“Avancimi i femrës në shoqëri të lira, është e drejtë njerëzore”

Intervista

“Avancimi i femrës në shoqëri të lira, është e drejtë njerëzore”

Nga: Faton Mehmeti Më: 3 nëntor 2021 Në ora: 22:36
Faton Mehmeti dhe Liridona Bislimi

Liridona Bislimi, aktiviste e Lëvizjes Vetëvendosje nga Vitia, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, arriti ta sigurojë për herë të dytë ulësen në asamble. Kësaj here si femra më e votuar nga të gjitha partitë kandiduese, duke thyer një barrierë që shumë femra e hasin në rrugën e politikës. Bislimi tashmë është shndërruar në një shembull për vajzat e reja në Komunën e Vitisë kur është fjala për rrugëtimin politik.

Bota Sot: Të jeni femra më e votuar nga të gjitha partitë garuese në Viti, çfarë do të  thotë kjo për ju?

Bislimi: Nuk do të thoja vetëm privilegj, mirëpo vlerësim i lartë nga qytetarët për mua për punën që kam bërë mandatin e kaluar si asambleiste. Hyrja për herë të dytë në asamble e kësaj here si femra më e votuar, ka qenë për mua pak a shumë e pritshme që do të thotë se besimin e tyre në mandatin e kaluar, ua kam shpërblyer me mirëbesim të plotë. Duhet theksuar se pozita në asamble nga ana ime nuk është shikuar asnjëherë vetëm si pozitë pune, mirëpo si detyrë që ma kanë besuar qytetarët që t'u adresoj hallet e problemet që ata kanë në përditshmëri.

Bota Sot: Cilat do të jenë  synimet e tua kryesore në  mandatin e dytë më radhë si asambleiste në kuvendin komunal në Viti?

Bislimi: Nuk do t'i radhisja mekanikisht sepse problemet me të cilat përballen vitiasit dhe në përgjithësi qytetarët, mund të ndryshojnë nga rrethanat e situatat në vijimësi. Prandaj, dua t'jem e gatshme të hulumtojë e të punoj për çdo hallkë për të cilën paraqitet nevoja. Aty do të jem për të qenë sa më pranë tyre dhe të krijoj urëlidhje stabile mes qytetarëve dhe pushtetit lokal. Nga ato synime që kam në planprogram janë që të përçohet sa më shumë zëri i femrave, i rinisë, i të moshuarve. Problemet me të cilat përballet shëndetësia, arsimi, bujqit, blegtorët, zjarrfikësit, e të tjerët. Gjithashtu, një tjetër synim është që rrisim fondin librar në bibliotekën e qytetit si dhe në çdo fshat që ta nxisim kulturën e të lexuarit për të krijuar rrugën frytdhënëse për gjeneratat e secilës moshë.

Bota Sot: Si e shihni sot rolin e femrës në komunën tuaj, a ka avansuar ajo me ritmin e kohës?

Bislimi: Shikuar nga gjendja aktuale, lë akoma për t'u dëshiruar. Shikuar nga prizmi në proporcion me vitet e kaluara, sadopak ka ndryshuar. Kemi femra nga Vitia që kanë rol të rëndësishëm si në komunën e Vitisë, ashtu edhe në instancat më të larta shtetërore. Kjo nismë e tyre u jep vullnet dhe ua ofron një busullë edhe vajzave të reja që të ndjekin ëndrrat dhe synimet e tyre. Arritjet, planet dhe qëllimet e femrave nuk duhet të shihen vetëm si privilegje që u takojnë, mirëpo si e drejtë elementare njerëzore në shoqëritë e lira dhe demokratike. Vetëm kështu krijojmë drejtësi dhe barazi e që jep rezultate konkrete për të mirën e përgjithshme. Andaj, si asambleiste e aktiviste, u bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të bëhen pjesë aktive e politikës sepse vajzat dhe gratë e Vitisë janë në gjendje të japin kontributin e tyre qoftë përmes politikbërjes, qoftë përmes ndonjë fushe tjetër për të mirën e qytetit dhe qytetarëve. Në shumë raste përveç aktivizimit nga spektri qytetar sado që është i dobishëm, është mirë që femrat të jenë pjesëmarrëse edhe përmes proceseve politike në nivel lokal apo qendror.

Bota Sot: Nëse Vetëvendosje fiton në balotazh, a synoni ndonjë drejtori ta udhëheqni?

Bislimi: Ne besojmë fuqishëm në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kam synime për drejtori a ndonjë pozitë të caktuar dhe nuk e shikoj asnjëherë me çdo kusht kapjen e ndonjë pozite për karrierë. Aty jam për të punuar për të mirën e qytetarëve. E nëse ka ndonjë pozitë ku unë mundem të jap kontributin tim shumë më shumë sesa asambleiste, atëherë besoj se do të merrja edhe atë përgjegjësi mbi supet e mia.

Bota Sot: Cilat janë synimet tuaja të ardhshme?

Bislimi: Për synimet e radhës është akoma herët të flasë sepse personalisht nuk kam ndonjë plan ku ndjeki synime e në bazë të tyre pozita një pas një për ta shikuar pushtetin si pushtet me çdo kusht. Pushteti është vendi ku politikani i shërben vendit drejt, ndershëm dhe në përpikëri për besimin që ka marrë nga qytetarët. Dhe nga ky këndvështrim e shohë edhe unë, gjithmonë. Drejt dhe ndershëm.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat