëz që sillen si viktima, pas gjithë atyre luftërave dhe krimeve që kanë shkaktuar në ish Jugosllavi. z. Kurti e pret një sfidë, aspak e lehtë, por, përmbyllja e këtij Dialogu me njohje të ndërsjellë, është obligim i çdo kryeministri dhe qeverie të Kosovës. Prandaj, z. Kurti duhet të sillet përgjegjshëm dhe të jetë palë e angazhuar. Serbia, më shumë se çdo gjë tjetër, e lakmon ndërrimin e pozicioneve: që ajo të hiqet si palë konstruktive, që do dialog, që do rezultat, ndërsa Kosova jo. Kjo nuk guxon të ndodhë. Kosova është shtet i pavarur, është fitimtare e luftës me Serbinë, prandaj duhet të sillet si e tillë, me besim në vetëveten dhe në ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat